Zv. Kryeministri Erion Braçe çmonton tre gënjeshtrat e Dukës

Federata Shqiptare e Futbollit po shpenzon 8 milionë euro për zyra komode për drejtuesit e saj, por nga ana tjetër kërkon fonde nga qeveria në këto momente të vështira për Shqipërinë.

Armando Duka është akuzuar publikisht nga insitucionet shtetërore për krijimin e një skeme korrupsioni në futbollin shqiptar,  ku klubet deklarojnë paga të rreme sikur janë kompani fasone dhe japin paga të majme. Evazioni dhe shmangia e taksave është një vepër penale që dënohet me burg, sipas legjislacionit shqiptar.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar FSHF-në që t’i drejtohet qeverisë për ndihmë financiare duke ngritur tre pretendime, të cilat janë çmontuar nga zv.kryeministri Erion Braçe.

Sipas FSHF-së, qeveria duhet të ndihmojë klubet e futbollit pasi:

  • Pezullimi i ndeshjeve ka ndërprerë të ardhurat nga shitja e biletave
  • Janë cënuar të ardhurat nga e drejta televizive
  • Nuk ka sponsora

Le t’i analizojmë me radhë tre pretendimet e ngritura më qëllim thithjen e fondeve nga buxheti i shtetit.

Së pari– FSHF thotë se nuk ka asnjë të ardhur nga biletat, pasi të gjitha ndeshjet janë pezulluar. Në emisionin E Diell në Top Channel, zv.kryeministri Erion Braçe tha se të ardhurat nga biletat janë të papërfillshme, në krahasim me nevojat.

“E para nga të ardhurat e biletave. Mund të më thoni një ndeshje ku bileta është më e shtrenjtë se 200 lekë të vjetra? Dhe a mund të më tregoni një klub futbolli ku e ardhura nga biletat është më shumë sesa 7-8%, duke përjashtuar vetëm një ndeshje, derbin e kryeqytetit”, u shpreh Braçe.

Së dyti– FSHF pretendon se janë cënuar të ardhurat nga e drejta televizive. Ky është një tjetër mashtrim i Dukës, pasi të drejtat televizive janë shitur për katër vjet nga vetë Duka.

“ FSHF thotë që janë cënuar të ardhurat nga e drejta televizive. Por e drejta televizive është shitur për 4 vjet, e ka shitur po i njëjti president”, deklaroi Braçe.

Së treti-FSHF pretendon se kanë ikur sponsorat. E vërteta është se nuk ka një sponsor zyrtar që financon futbollin në Shqipëri.

Thotë që është cënuar nga sponsorat. Ore kë gënjen? Po ne e kemi Superligën pa sponsor. Ka tre vjet që më ra goja duke thënë sesi ka mundësi gara kryesore e FSHF nuk financohet nga askush, se vlerëson askush. Prandaj e kemi Superligën pa sponsor, pa titull. Edhe Kosova ka sponsor për aktivitetin e saj kryesor”, deklaroi zv.kryeministri.

Siç shihet, argumentet e ngritura nga FSHF nuk qëndrojnë, pasi tre burimet e të ardhurave për futbollin shqiptar që citohen nga ky organ, nuk kanë ekzistuar kurrë.

Qëndrimi i qeverisë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se qeveria nuk do të japë asnjë qindarkë për futbollin, ndërsa akuzoi direkt Armando Dukën për evazion fiskal.

“Kjo nuk është koha për të ndihmuar futbollin, por koha për të ekzistuar. Klubet e futbollit duhet të garantojnë ekzistencën dhe jo fitimin e munguar. Meqë kanë deklaruar paga të rreme në masën më të madhe të tyre është mirë të mos bëhen pjesë e atyre që ankohen dhe që kërkojnë, pasi nuk ka pikë lezeti”, tha Rama për klubet e sportit në Shqipëri.

Ka patur shpesh raportime, ku FSHF është akuzuar për shpërdorime fondesh dhe fshehje të të ardhurave.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.