
Banka e Shqipërisë njofton se të gjithë qytetarët dhe bizneset që iu refuzohet kredia apo riskedulimi i saj mund të ankohet pranë këtij institucioni. Me anë të një njoftimi, Banka qendrore ka shpjeguar dhe procedurat që do të ndiqen nga qytetarët apo bizneset.
” Fillimisht ju nevojitet të aplikoni për shtyrje të afatit të kësteve të kredisë duke shpjeguar vështirësitë financiare si pasojë e situatës së krijuar, tek secila nga banka/ subjekte ku keni kredinë”, thuhet në reagimin e BSH-së.
Njoftimi i plotë
Në vijim të njoftimeve të mëparshme, Banka e Shqipërisë rithekson se qytetarët dhe bizneset, gjendja financiare e të cilëve është ndikuar negativisht nga situata e krijuar nga Covid-19 dhe njëkohësisht janë klientë kredimarrës në banka ose subjekte financiare jobanka, kanë mundësi të aplikojnë për procesin e riskedulimit të kësteve të kredisë pranë këtyre subjekteve.
Fillimisht ju nevojitet të aplikoni për shtyrje të afatit të kësteve të kredisë duke shpjeguar vështirësitë financiare si pasojë e situatës së krijuar, tek secila nga banka/ subjekte ku keni kredinë.
Për çdo rast, nëse nuk gjeni mirëkuptim me bankat/subjektet ku keni kredinë mund t’i drejtoheni Bankës së Shqipërisë, për të zgjidhur këtë situatë duke na shkruar në adresën e email-it [email protected], duke specifikuar konkretisht emrin e bankës/subjektit me të cilin keni një marrëdhënie kredie, shpjeguar vështirësitë tuaja financiare si pasojë e situatës së krijuar, dhe vënë në dispozicion korrespondencën e plotë që keni pasur me bankat/subjektet.