Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, është e pranishme ditën e sotme në Elbasan, ku po zhvillon një takim me drejtuesin politik të PS-së në këtë qark, Taulant Ballën.
Nuk dihet ende se cili është fokusi i bisedës mes Kim dhe Ballës.
Diplomatja amerikane mësohet se më pas do të kenë edhe një takim me shefin e shtabit të PD-së për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhin dhe Rudina Hajdarin, e cila kandidon për deputete në listën e “Nismës Thurje”.
Në përfundim të të gjitha takimeve, do të ketë një prononcim për mediat ditën e sotme rreth orës 02:30.
Ky takim vjen vetëm dy ditë pas dorëzimit në KQZ të listave të kandidatëve, me të cilët partitë politike në vend do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Kujtojmë se Ambasadorja Kim ka bërë më shumë se njëherë apel që në lista të jenë vetëm kandidatë të pastër, duke theksuar se krerët e partive në vend do të mbajë përgjegjësi në rast të kundërt.
Elbasani shihet si një nga qarqet ku beteja pritet të jetë e fortë. Në këtë qark dalin 14 deputetë dhe aty janë përqendruar emra si Monika Kryemadhi e LSI, Taulant Balla i PS, Gazment Bardhi i PD-së dhe Rudina Hajdari e Nismës Thurje.