Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Ilir Meta, dhurata e Ramës për amerikanët!

Ilir Meta, dhurata e Ramës për amerikanët!

Në fjalimin e shkurtër të mbajtur në Kuvend para votimit për shkarkimin e Ilir Metës, Edi Rama renditi një mori arsyesh se përse Presidenti aktual nuk duhej të qëndronte më në atë zyrë. Mes tyre ishte edhe një fjali.

“Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me SHBA!”, tha Rama. Që marrëdhënia e Shqipërisë dhe shqiptarëve me SHBA është speciale, kjo nuk është vënë asnjëherë në diskutim që prej rrëzimit të komunizmit dhe pyetja e vetme që mbetet për përgjigje është a e turpëroi Ilir Meta këtë marrëdhënie, apo jo?

Në të vërtetë, në çdo post që ka mbajtur në Qeveri, apo si i zgjedhur në Kuvend e tani edhe në Presidencë, Ilir Meta personalisht nuk është shquar për një raport special me SHBA. Si ministër i Jashtëm, gjatë mandatit të dytë të Qeverisë “Berisha” mbahet mend më shumë për vizitën e zhvilluar në Beograd në mars të 2010-ës se sa për forcimin e raporteve me Perëndimin. Vizita ishte e para e një zyrtari të lartë, që prej kohës së Kastriot Islamit që me të njëjtin kostum ndalej në Beograd në 2005-ën.

Koha relativisht e shkurtër si kryediplomat prodhoi vetëm këtë vizitë të bujshme, ndërsa si kryetar Kuvendi nga 2013-ta deri në 2017-ën sërish më shumë se për kontributin e dhënë në atë që njihet si diplomacia parlamentare do të mbahet mend për rezistencën kundër miratimit të reformës në drejtësi, një projekt thelbësisht i mbështetur nga SHBA.

Meta vetë nuk doli asnjëherë hapur kundër reformës, por kërkoi që ajo të miratohej nga të gjitha palët, madje pas votimit me 140 vota të saj i veshi vetes merita për këtë arritje, megjithëse më shumë se Meta vota e pro e opozitës ishte produkt i presionit të ndërkombëtarëve, sidomos i Ambasadorit Donald Lu.

Megjithatë, deri para marrjes së detyrës së Presidentit dhe duke luajtur me dy porta, herë me Ramën e herë me Bashën, Ilir Meta ja kishte dalë mbanë që të paktën publikisht të ruante balancat e të mos shfaqej si “antiamerikan”, ndoshta me shpresën se zgjedhjet e 2017-ës do t’i rikthenin statusin që fitoi në 2009-ën e në 2013-ën, atë të “Kingmaker-it”.

Me këtë ide mendje dhe i veshur me kostumin e Presidentit të zgjedhur udhëhoqi nën LSI-në në fushatën zgjedhore të atij viti me sloganin “LSI - Forcë e parë, forcë e paparë”. Në 2017-ën kjo nuk ndodhi dhe Meta ngjiti shkallët e Presidencës më 24 korrik të atij viti duke marrë mantelin e “unifikuesit të popullit”.

Por, si zyra “paqësore” e Presidentit dhe si gëzofi i unifikuesit të popullit i rrinin ngushtë. Nuk vonoi dhe Meta iu vu përballë mazhorancës socialiste. Kulmimi i kësaj përballjeje do të niste me zgjedhjet vendore të qershorit 2019, të cilat Meta i anuloi. Ky vendim nuk e vuri vetëm kundër Edi Ramës, por edhe kundër DASH, që përmes Mattheë Palmer dha “Ok” për zgjedhjet.

Përballjen e vijoi në vjeshtë për radhën e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Publikisht përballja ishte me Ramën, ndërsa jopublikisht “sinjale” i përcilleshin edhe Ambasadës së SHBA. Në këtë periudhë foli për “diplomatë të huaj të korruptuar” dhe u përpoq që t’u mbushte mendjen shqiptarëve se qëndrimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë nuk ishte qëndrimi zyrtar i DASH.

Meta akuzonte ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani për përvetësim të kompetencave, por një vit pas shqiptimit të këtyre akuza prej tij Departamenti i Shtetit e vlerësoi me çmimin “Kampion i luftës kundër korrupsionit”.

Prej këtij momenti, bashkëjetesa e Metës nuk u bë e vështirë vetëm me mazhorancën e Edi Ramës, të cilës nisi t’i kthejë njëri pas tjetrit ligjet dhe vendimet e marra në Kuvend, por edhe me përfaqësitë ndërkombëtare, sidomos me atë të SHBA.

Përplasja e Presidentit me SHBA kulmoi para zgjedhjeve të 25 prillit. Edhe këtë herë, me shpresën se LSI, e themeluar dhe drejtuar prej tij para se të zgjidhej President do të rifitonte statusin e “Kingmaker-it” Meta doli hapur kundër Ambasadores Yuri Kim.

E akuzoi atë se ka mbështetur Edi Ramën për të prishur marrëveshjen e 5 qershorit, se po punonte kundër interesave të shqiptarëve dhe se po ndërhynte në çështjet e brendshme të vendit krejt njëanshëm.

Ky shpërthim i Metës u kalua në heshtje nga Ambasada amerikane, por siç historia tregon shënimet janë mbajtur. Ashtu siç shënimet janë mbajtur për Sali Berishën që u shpall “non grata” për përfshirje në afera korruptive madhore gjatë kohës që qeveriste Shqipërinë, ashtu shënimet janë mbajtur edhe ndaj Ilir Metës.

Deri më tani, imuniteti që ka pasur ndër vite si deputet, ministër, zv.kryeministër, kryetar Kuvendi e tani edhe President e kanë shtyrë në kohë një vendim të tillë të DASH dhe me këmbënguljen për të mos njohur votën e shkarkimit të Kuvendit, Meta synon që ta shtyjë edhe më tej këtë vendim.

Tani është në dorë të Gjykatës Kushtetuese që të japw vendimin përfundimtar, sepse Edi Rama “detyrën” e tij e kreu dhe me një gurë synon të vrasë dy zogj, të heqë nga Presidenca një barrierë të përhershme dhe t’ua dorëzojë atë amerikanëve në një pjatë të zhveshur nga çdo formë imuniteti.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore