Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

“Alibia” shqiptare e kapitenit të Manchester-it në Mykonos dhe shembulli i gazetarit të njohur të BBC

“Alibia” shqiptare e kapitenit të Manchester-it në Mykonos

Chris Storey është një gazetar mjaft me përvojë dhe i njohur në rrjetin e BBC-së. Për disa vjet ai ka drejtuar edhe news-room-in rajonal të televizionit publik britanik në zonën e Newcastle.

I njohur për reportazhet e tij për çështjet e strehimit dhe “punëve komunale” pra furnizim me ujë, punë publike etj, ku sillte në publik skandalet e tenderave publikë e natyrisht abuzimet e pushtetit, Chris, kishte edhe reputacionin si një djalë që pëlqente jetën e natës si mjaft anglezë.

Një natë, në një nga club-et e qytetit të tij, ka shumë mundësi çakërqejf, ai zihet keqas me një grup çunash emigrantë që nuk kishin shumë që kishin mbëritur në Mbretërinë e Bashkuar. Flasim për vitin 2001; ishin shqiptar.

Chris, një trup masiv, së bashku me vëllanë e tij binjak po të bëshëm e ca shokë reporterë si vetja, i dhanë dajak një grupi shqiptarësh nga Mati, që ishin mjaft të vegjël nga ata në moshë. Chris ishte 37 e ata ishin ose 20 ose pak më pak. Në pije e sipër sherri ishte vërtetë i egër; grusht i thatë shkelma, por natyrisht kanë ndërhyrë edhe rojat e më e keqja u mënjanua.

Dy ditë më vonë, ndërsa Story po dilte nga shtëpia për të dalë në punë, dallon një djal të ri fare me një levë hekuri që i kishte zënë rrugën. Nuk e mbante mend.

E pyet, dhe djali ja kthen që jam ai që më rrahe në club, e kjo nuk falet. Ishte shqiptar. Chris bisedon me të. Ishte një specialist i negocimit me njerëzit e dhunshëm. Kishte qenë për BBC i infiltruar në grupet e huliganëve anglezë në shumë stadiume të Europës.

Në një moment, e bind e ul në kafe, i thotë që ne kishim një energji negative edhe nga pija dhe e shfrymë. Fituam ne, se ishim më të mëdhenj, por mund të fitonit edhe ju. Nëse do më rrih, por nuk mund të më vrasësh se ti, familja jote, e të gjithë që presin gjithçka nga ti do ta ndjekë ky veprim i rëndë. Por edhe në ndërgjegjen tënde. Më në fund Chris e bën matjanin shok, madje, shumë shok.

Pas pak vitesh në vitin 2001, ndërsa stadiumi Wembley ishte në rindërtim, Federata Britanike e Futbollit vendos që ndeshja mes ekipeve përfashësuese të Anglisë dhe Shqipërisë mtë zhvillohet në St. James të Newcastle.

Një eveniment për qytetin që për herë të parë një ndeshje ndërkombëtare zhvillohej në qytetin që në atë kohë ishte në krye të headline. Laburistët ishin në pushtet,  Tony Blair dhe krerët e partisë kandidonin në bastionin e së majtës britanike, por edhe ekipi i Newcastle ishte në zenit, sapo kishte nxjerrë një yll si Alain Shearer, Les Ferdinand, Michael Owen etj.

Qyteti i “qymyrxhinjëve” që ishte tentuar të poshtërohej nga “Zonja e Hekurt”, konservatorja Margaret Thatcher, po jetonte lulëzimin e tij. Kishte një numër të madh ministrash që ishin kthyer në yje të politikës botërore si deputetë. Kishte rock-star-in Sting në shkëlqimin e tij.

Bashkia e qytetit, cakton redaksinë e BBC-së rajonale të përgatisë e organizojë ndeshjen me Shqipërinë. Të përgatisë një spektakel të denjë për mikpritjen e këtij qyteti shumë miqësor. Chris, si redaktor përgjegjës, do të duhej të gjente tekstin dhe muzikën e himnit kombëtar shqiptar që për herë të parë në një stadium britanik do të këndohej nga yje të muzikës klasike.

Gazetari aktivizon, djalin që i doli për ta “hequr qafe”. E pyet për himnin si mund ta gjejmë etj. Chris dinte gjithçka por e bëri që të ketë një mobilizim pozitiv nga ajo që ishte shtresë e margjinalizuar. Në fund gjithçka doli perfekte. Ndeshja në Newcastle ishte një shfaqje e bukur jo vetëm futbollistike por edhe futbolli e miqësie. Ishte ndeshja e parë ndërkombëtare jashtë Wembley, ndaj preku historinë.

Në atmosferën para ndeshjes, BBC dërgon në Shqipëri një grup xhirimi, që sjell një reportazh për gjakmarrjen, një plagë të riaktivizuar gjatë tranzicionit. Reportazhi qe realisht, mjaft i studiuar, ku dhe Chris kishte kontributin e tij, në bashkëpunim me kolegët shqiptarë.

Ishte një atmosferë pozitive përgjithësisht, e ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, ishte një ish-sportist i madh shqiptar Agim Fagu. Një person që pëlqehej shumë edhe nga Buckingam Palace.

Nejse kaluan vite dhe në Britani shkuam më shumë shqiptarë, pjesë edhe të kontigjentit të rrugës, që bënë edhe zullume, por gjithashtu kishte shembuj jo vetëm në BBC por edhe në teatrot e operat e Londrës e qyteteve të tjera që performonin emra të mëdhenj të skenës shqiptare si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu etj.

Por tabloidët skematikë si Saily Mail, thë Sun, por edhe seriozja Observer, sidomos vitet e fundit, flasin për kriminalitetin shqiptar. Asnjëherë nuk e kanë ndjekur atë në rrënjë, por e trajtojnë njëjtë si faqen 3 ku publikojnë modelet dhe yjet e showbiz-it.

Kjo arriti e u bë aq rutinë, sa ndaluan edhe ankesat e shoqatave të shumta civile shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar që e ndjenin veten të diskriminuara me zharkonin e “shqiptarit kriminel”.

Por rasti i kapitenit të Manchester United, i cili po kalonte pushimet në një ishull të Greqisë arritën kulmin e këtij shablloni.

Harry Maguire, ishte për pushime në Mykonos, ishull ku shkojnë më të kamurit e botës. Në çarkërqejf zihet me njerëz, policia ndërhyn, dhe i qëllon edhe uniformave. Policët e marrin në rajon sa ti dalë pija dhe i shpjegojnë se ai është i pandehur se ka gjuajtur një polic. Në çdo vend të botës, nëse kudnërshton unifromat e ke “brenda” një 48 orësh në qeli.

Edhe Maguire e bëri, por kur doli në gjykatë për masë sigurie pagoi garancinë pasurore, çka edhe pritej se ishte një krim në pije e sipër e doli. Por çbëri kapiteni i Machester-it: akuzoi një shqiptar se i ka ngacmuar motrën e tij dhe ky është nxehur dhe ja ka krisur grushte.

Edhe mundet, por përse Maguire, përveç shqiptarit që i ngacmoi motrën, rrahu paq edhe policin grek. E në fund të fundit për këtë u arrestua. Se të ishte për rastin e parë, do të shoqërohej në birucë derisa t’i dilte pija e më pas do ta nxirnin, pasi raste të tilla në resorte turistike ndodhin çdo natë.

Por Daily Mail dhe The Sun, natyrisht i ndikuar nga avokatët e kapitetin milioner të Munited sajon një fabul me shqiptarë, që edhe nëse kanë qenë pjesë e sherrit pas dopjes së 10-të, ç’lidhje kanë me grushtat që kapiteni i Machester United i dha policisë që shkoi të ndante zënkën.

Kjo klishe ngjan me një supë të ringrohur që nuk e ha kush. E kjo shikohet edhe në rrjetet sociale më agresive të publikimit të lajmit. Prototema është një gazetë greke nacionaliste, në faqen e saj sociale kishte komente të mjaft qytetarëve apo turistëve të Mykonos që akuzonin gazetën se po sulmonin pa baza shqiptarët, pasi futbollisti e kishte kaluar cakun vetë, falë edhe gotave të pafund që kishte rrufitur.

Chirs Story, gazetari i BBC që shumë vite më parë kishte përjetuar një sherr me shqiptarë tregon se kur ishte në kulmin e dehjes nuk shihte “shqiptarë të egërsuar”, por vetëm tym e boshllëk nga halucinacionet. Natyrisht të njëjtin sencacion ka kaluar edhe  Harry Maguire. Por avokati i tij, djallëzisht ka kujtuar se shpëton imazhin e tij duke gjetur ca “shqiptarë të irrituar”. Po mirë përse Daily Mail apo the The Sun nuk i intervistojnw këta shqiptarë?!

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore