Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

A e di Ambasadorja Yuri Kim, kush është Sonila Bejtja?!

A e di Ambasadorja Yuri Kim, kush është Sonila Bejtja?!

Edhe pse  Gjykata Kushtetuese ka hyrë në atë që quhet zona e funksionimit të saj, ky institucion që ka si detyrë intepretimin e ligjit themeltar të shtetit, hyn në një fazë shumë kritike. Dhe e gjitha për shkak të KED-së dhe Ilir Metës.

KED-ja e  drejtuar nga Vitore Tusha, çoi për të firmosur Presidenti i Republikës, si anëtar i Kushtetueses një tek kandidate, përkatësisht Sonila Bejtja.

Kjo është zgjedhur të zëvendësojë Besnik Muçin, të dekretuar nga Presidenti si anëtar i Gjykatës por që u rrëzua nga Vettingu. Dhe në këtë atmosferë, Meta, ka dekretuar të vetmen kandidate të ofruar.

Por këtu janë një seri shkeljesh: Sonila Bejtja, nuk plotëson kriteret për të qenë anëtare e Kushtetutës, pasi nuk ka qenë magjistrate, nuk ka kaluar në asnjë vetting, jo thjesht si magjistrate, por edhe nga një audit normal, pra s’është kontrolluar pasuria e saj.

Dhe më e rëndësishmja, Bejtja është një person i ekspozuar si kundërshtare e fortë e reformës në drejtësi dhe në radhë të parë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit me qëndrime publike.

Ajo u kualifikua si kandidate për anëtare e Gjykatës Kushtetuese, duke eleminuar të gjithë të tjerët, që të paktën plotësinin elementin bazë ligjor, të qenit magjistrate.

Sonila Bejtja nuk ka punuar asnjë ditë si gjyqtare, prokurore, apo juriste në sistemin shqiptar të drejtësisë. Pra, kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të ligjit themeltar të shtetit shqiptar.

Në pikën 4 dhe 5 të nenit 125 të Kushtetutës, parashikohet që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, si dhe të paktën 15 vite përvojë punë si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesore ose lektorë të së drejtës, nëpunës të lartë të administratës publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.

Përvoja e Sonila Bejtes është vetëm si notere dhe në vitin e fundit si opinioniste në media, ku reformën në drejtësi e konsideron si “të keqe” apo si “rama-reformë”.

Kjo do të thotë se veprimtaria ligjore profesionale e kandidates për tu bërë anëtare e institucionit që intepreton Kushtetutën, ka qenë thjesht siglim diplomash, dëftesash, shitje makinash dhe apartamentesh dhe aspak një përvojë që ligjin e konsideron si shtyllë e qeverisjes së një “Rule of Low”.

Një shkelje tjetër, në rastin edhe kur ajo është çuar si zëvendësuese e një gjyqtari që është rrëzuar nga vettingu si Besnik Muçi, është se Sonila Bejtja, nuk ka kaluar në procesin e vettingut dhe që i jep asaj një “përjashtim” ligjor përballë kolegëve që garuan bashkë me të dhe që e kishin kaluar këtë proces.

Pra, Bejtja nuk është kontrolluar as në shtyllën profesionale, as në lidhjet e saj të dyshimta që ka për detyrë ta zbulojë DSIK-ja, por as tek historia e pasurisë së saj. Garancia që të kemi një gjyqtare, të paktën në sitën e ILDKPKI që ka serverin e historikut të pasurisë, të DSIK-ja, por edhe nga Inspektorati i Drejtësisë nuk ekziston.

Pra, kemi një juriste që në sistem ekziston vetëm tek niptet e saj tatimorë në regjistrat fiskalë. Por, edhe në këtë rast ka mjaft mangësi.

Kjo sepse ka pasur hapje dhe mbyllje të nipteve pa një rekord të qartë dhe të mirëllogaritur. Pra, herë ka hapur një nipt dhe më pas e ka mbyllur atë duke hapur një tjetër, e kështu pa krijuar një llogari normale të kontrollit të pasurisë së saj në vite.

Ndërkaq, nga ana tjetër, zonja Bejtja, ka qenë aktore publike e një fushate të gjatë të kundërshtimit të reformës në drejtësi, duke i shërbyer një klani politik.

Zonja Sonila Bejtja, është bashkëshortja e një vartësi të drejtuesit të një portali, i cili që prej vitit 2016, mbahet mend si një prej qarqeve më të fuqishme që kanë sulmuar ambasadorët e SHBA-së në Tiranë, ambasadorët e BE-së në Tiranë, ambasadorët e Gjermanisë në Tiranë, ambasadorët e OSBE-së në Tiranë, krerët e EURALIUS dhe OBDAT. Bëhet fjalër për portalin Syri, që indirekt njihet si media e familjes Berisha.

Donald Lu, Romana Vlahutin, Bernd Borchardt, Rainer Deville etj, janë disa nga emrat e diplomatëve të rëndësishëm perëndimorë që janë sulmuar nga portali i Berishës, vartës kryesor i së cilës është bashkëshorti i Sonila Bejtja-s.

Pra sot presidenti Meta, ka zgjedhur në institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë, një individ që jo vetëm nuk plotëson kriteret, jo vetëm që nuk ka të vërtetuar integritetin profesional dhe etik për të qenë në këtë institucion, jo vetëm që nuk e ka formimin e duhur, por edhe një person që i është kundërvënë të gjithë procesit të reformës në drejtësi.

Në kushtet kur Gjykata Kushtetuese është ngritur me shumë mundim e me një ekuilibër mjaft delikat, në zgjedhjen e 6 anëtarëve të saj, emërimi i anëtarit të shtatë duke shkelur të gjitha hapat kur është arritur deri këtu, është pikërisht si një minë e vendosur në themelet e një pallati.

Standardet janë të tilla kur ndiqen nga fillimi i procesit e deri në fund, ata nuk mund  të shkelen në mes.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yurim Kim ka një meritë të jashtëzakonshme në shtyrjen e procesit që arriti në suksesin e plotësimit brenda 31 dhjetorit, të 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Pa lëvizjet e saj të forta, apelet, qëndrimet dhe deklaratat e ambasadores Kim, zor se Shqipëria do të kishte sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale. E pikërisht në këtë rast, ambasadorja duhet ta dijë se kush është kandidatja që hyri në Gjykatën Kushtetuese dhe që po prish imazhin e të gjithë këtij procesi që rezultoi perfekt.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore