
Gjykata e Posaçme ka hequr masën e arrestit në shtëpi, ndaj ish-zv ministres së Brendshme Rovena Voda, pas kërkesës së saj me arsyetimin se dënimi i kishte mbaruar.
Ish-ministria në prill të këtij viti u dënua nga gjykata e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me 10 muaj burg. Ajo u shpall fajtore për “ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Voda u shpall fajtore për shkak se kishte pranuar vlera monetare për të ndikuar në punësimin e Florida Beut në ministri. Referuar hetimit të Prokurorisë së Posaçme, mes Vodës, Florinda Beut dhe nënës së kësaj të fundit, Majlinda Hasanit janë realizuar tre takime në shkurt- mars 2020 në Ministrinë e Brendshme dhe në Durrës.
Ato janë përgjuar teksa flisnin për dhënien e nja zarfi me 1 mijë euro Vodës dhe janë filmuar në një bar në Durrës, teksa i japin zv.ministres një aparat celular.
Lidhur me episodin e tretë, SPAK thotë se Voda ka shkuar në port me automjetin e Ministrisë së Brendshme që mbante si zyrtare e lartë dhe shoferin e saj për të marrë një arkë me peshk, e cila po ashtu ishte “dhuratë” për punësimin e Beut.