Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Berisha mohoi manipulimin e 26 majit 1996? Ja si i rrëzoi zgjedhjet OSBE-ODIHR dhe denoncoi dhunën ndaj opozitës

Berisha mohoi manipulimin e 26 majit 1996? Ja si i rrëzoi zgjedhjet

Ish-Presidenti i vendit dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ka sfiduar mbrëmë gazetarin Aleksandër Çipa në Ora News, se 'nëse gjeni një fakt në raportin e OSBE-ODIHR që rrëzon zgjedhjet e 26 majit 1996 unë ju jap të drejtë'.

Siç bëri edhe për Marrëveshjen e Detit, apo edhe për vrasjen e Azem Hajdarit, Berisha u është kthyer temave të vjetra duke mbrojtur fort trashëgiminë politike të tij 30 vjeçare.

Meqë Berisha foli për raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjët e vitit 1996 që cilësohen një njollë në historinë politike të vendit, mjafton të hapim raportin e hartuar nga ekipi vëzhgues ndërkombëtar i drejtuar nga tre bashkë-koordinatorë: Anders Eriksson (Suedi), Eugenio Polizzi (Itali) and Mark Power-Stevens (Mbretëria e Bashkuar)

Raporti prej 14 faqesh, ka analizuar në mënyrë të detajuar të gjithë procesin përgatitor, atë zgjedhor, administrimin, klimën dhe numërimin, ku rrëzon në mënyrën më të qartë të gjithë procesin.

Raporti ndërkombëtar deklaron se ndarja e 115 zonave zgjedhore e bërë në mënyrë “të shpejtë”,  brenda 45 ditëve pas Presidenti shpalli zgjedhjet është kryer jo në mënyrë të drejtë, jo në mënyrë korrekte sipas banorëve.

Raporti thekson më tej se listat e votuesve ishin jo vetëm të parregullta por të manipuluara, pasi në to kishte njerëz të vdekur, por edhe persona që nuk kishin mbushur moshën e votuesve. Nga ana tjetër kishte emra që ishin në lista më shumë se një herë.

Më pas, raporti i OSBE-ODIHR thekson se mazhoranca qeverisëse pra PD, krijoi duke shkelur Kushtetutën, një “gjykatë speciale” për të ndaluar kandidatë të opozitës që të garojnë në zgjedhje. I ashtuquajturi Komisioni i Verifikimit të Figurave, konsiderohet si një “gjykata speciale” e ngritur në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjithashtu, raporti thekson se Presidenti i Republikës, Sali Berisha është vënë kandidat për deputet në listën proporcionale të PD-së, duke shkelur hapur Kushtetutën.

Më pas, në raport theksohet se qeveria diskriminoi opozitën duke mos lejuar të drejtën e tubimeve elektorale, duke u mohuar mitingjet jo vetëm në sheshin Skënderbej në Tiranë por edhe në rrethe. ODIHR thekson se policia ka dhunuar dhe kërcënuar hapur opozitën dhe mbështetësit e saj dhe përmend rastet e Vlorës, Rrëshenit, Tiranës etj, ku të vendosur në hapësira të ngushta, oficerë të policisë kanë kërcënuar dhe penguar fushatën e opozitës.

Po ashtu, duke u ndalur tek procesi i votimit, OSBE-ODIHR bën të ditur në raportin e tij se në thuajse të gjitha vendet e vëzhguara nga anëtarët e misionit, parregullsia ishte eminente. Janë arrestuar komisionerë e vëzhgues të opozitës në disa komisione, në disa të tjera ka pasur vula të fallsifikuara, fletë votimi të parregullta dhe të pa vulosura.

ODIHR thekson se sipas Kodit Zgjedhor Komisionet e Qendrave të Votimit duhet të ishin shumëpartiake, pro të tillë ishin vetëm në letër, pasi dominonin njerëzit e emëruar nga qeveria.

Raporti i OSBE-ODIHR-it thekson se “Pothuajse të gjitha qendrat e votimit të vizituara nga vëzhguesit nuk ishin ngritur sipas ligjit. Vëzhguesit vunë në dukje një model të qëndrueshëm ku anëtarët e emëruar nga qeveria luajtën rolin kryesor në përpunimin e votuesve”.

Një çështje kryesore e grindjeve kur hapën qendrat e votimit ishte fakti që zgjedhjet autoritetet kishin dështuar të furnizonin çdo qendër votimi me numrin e duhur të rezultatit përfundimtar fletët (protokollet), duke lejuar që çdo komisioner i qendrës së votimit të ketë një kopje zyrtare të rezultateve.

ODIHR e thotë qartë, shkoqur e hapur se policia ka dhunuar zgjedhjet e 26 majit 1997.

“Shumë vëzhgues raportuan një prani të madhe policie, si brenda dhe jashtë qendrave të votimit. Kjo u vu re veçanërisht në Berat dhe Lushnje, ku policia dukej se po luante një aktiv rolin në drejtimin e qendrave të votimit. Në disa raste policia madje mori pjesë në procesin e numërimit”,  thuhet në raport.

Ndërkaq, për procesin e numërimit të votave, raporti i OSBE-ODIHR thekson hapur se ai ishtëe totalisht i manipiluar.

Qëndrimi i shumicës së vëzhguesve është se procesi i numërimit nuk ishte kryer në një mënyrë të rregullt dhe të sigurt, ose sipas ligjit të zgjedhjeve. Në disa raste vëzhguesit vërejtën me sytë e tyre manipulimin e rezultateve. Vendimet janë marrë në një mënyrë arbitrare nga Kryetarët e komisioneve të miratuar nga qeveria.

Në shumë raste, zyrtarët e komisionit të votimit nuk i dinë fare as i njohin rregulloret për procedurat e numërimit. Vëzhguesit raportuan se në kundërshtim me ligjin, kutitë janë mbushur me fletë votimi të parregulltas.

Ka gjithashtu raporte që tregojnë se fletët e votimit të hedhura për opozitën janë konsideruar të pavlefshme.

Në Berat një ekip vëzhgues vuri në dukje se pjesëmarrja në një qendër votimi ishte 105%”, thuhet në raport.

Duke përmendur shembuj nga Kuçova, Kukësi, Fieri, Gjirokastra, Pogradeci, Korça etj, raporti thekson se si kutitë ishin mbushur përpara, si rezultati është manipuluar nga ai që ishte në kuti, sesi policia ka kërcënuar hapur në sy përkthyesit e vëzhguesve të misionit të OSBE-ODIHR.

Por përveç faktit të raportit, i cili rrëzoi totalisht zgjedhjet e 26 majit, ka foto e filmime ku janë dhunuar barbarisht deputetë të opozitës, militantë, gazetarë të pavarur etj.

Është fotoja e famshme e Erion Braçes së dhunuar e me shenja në fytyrë, dhunimi i deputetit të PS-së Kastriot Islami, deputetit Namik Dokle, dhunimi në shesh dy ditë më votë nga policia i Arben Imamit, Sërvet Pëllumbit, rrahja barbare e gazetarit Bardhok Lala etj. Ajo që është më tragjike në këtë histori nuk është se Berisha mbron aktet e veta më të errëta, pasi kjo është aksiomë, por qëndrimi i bashkëbiseduesve të tij në mediat televizive, është i pakuptueshëm, pasi mjafton të rendisin faktet e ditura botërisht...

Raporti i ODIHR në 1996

Raporti i ODIHR-it në vitin 1996 për zgjedhjet parlamentare ishte më kritiku në tërë historinë e zgjedhjeve shqiptare. Në 14 faqet e tij, vëzhguesit, të cilët ndoqën nga afër zgjedhjet e 26 majit, u shprehën me nota tejet kritike për sa i përket përgjegjësisë së qeverisë, ndërhyrjeve politike në proces, rolit të institucioneve kryesore të shtetit përfshirë Presidentin, Gjykatat, Qeverinë, Policinë, SHIK e KQZ.

Ekipi vëzhgues ndërkombëtar, deklaroi se vëzhguan 300 qendra votimi në 115 zonat elektorale. Konkluzioni i vëzhguesve ishte më shumë se i ashpër: gjatë dy ditëve të votimit 26 maj-2 qershor në zgjedhje ishin shkelur 32 nga 79 nenet e ligjit zgjedhor. ODIHR vlerësonte gjithashtu se bashkëpunimi mes vëzhguesve të huaj e qeverisë shqiptare kishte shfaqur probleme. Raporti vërente se "procesi i numërimit nuk u bë në mënyrë të rregullt dhe të besueshme, ose sipas ligjit të zgjedhjeve. Në disa raste vëzhguesit vunë re manipulimin e rezultateve dhe vendimet u morën në mënyrë arbitrare nga kryetari i caktuar nga qeveria". Duke hyrë në detaje raporti konstatonte se: në Berat pjesëmarrja ishte 105%; në Lushnjë megjithëse kishte 940 vota në kuti, në listën e votuesve kishte vetëm 880 firma; në Gjirokastër votat e një partie të opozitës u llogaritën për PD".

Ndërkohë që në fund të herës raporti i ODIHR, mision i cili kryesohej nga Audrey Glover i cilësonte zgjedhjet të paranueshme dhe në shkelje të plotë jo vetëm të standardeve të këtyre institucioneve por dhe të demokracisë. Kishte shkelje serioze nga anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit. Kishte shkelje të hapura të ligjit zgjedhor. Në disa qendra kryetarët e komisioneve ndalonin anëtarët që të flisnin më vëzhguesit. Pati probleme me listat zgjedhore. Në disa kuti votimi numri i fletëve ishte më i madh se i firmave të hedhura në regjistrin e votuesve. Shumë vëzhgues raportonin prani të madhe policore brenda dhe jashtë qendrave të votimit. Në disa qendra të tjera në Tiranë, Berat dhe Kukës, vëzhguesit panë persona të paidentifikuar e civilë të armatosur. Me dekret presidencial ishte shtyrë orari i votimit nga ora 20-22.

Presidenti i asaj kohë e kundërshtoi këtë raport, duke argumentuar mospërfshirjen nga ODIHR të bojkotit të opozitës. Por vërejtjet ishin prezente dhe në zgjedhjet e vitit 2009, ku nënvizohej se "në 1/3 e qendrave të votimit, votat u numëruan keq ose shumë keq". Numër ky që përfshin 22 qendra votimi nga 66 të tilla, numër i mjaftueshëm për të tjetërsuar rezultatin sipas opozitës. Edhe pavarësisht këtyre raporti thotë se: "zgjedhjet përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE, por s'iu përmbajtën plotësisht standardeve për zgjedhje demokratike".

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore