
Të gjithë shoferët do të pajisen së shpejti me leje të re të qarkullimit të automjeteve. Kreu i Drejtorisë së Patentave (DPSHTRR), Blendi Gonxhe në emisionin “Breaking” në Top News ka shpjeguar në detaje dokumentin e ri, që sipas tij, do jetë i sigurisë së lartë dhe i pafalsifikueshëm dhe është sipas standardeve të BE-së.
“Dokumenti i saktë, model gjerman, me fibër, nuk prishet nga uji dhe të dëmtohet në mënyra të tjera. Dhe është thënë me shaka se në Rrugën e Kavajës bëhet me shpejt, kjo edhe ka ndodhur, por dokumenti i ri do të jetë me watermark, me rreze me lexim, me bar kod, që mund ta shikohet nga çdo lloj polici në celular brenda e jashtë Shqipërisë dhe nga ku i merr të dhënat në sistem”, u shpreh Gonxhe në emisionin Breaking.
Leja e re do të kushtojë 2100 lekë, ndërkohë që ajo aktualja është 3400. Gjithashtu, leja e re e qarkullimit të automjeteve unifikon dy dokumentet e lartpërmendura.
“Leje e re mjetit ishte një angari për qytetarët. Ne vijmë edhe meqë kemi edhe Kolaudimin të gjitha të dhënat janë korrigjuar, Të dhënat e mjeteve ishin hedhur gabim, nuk hidhej vlera e mjetit, problemet teknike. Kjo ka qenë angaria, sistemi kthehet tani në një i saktë”, tha më tej Gonxhe.