Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është paraqitur një letër nga më shumë 50 prokurorë, ku i kërkojnë këtij institucioni të mbajnë një qëndrim të prerë ndaj sulmeve politike.

Ata i kanë dalë në mbrojtje kryeprokurores së Tiranës, Elibasabeta Imerajt, e cila disa ditë më parë u sulmua ashpër nga kryedemokrati Lulzim Basha, duke e cilësuar si ikonë e krimit dhe e korrupsionit.

Mësohet se KLP-ja ka marrë në shqyrtim kërkesën për të mbajtur një deklaratë publike mbi sulmet dhe presionet politike karshi një prokurori, siç është rasti i Bashës ndaj Imerajt.

Më shumë se 50 prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, kanë dalë në mbrojtje të drejtueses Elisabeta Imeraj për sulmet e bëra në drejtim të saj.

Disa ditë më parë Imeraj u zgjodh nga KLP si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, për një mandat trevjeçar, duke kaluar me sukses dhe procesin e vettingut në Këshill, dhe procesin e vettingut ne Komisionin e Pavarur te Kualifikimit.

 PD-ja prej kohësh ka pasur sulme ndaj kryeprokurores së Tiranës, duke mbajtur dhe deklarata të ndryshme. Por sulmi më i fundit ishte i Bashës në një emision televiziv. Kësaj deklarate Imeraj iu kundërpërgjigj se Basha mban këtë qëndrim për shkak të dosjeve që ka të hapura në prokurori.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.