TIRANË – Biznesmeni Rezart Taçi ka reaguar për herë të parë pas shpalljes në kërkim nga SPAK. Në një lidhje ekskluzive për emisionin “Zona Zero” në Top News, Taçi deklaroi se është i pafajshëm.

Sipas tij bëhet fjalë thjesht për hapjen e një llogarie bankare, nder që ia ka kërkuar një mik i tij. 

Sipas tij llogaria bankare ishte për një ekonomist italian, të cilin ia kishte kërkuar si ndihmë mikut i tij që e njihte prej 25 vitesh.

“S’kam hapur llogari personale ku kane kaluar këto para. Jam kontaktuar nga një ekonomist profesionit përmes një miku tim. Disa muaj më nëpërmjet një mikut tim më kontakton dhe më kërkon një favor që t’i hap një llogari në Shqipëri. I thashë shko në Shqipëri dhe hape llogarinë. Këtu fillon dhe mbaron roli im. Nuk e kuptoj se ku është vepra penale. Unë nuk di se ku është produkti i veprës penale.

Personi më është prezantuar nga një mik i imi. Nuk kam asnjë bashkëpunim me një strukturë të organizuar kriminale. Thjesht i kam thënë shko në Shqipëri dhe hap llogarinë. Si mund të organizohen për strukturë kriminale, dy të shoqëruarit nga policia. Nuk ka vepër penale. Jam i shokuar, jam pa fjalë. Më shpallën në kërkim vetëm se dikush më mori në telefon. Kjo është në vazhdën e persekutimit”, tha Rezart Taçi.

I pyetur për rolin e dy shqiptarëve të tjerë të arrestuar nga SPAK, Artur Balla dhe Bledar Lilo, Taçi tha se ata ishin thjesht shoqëruesit e shtetasve italiane në Tiranë për t’i ndihmuar, por që sipas tij nuk kanë kryer asnjë vepër penale, pasi sipas tij nuk janë në pozitat për të ndërhyrë për më shumë.

“Dy zotërinjtë ishin në rolin e shoqëruesit, po çfarë pushteti kanë ata për të kryer një vepër penale, si mundet dikush që shoqëron dikë, cili është roli i tyre, si mundet të akuzohen për bashkëpunim me mafian, për pastrim parash, ata s;kanë mundësi të bëjnë asgjë, se di ku është vepra penale”, tha ai.

Çfarë ndodhi sot?

Biznesmeni i hidrokarbureve Rezart Taçi është shpallur sot në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, e cila e akuzon atë së është pjesë e një skeme të pastrimit të parave në kuadër të grupit kriminal. 

Në pranga për këtë hetim ranë dhe dy persona të afërt të Taçit, shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Ndërsa dy persona të tjerë, u arrestuan në Itali, shtetasi Francesco Zumo, një biznesmen 90-vjeçar nga Palermo i dyshuar për lidhje me mafian dhe Fabio Petruzzella, një ekonomist, edhe ai nga Palermo.

SPAK thotë se Taçi dhe dy personat e tjerë janë implikuar në këtë veprimtari që lidhet me një transfertë të paligjshme bankare të mbi 18 milionë eurove nga bankat zvicerane në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri./Gazeta SHQIP