Që prej ditës kur Shqipëria është bërë pjesë e strukturave evropiane të antikrimit, ka detyrimin ligjor për të bashkëpunuar me oficerët ndërlidhës që kanë zbarkuar në Shqipëri. Me përjashtim të Italisë me tre oficerë-hetues, Greqia me dy dhe Gjermania po me dy shtetet e tjera kanë vetëm nga një përfaqësues në Shqipëri.


Më konkretisht Austria, Belgjika, Gjermania, Italia, Greqia, Danimarka që mbulon të gjitha vendet nordike, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë oficerët e tyre në vendin tonë për hetimin e krimit dypalëshe, apo edhe më shumë.


Ndërsa oficeri ndërlidhës spanjoll në Sofje mbulon edhe Shqipërinë. E njëjta gjë edhe edhe me Zvicrën që ka zgjedhur Prishtinën prej nga kontrollon dhe vendin tonë, si dhe Sllovenia që ka vendosur të kontrollojë kriminalitetin shqiptar, apo të bashkëpunojë, duke pasur selinë në Podgoricë.


Ndërsa Shqipëria ka oficerët e saj ndërlidhës në 12 vende të tjera përfshirë Europolin, Turqinë, Qendrën Policore Europiane në Bukuresht e padiskutim në Romë, Londër, Berlin e Uashington.


Por, çfarë përfitojnë oficerët e huaj, apo ata shqiptarë jashtë vendit. Sipas marrëveshjeve që janë ratifikuar nga Shqipëria me disa prej këtyre vendeve, oficerët ndërlidhës kanë disa privilegje dhe gëzojnë imunitet.


Sipas dispozitave ligjore, oficerët ndërlidhës dhe anëtarët e familjes së tyre, të cilët përbëjnë pjesë të banorëve të shtëpisë së gëzojnë privilegje dhe imunitete, njësoj si anëtarët e stafit diplomatic, bazuar në Konventën e Vjenës të 18 prillit të vitit 1961.


Anëtarët e familjes që përbëjnë pjesë të banorëve të shtëpisë së oficerit ndërlidhës, që nuk kanë shtetësinë e një shteti të Bashkimit Europian, do të përjashtohen nga detyrimi për të fituar leje pune për periudhën e vazhdimit të detyrës së oficerit ndërlidhës. Por, një prej pikave të rëndësishme të palëve ka të bëjë me arkivat, ose më saktë paprekshmërinë e tyre.


Arkivat e oficerit ndërlidhës kudo që janë vendosur dhe nga kushdo që i mban janë të paprekshme.


Autoritetet e shtetit pritës, nëse kërkohet nga shteti dërgues do të ndërmarrin të gjitha hapat e arsyeshme, në përputhje me ligjet e tyre kombëtare për të mundësuar sigurinë e nevojshme dhe mbrojtjen e oficerëve ndërlidhës, si dhe të anëtarëve të familjes së tyre, gjithmonë nëse jeta e tyre rrezikohet nga kryerja e detyrës për të cilën kanë mbërritur në Shqipëri, ose nga Shqipëria janë dërguar në një vend tjetër me shërbim policor.


Qeveria ka detyrimin të lejojë oficerin ndërlidhës të komunikojë lirisht dhe pa ndonjë nevojë për  leje të veçantë, për të gjitha qëllimet zyrtare dhe do të mbrojë të drejtën e oficerit ndërlidhës për të vepruar në këtë mënyrë.


Oficeri ndërlidhës ka të drejtën për të përdorur kode dhe për të dërguar dhe marrë korrespondencë zyrtare dhe komunikime të tjera zyrtare me korrier ose në çanta të vulosura, të cilat do të jenë subjekt të të njëjtave privilegje dhe imuniteteve si të korrierëve dhe çantave diplomatike.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.