“Ditët e kujtesës” janë një aktivitet i përvitshëm i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), qysh prej tetorit të vitit 2016.

Mirëpo, ky vit ka një simbolikë të veçantë pasi shënon 30-vjetorin e rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”, më 20 shkurt 1991, si akt simbolik i rënies së regjimit totalitar në Shqipëri.

Në kuadër të “Ditëve të kujtesës” po organizohen një sërë aktivitetesh, por do prezantohet edhe një dokumentar shumë interesant i titulluar “Nga Skënderbeu te Enver Hoxha”, i cili do të shfaqet sot për herë të parë.

Dokumentari, “Nga Skënderbeu te Enver Hoxha” është një prodhim i vitit 1984, realizuar nga Paul Lendvai.

Paul Lendvai u arratis nga Hungaria komuniste drejt Austrisë më 1957 kur ishte 28 vjeçar. Lendvai do të vizitonte Shqipërinë në vitet 1983 dhe 1984 dhe përshtypjet e tij do t’i fiksonte me 1985 ne librin: “Shqipëria e vetmuar” (Das einsame Albanien).

Gjithashtu po atë kohë, nga udhëtimi i tij nëpër Shqipëri do të prodhohej për kanalin ORF austriak dokumentari “Nga Skënderbeu te Enver Hoxha“, një material unik, i cili sjell dëshmi autentike dhe pamje të rralla të jetës së përditshme gjatë komunizmit.

Në një lidhje Skype për “Wake Up”, drejtoresha e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, Jonila Godole theksoi se edhe sot nuk ka drejtësi për krimet e kryera në komunizëm.

“Flitet më tepër tani, por flasim në mënyrë sipërfaqësore, nuk i vendosim gishtin mbi ‘i’ se kush janë përgjegjësit, se cilat kanë qenë krimet e atëhershme.

Mosbërja transparencë e krimeve të asaj kohe, e atyre që kanë ndodhur, e padrejtësive, e shkeljes së të drejtave të njeriut. Qoftë një transparencë totale e përfshirjes së elitave, e figurave politike, të cilat mund të jenë edhe sot. Kjo nuk është bërë dhe përderisa kjo nuk është bërë, ne do të vazhdojmë”, tha Godole.