Një ditë pasi Specialja ka ngritur aktakuzë ndaj tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë një reagim duke shpërndarë në facebook fotografinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Presidenti ka vendosur në kopertinën e Facebook-ut të tij, fotografinë me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Dje  Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Pas kësaj, presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë anuluar vizitën në Washington, ku pritej të rifillonte dialogu me Serbinë.


“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.”- është kjo një pjesë nga aktakuza.


Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.