
Një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal është arrestuar në Tiranë.
Stivi Filoli akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa dyshohet se ai ka qene pjesë e grupit të Egys Dashit, i cili u vra në Ekuador në janar të vitit 2022. Ky grup kriminal u godit disa ditë më parë në Itali, ku u ndaluan 11 persona.
Ditën e djeshme në emisionin e transmetuar në “Top News”, “Zona Zero” është bërë publike dhe dosja e plotë e kësaj çështjeje, në një diskutim me gazetarin Arsen Rusta.
Njoftimi i policisë:
Në rrugën “Haxhi Dalliu”, Tiranë, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit S. F., 26 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Ky operacion është finalizimi i një hetimi të nisur nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Torinos, Itali, kundër një grupi të organizuar kriminal, me aktivitet në disa shtete të ndryshme. Hetimet janë koordinuar nga zyra e Prokurorit Publik të Drejtorisë Antimafia, autoritetet sllovene dhe EUROJUST. Edhe në këtë operacion, Policia e Shtetit tregoi besueshmëri dhe profesionalizëm, duke u radhitur si e barabartë me policitë homologe që ishin pjesë e operacionit.