Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

“Dhurata” që Sali Berisha dhe Ilir Meta i bënë Lulzim Bashës brenda 24 orëve

“Dhurata” që Sali Berisha dhe Ilir Meta i bënë Lulzim

“Votoni Lulin dhe merrni paketë Saliun me Ilirin!”. Mbi këto fjalë u përqëndrua fort fushata e Kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet e 25 prillit, për t’u thënë shqiptarëve se alternativa që ai kishte përballë nuk ishte as e re dhe as e paprovuar.

Lulzim Basha e shmangu Sali Berishën si nga retorika, ashtu edhe fizikisht nga fushata, e pothuajse shmangu plotësisht edhe Monika Kryemadhin, me të cilën e bashkoi vetëm një takim që u tha se ishte i paplanifikuar në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Më shumë se sa bashkim parimor, koalicioni paszgjedhor i Lulzim Bashës me LSI-në dukej i sforcuar nga sondazhet e parashikimet, që të vetëm në garë nuk e nxirrnin fitues. Atij i kish ngelur në derë partia që në 2017-ën e quajti “Ndërmarrje familjare” e “SHPK”, që Ilir Meta me siguri ja ka mbajtur shënim në atë kohë.

E deri diku me të drejtë, Rama e cilësoi bashkimin opozitar që kishte përballë një “konglomerat”, për shkak të heterogjenizmit të madh që kishte në përbërje.

Pati disa zëra që distancimi nga LSI dhe menjanimi i Sali Berishës në fushatë ishte një zgjedhje e Lulzim Bashës, pikërisht për t’iu shmangur këtyre akuzave të Ramës. Deri diku këta zëra konfirmohen tani, duke e bërë të qartë se menjanimi nuk ishte as zgjedhja e Sali Berishës, as e Monika Kryemadhit.

Pas shpalljes “non grata” të Berishës, PD e drejtuar nga Basha doli me një deklaratë që më shumë se të “dënonte vendimin e padrejtë amerikan” përqëndrohej të “kontributet” e Sali Berishës në tranzicionin e Shqipërisë. Me një deklaratë PD doli edhe pas votimit në Kuvend ku u shkarkua Ilir Meta.

Por, as Sali Berisha dhe as Ilir Meta nuk u bindën nga këto deklarata mbrojtëse dhe atë që Lulzim Basha nuk guxoi që ta bënte për 8 vite në rastin e Berishës dhe për 4 vite në rastin e Ilir Metës e Monika Kryemadhit (shkëputjes prej tyre), Sali Berisha dhe Ilir Meta e bënë brenda 24 orëve.

I pari e kërcënoi me marrjen e partisë, duke thënë për herë të parë pas 2013-ës se nuk e përjashtonte këtë mundësi dhe se gëzonte këtë të drejtë ligjore e kushtetuese. I dyti, pa u mbushur ende 24 orë nga kjo deklaratë e të parit e quajti “faqezi”, që me djegien e mandateve e nxorri të vetëm në pritën e Edi Ramës.

Këto zhvillime sugjerojnë se pas konfirmimit në krye të PD-së në zgjedhjet e së dielës, që me gjasë do të ndodhë, Lulzim Basha tashmë nuk duhet të bëjë llogaritë vetëm me Edi Ramën, por edhe me Sali Berishën dhe me Ilir Metën.

Ky është momenti që atij ja bënë dhuratë vetë Berisha e Meta. Ai duhet vetëm që ta kapë dhe ta shfrytëzojë për të treguar se vërtet e meriton titullin “lider i opozitës”. Basha duhet të dalë nga hija 8-vjeçare e Sali Berishës, i cili edhe pa u shpallur “non grata” nga SHBA ja dëmtoi jo pak ambiciet për pushtet.

Nëse Basha zgjedh që të mbajë afër tani e tutje Sali Berishën, duke filluar që në grupin parlamentar të ri të demokratëve në shtator, rreziku nuk është më vetëm shkaktimi i pakënaqësive te pjesa më e madhe e shqiptarëve, por është edhe te përplasja me SHBA, që me urdhrin e fundit të Presidentit Biden e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë personat që klasifikon si të korruptuar.

Në rastin e Ilir Metës gjërat janë më të thjeshta për Bashën. E para është se Meta ka një llogari të hapur me amerikanët dhe e dyta është në një përplasje të vazhdueshme me shumicën socialiste, përplasje në të cilën Basha mund luajë një rol vendimtar pas shtatorit, nëse Presidenti nuk do të shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse ka ende mëdyshje se çfarë duhet të bëjë, pas këtyre deklaratave të Berishës dhe Metës, zgjedhja bëhet më e lehtë dhe më e qartë, por fillimisht i duhet të vendosë.

Prandaj, fill pas të dielës, gjëja e parë që duhet të bëjë Lulzim Basha nëse konfirmohet në krye të PD-së është të vendosë. Të vendosë që të dalë njëherë e përgjithmonë nga hija e Berishës, që rrjedhimisht do ta shkëpuste edhe nga aleanca e sforcuar me LSI-në dhe me Ilir Metën. Basha duhet të vendosë nëse do të vijojë të jetë “peng i kulisave” të kësaj dysheje, apo do të shkëputet prej tyre dhe t’i lerë që të përqafojnë fatin që u ka rezervuar e ardhmja, ku flitet edhe për burg.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore