Lushnja u bë pjesë e listës jo edhe aq të vogël të bashkive pa kryetarë, ose me kryetarë me legjitimitet të cunguar të tyre, pas vendimit të Qeverisë për shkarkimin e Fatos Tushes me arsyetimin e shkeljeve të rënda.

Fatos Tushe u shkarkua menjëherë nga Qeveria pas aksionit anti-korrupsion të SPAK-ut në Bashkinë e Lushnjes. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa në pranga përfunduan edhe një sërë zyrtarësh me akuzën e korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera dhe deri të falsifikimi i dokumentacioneve.

Cilat janë bashkitë që sot nuk qeverisen? Durrësi, Vora, Lushnja, Rrogozhina dhe Dibra janë bashkitë që nuk kanë fare kryetarë dhe detyra ushtrohet nga nënkryetarët, ndërsa në Shkodër Voltana Ademi “qeveris” me mandat të përfunduar prej dy vitesh tashmë. Vlora gjithashtu mund të përfshihet në listën e bashkive pa kryetar për shkak të përplasjes së fortë të socialistëve me kryebashkiakun, Dritan Leli.

Ku dekriminalizimi, ku dorëheqjet e ku fatkeqësitë i kanë lënë këtë bashki pa titullarë prej kohësh. Në Durrës, në zgjedhjet e 2019-s u zgjodh kryetare Valbona Sako, që garoi përballë një kandidateje të Bindjes Demokratike.

Por, pak ditë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, kryebashkiakja e re u dorëhoq. Si arsyetim u tha se ishte deklarata e bërë pas tragjedisë që u mori jetën 51 qytetarëve, plagosi qindra të tjerë dhe la mijëra të pastrehë. “Duhet të jemi me fat për numrin e viktimave”, ishte thelbi i deklaratës së Valbona Sakos, që shkaktoi kritika të forta ndaj saj.

Nga zgjedhjet e 2019-s, Agim Kajmaku u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vorës, por ai u shkarkua pasi u zbulua se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit faktin që ishte një person i dënuar. Pas shkarkimit për disa kohë u shpall në kërkim për t’u përballur me akuzat.

Në Dibër, Dionis Imeraj i dalë nga zgjedhjet e qershorit 2019 u dorëhoq për të kandiduar si i treti në listën e Partisë Socialiste në këtë qark në zgjedhjet e 25 prillit. PS mori dy mandate, Imeraj mbeti jashtë parlamentit të ri dhe Bashkia pa një titullar.

Që prej shkurtit të 2020-s edhe Bashkia e Rrogozhinës është pa kryetar, për shkak të ndarjes nga jeta të Haxhi Memollës, që e mori këtë post pas zgjedhjeve të 2019-s.

Me mandat të përfunduar që prej 2019-s vijon detyrën e saj në krye të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi edhe pse në zgjedhjet e fundit nuk kandidoi për shkak të vendimit politik të Partisë Demokratike për të bojkotuar zgjedhjet.

Në ato zgjedhje u shpall fitues Valdrin Pjetri, por ky i fundit u dorëhoq pa e marrë ende detyrën nga Këshilli i ri Bashkiak për shkak të problemeve me ligjin e dekriminalizimit.

Vlora ka një problematikë tjetër. Kryebashkiaku Dritan Leli është në një luftë të hapur me partinë e tij, aq sa beteja është përqëndruar edhe te lojëra me kyëje e hapje sallash për mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Shkak i përplasjes u bë refuzimi i Lelit për t’u dorëhequr dhe për të garuar për deputet në listën e socialistëve për Qarkun e Vlorës.

Kësaj liste mund t’i shtohet edhe mandati i Qerim Ismailajt të Mallakastrës. Ky i fundit akuzohet nga opozita se ka shkelur ligjin e dekriminalizimit dhe ka fshehur një dënim të marrë në Greqi. Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe Komisioni për Ankesat dhe Sanksionet vlerësuan se dënimi i marrë në Greqi nuk e pengonte që të zgjidhej, ndërsa ëështja pritet të shqyrtohet në Kolegjin Zgjedhor, që është edhe shkalla e fundit.

Ngërçi, si rregull duhej të zgjidhej nga Presidenti i Republikës, që me t’u larguar një kryebashkiak duhej të shpallte zgjedhjet të pjesshme vendore për bashkinë e mbetur pa kryetar. Por, duke qenë se Presidenti Ilir Meta nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit refuzon edhe që të nxjerrë dekretet për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e mbetura pa kryetarë.

Nëse për Metën me 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje, për mazhorancën dhe Kryeministrin Edi Rama qëndron e kundërta. Zgjedhje ka pasur dhe kryetarët e dalë nga ato zgjedhje vijojnë detyrën në 50 e ca bashkitë e tjera të vendit.

Çështja është në Gjykatën Kushtetuese, që i ka dërguar disa pyetje Komisionit të Venecias para se të dalë me një vendim. Vendimi i Kushtetueses pritet që t’i japë zgjidhje edhe këtij ngërçi, ku dy do të jenë rrugët; nëse zgjedhjet shpallen antikushtetuese ato përsëriten në të gjithë vendin, nëse jo atëherë Presidenti do të jetë i detyruar që të nxjerrë dekretet për mbajtjen e tyre vetëm në bashkitë e mbetura për kryetarë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.