Covid-19 ka infektuar diçka tjetër!

Nga Gazeta SHQIP

Me luftën jam njohur live në vitin e mbrapshtë 1997, por në mënyrën më të përsosur jam njohur në librat e Remark. Veprat e tij janë dëshmi të gjalla të frikës dhe guximit, forcës dhe dhimbjes, krimit dhe humanizmit, jetës dhe vdekjes.

“Një natë në Lisbonë” është një ndër të preferuarit e mi, me përshkrime realiste e me simbole të përkryera.  “Në Lisbonë të mbysnin dritat, ndërsa në Gjermani të mbyste errësira” “Po bëhej një javë që isha në Lisbonë dhe prapë nuk po mësohesha me ndriçimin e shkujdesur të këtij qyteti. Në vendet nga vija unë, qytetet natën dukeshin si miniera qymyri, dhe një fener në atë errësirë ishte më i rrezikshëm se kolera në mesjetë. Këtu njeriut i duket sikur dikush ka harruar të mbyllë dritën, dhe i bëhet sikur nga një çast në tjetrin do shpërthejë ndonjë sulm ajror.”

Në fakt, ndërsa në librat e Remarkut personazhet për t’i shpëtuar makthit nazist, arratiseshin përtej kufijve të Gjermanisë ose përtej territoreve të kontrolluara prej tyre, sot duket se është e kundërta. Në skenarin e një realiteti horrorr me titull “Covid-19”, Gjermania ka vdekshmërinë më të ulët dhe shkallën e suportit më të lartë për ekonominë e vendit të saj. Si për ironi, ndryshe nga librat e Remark, popujt zgjidhjen mund ta gjejnë vetëm brenda kufijve të tyre, prandaj shqiptarë respektoni rregullat e karantinimit në mënyrë që askush nga ne mos të kthehet në një statistikë të Covid 19. Nuk mund të na ndihmojë askush, përveçse ne veten tonë dhe Zoti!

Fola sot me disa persona, halli i tyre numër 1 t’i mbijetojnë virusit, halli i tyre numër 2 t’i mbijetojnë krizës.

Rasti 1 – Kamarier i punësuar në një lokal. Janë njoftuar i gjithë stafi që do të jenë pa të drejtë rroge deri në rikthimin e situatës në normalitet.

Rasti 2 – Zonja ështeë sanitare dhe paguhet me orë pune nga 2-3 familje në kryeqytet. Nuk i paguhen sigurimet dhe nuk do të paguhet gjatë gjithë kohës së karantinimit.

Rasti 3 – Njësi biznesi në një qendër tregtare. Vlera e qerasë mujore është 3000 euro në muaj. Pyetja shtrohet: kjo fature humbjeje do të ndahet mes qeradhënësit dhe qeramarrësit?! A do ndërhyje qeveria si rregullatore në kushtet e një situate të jashtëzakonshme?!

Rasti 4 – Ekspert në një bankë të nivelit të dytë. Nuk ka ende asnjë urdhëresë nga bordi i bankës për tolerancë ndaj kredive të vonuara. Kujtojmë se kreditë përgjithesisht paguhen deri në mes të muajit.

Rasti 5 – Dyqan në një qendër tregtare. Njësia në fjalë, që prej tërmetit të 26 nëntorit ka fitim të munguar pasi shet produkte luksi. Produkteve të luksit i janë larguar të gjithë ata që për efekt Vettingu e SPAK-u i janë drejtuar tregjeve te huaja, sidomos produktet me volum të ulët (si rasti në fjalë) që mund të transportohen lirshëm në avion. Deri më tani ky biznes e ka përballuar krizën me rezervat e veta.

Rasti 6 –  Hotel luksoz dhe me 5 yje në Tiranë. Pothuajse i gjithe hoteli është bosh. Stafi i kualifikuar me paga mbi mesataren e tregut, do të paguhet por investitoret jane shprehur që nëse situata vazhdon do të nevojitet të marrin kredi për pagat e muajit pasardhës.

Të tillë shembuj janë me dhjetra, mjafton të shikosh bilancin që 25 milion euro është humbja ditore në Shqipëri, për shkak të mosfunksionimit të asnjë biznesi. Prandaj, një si në librin e Remarkut, mos e lini Shqipërinë në errësirë

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.