Nënkryetari i PD-së, Alfred Rushaj, u takua me disa familje në zonën e Kinostudios, për të përcjellë shqetësimin e tyre për shembjen e dyshimtë të pallatit nr. 4 në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë.

Rushaj deklaroi para banorëve sikur të ishte në tubim elektoral se: “Ne jemi opozitë, ajo çfarë unë bëj është ta ngre zërin, të dal në medie, ta ngre zërin në Parlament. Unë mund të vazhdoj gjithashtu atë çfarë një shtet normal duhet bërë për t’u quajtur kallëzim penal dhe për t’i kërkuar llogari si palë proceduriale atyre që e kanë pasur çështjen.

Këta po mundohen që këtë gjë që po bëjnë këtu po mundohen ta bëjnë edhe poshtë te bregu i lumit. Po prishin këtë shtëpinë dhe po ju çojnë ju atje, dhe atje po prishin shtëpi që ju të strehoheni.

Ndërkohë që ju këtu edhe shkatërroheni edhe ka kosto sociale, financiare për ju dhe për shtetin. Por, nga ekspertiza e kryer mbi këtë pallat, pas tërmetit te 26 nëntorit, nga Instituti i Ndërtimit dhe ekspertet e tij, rezulton se kjo ndërtesë është e dëmtuar rëndë dhe rrezikon jetën e banorëve nëse do të vijojnë që të jetojnë aty”.

Deputetit Alfred Rushaj nuk i intereson jeta e banorëve por e shfrytëzon për tubim elektoral dhe ti bjerë në sy partisë dhe kryetarit. Ai u shpreh në “tubimin” e tij elektoral tek banorët në hall se qeveria ka bërë një projekt dhe ka interesa financiare e për këtë arsye do ta ndjekin deri në fund.

Ndryshe nga ajo çfarë deklaron Alfred Rushaj, siç mund të shihet edhe nga dokumentet, akt ekspertiza e thelluar e pallatit nr.4 në rrugën “Myslym Keta” është kryer nga operatori ekonomik Infratech & Arkimade shpk.

Sipas rezultateve të akt ekspertizës, ka dalë se pallati është për demolim dhe se kostoja e rikonstruksionit të tij shkon 116% të vlerës. Sipas ligjit shqiptar, nëse vlera e rikonstruksionit të një ndërtese e kalon në 70% vlerën që duhet për ta rindërtuar, kjo ndërtesë duhet të prishet për t’u ndërtuar nga e para.

Aktekspertiza, inspektimet dhe analizat e kryera vihet re që tërmeti i datës 26.11.2019 ka lënë pasoja dhe dëme të konsiderueshme në strukturë dhe jo vetëm, ku dallohen qartë edhe çarje mbi hapësirën e dritareve, çarje diagonale në mure mbajtës e krisje diagonale në mure mbajtëse, etj.

Ekspertët arrijnë në përfundimin se asnjë nga muret mbajtës të pallatit nuk e ka kaluar testin dhe për pasojë strehimi në to i familjeve do të mund të krijonte një tjetër tragjedi me pasoja si ato të tërmetit të dy viteve më parë, ku pati dhe humbje jete.

Një fakt i tillë pohohet edhe nga oponenca e kryer nga Instituti i Ndërtimit, që konfirmon këtë rezultat, duke dalë në konkluzionin se demolimi i këtij pallati është zgjidhja e duhur për sigurinë e banorëve.

Ekspertët e institutit të Ndërtimit kanë arritur në konkluzionin se godina në gjendjen që është, e dëmtuar, nuk i plotëson kushtet sizmike dhe se do të duhet të rindërtohet nga e para, pasi kostoja e rikonstruksionit të tij e kalon 70 për qind shumën që do të duhej për ta bërë nga e para.

“Akt ekspertiza e thelluar për objektin “PALLATI 4”, Rruga “Myslym Keta”, është e detajuar dhe e bazuar në studime, prova laboratorike dhe analiza strukturore të plota. Nga analiza e kësaj ekspertizë dhe vlerës së punimeve të rikonstruksionit dalim si përfundim që “PALLATI 4”, RRUGA “MYSLYM KETA”, TIRANË duhet të prishet dhe të ndërtohet i ri. Projekti i ndërtimit pallatit të ri të hartohet konform Eurokodeve 8 për nivelin e performancës për rastin e efekteve sizmike”, thuhet në ekspertizën e Institutit të Ndërtimit. Pas daljes së ekspertizave dhe oponencës, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin nr. 22 , datë 01.03.2021 për prishjen e e pallatit sipas sugjerimit të ekspertëve./Gazeta Shqip