
Në Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit në vende të ndryshme të botës zhvillohen veprimtari, publikohen dhe shpërndahen mesazhe informimi dhe ndërgjegjësimi për qytetarët dhe institucionet publike.
Njësia Kombëtare e Ozonit në Shqipëri po organizon dhe po mbështet aktivitete të ndryshme për të shënuar këtë ditë ndërkombëtare, në përkujtim të datës së nënshkrimit të Protokollit të Montrealit “Mbi substancat Ozonholluese”.
Një bashkëbisedim me nxënës të shkollave 9-vjeçare u zhvillua në mjediset e Europe House në Tiranë, ku ekspertë të fushës ndanë me ta informacione të dobishme mbi mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe efektet e ngrohjes globale.
Njohuritë që marrin nxënësit mbi këto problematika, që sot trajtohen në nivel global, ndihmojnë në edukimin e tyre si kontributorët e ardhshëm në shoqëri. Për një rol më proaktiv në diskutimet publike dhe vendimarrjet në dobi të komunitetit.
ABC Tirana Club ka organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe një ekspozitë pikture, që është edicioni i dytë i projektit “Qyteti im Evropian”.
16 shtatori shënohet në gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Shtresës së Ozonit, si një thirrje e shtuar për vendimmarrësit për t’u angazhuar në këtë process jetik për planetin.
Amendamenti i Kigalit i Protokollit të Montrealit ka zotuar shtetet firmëtare të heqin gradualisht hidrofluorokarbonet (HFC). Edhe pse HFC-të nuk dëmtojnë shtresën e Ozonit, këto ftohës janë gazra të fuqishëm serë që ndikojnë në ngrohjen globale. Reduktimi i përdorimit të tyre, siç është rënë dakord, pritet të shmangë deri në 0.4 ° C rritjen e temperaturës globale deri në fund të shekullit, duke vazhduar të mbrojë shtresën e ozonit.
Rreth një e treta e të gjithë ushqimit të prodhuar globalisht për konsum njerëzor ose humbet ose tretet çdo vit, kryesisht për shkak të mungesës së aksesit në sistemet ftohëse. Gjetja e zgjidhjeve efikase, miqësore ndaj klimës dhe me kosto me të ulet do të sigurojë që prodhuesit, fermerët dhe ofruesit farmaceutikë të kenë akses në zingjirin e ftohjes për një transport të sigurtë të produkteve dhe vaksinave.