Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Si i justifikoi para gjykatës pronat e sekuestruara Adriatik Llalla

Si i justifikoi para gjykatës pronat e sekuestruara Adriatik Llalla

Përveç dënimit me dy vite burg, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur edhe nën sektuestro një sërë pasurishë të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Pjesa më e madhe e tyre janë tokë arë që ndodhen pak kilometra në veri-lindje të Tiranës.

Bëhet fjalë për rreth 22 hektarë tokë arë të ndarë në tre parcela në fshatin Qehaj-Shytaj, paratë për të cilën, sipas llogaritjes së gjykatës, ish-kryeprokurori nuk i justifikon me burime të ligjshme, ndaj nën dyshimet se kjo pasuri është produkt i veprave penale të korrupsionit vendosi sekuestrimin.

Por, si u mbrojt Adriatik Llalla përballe gjykatës? Llalla i tregoi në fund të muajit prill dëshminë e shtetasit Gazmen Brahimi, që ka pranuar se ja ka shitur me çmim dukshëm nën çmimin e tregut këtë pronë për shkak se i duheshin paratë.

Tokat, sipas mbrojtjes, Gazmen Brahimi i ka blerë me çmime të ndryshme që variojnë nga 2 mijë lek të vjetra deri në 10 mijë lek të vjetra metri/katrorë. Tokën e parë që ia ka blerë shtetasit Ibrahim Shima e ka marrë me qëllimin për të ndërtuar shtëpi për familjen e tij dhe pjesët e tjera të tokës i ka blerë ngjitur me tokën e Ibrahimit për t’i përdorur për kopështari për të kullotur kuajt dhe për bazë ushqimore.

Por, pasi e ka blerë këtë tokë, sipas mbrojtjes së Adriatik Llallës, Gazmen Brahimi ka mësuar se në atë zonë nuk mund të ndërtohej dhe se ajo ishte përcaktuar si zonë e gjelbër. Në këtë moment hyn në lojë Adriatik Llalla. Brahimi thotë në dëshminë e tij të dhënë para gjykatës në fund të muajit prill, se me Adriatik Llallën është takuar rastësisht te një resort në atë zonë, ku ish-kryeprokurori shëtiste fëmijët me kuaj. Këtu ka vendosur që t’i shesë pronat.

“Tek resorti ka takuar shtetasin Adriatik Llalla i cili shëtiste fëmijët me kuaj, të cilit ia ka shitur tokat me të njëjtin çmim pasi ishte i interesuar për t’i shitur për shkak se i ishin bllokuar paratë. Tokat nuk i ka shitur në një kohë pasi nuk ka marrë certifikatat e pronësisë në kohë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë”, thotë mbrojtja.

Shtetasi Gazmen Brahimi ka deklaruar se tokat i ka blerë me paratë e kursyera prej tij, ndërsa paratë nga shitja e tokave i ka marrë nëpërmjet transaksioneve bankare në llogarinë e tij bankare.

Prona tjetër e sekuestruar është një apartament me sipërfaqe 67 metra/katrorë në qytetin e Durrësit. Adriatik Llalla e ka blerë këtë apartament për vetëm 2.2 mln lek më 19 mars të vitit 2012 dhe vetëm dy muaj më vonë, kjo pasuri është rivlerësuar me një vlerë më shumë se dyfish në rreth 5 mln lek.

Llalla thotë në mbrojtjen e tij se rivlerësimi është kryer nga një ekspert privat dhe mbi bazën e aplikimit nga ana e vetë ish-kryeprokurorit 17 ditë pas blerjes së këtij apartamenti. Por, prokuroria hodhi dyshime se pas kësaj skeme të fryrjes së çmimit të pronës qëndronte përpjekja e ish-kryeprokurorit për të mos deklaruar të ardhurat e tij.

Në dosjen voluminoze të mbrojtjes thuhet gjithashtu se shpenzimet e spitalit të bashkëshortes së Llallës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbuluar në një masë të madhe nga një mik i familjes, shtetas amerikan.

“B.L., shtetas Amerikan më datë 17.07.2020 ka deklaruar se me shtetasin Llalla njihet prej një kohe të gjatë njohje familjare dhe se me bashkëshorten e tij është njohur nëpërmjet bashkëshortes së të pandehurit. Në vitin 2016 ka marrë dijeni që shtetësja Adriana Llalla priste një fëmijë dhe e ka ftuar në shtëpinë e tij për rreth tre muaj”, thuhet në dosjen e mbrojtjes.

“I kam sugjeruar dhe spitalin ku të lindte. Fëmija ka lindur në datë 31.12.2016, ditën e vitit të ri. Mbas dy ose tri ditësh ajo ka dalë nga spitali dhe është kthyer së bashku me fëmijën në Shqipëri. Pasi ajo është kthyer në Shqipëri në banesën time kanë ardhur faturat nga spitali në adresën time, të shënuar në dokumentet e spitalit. Në total shkonin rreth 7000 dollar, të cilat i kam paguar personalisht. Këtë faturë nuk ia kam njofutar as Adrianës dhe as Adriatikut, duke e konsideruar si formë dhurate për shkak të marrëdhënieve familjare. Kam kryer dhe një pagesë tjetër, me anë të një çeku pranë zyrës avokatisë “Sher Tremonte” në favor të Adriatikut, të cilën e kam konsideruar si një hua të përkohshme, për të ma kthyer në një kohë të mëvonshme”, thotë në dëshminë e tij shtetasi amerikan me origjinë shqiptare, B.L.

Në fund, mbrojtja e cilëson procesin gjyqësor të stisur, të parregullt ligjërisht dhe të nxitur politikisht duke kërkuar pafajësinë e Llallës. Kërkesa është refuzuar nga shkalla e parë e gjykatës së posaçme, ndërkohë që ish-kryeprokurori ka 15 ditë kohë për apelimin e këtij vendimi.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore