Dhjetëra punëtorë të shqetësuar të një fasonerie në Tiranë kanë lënë vendet e punës dhe kanë dalë jashtë ambienteve të ndërtesës të frikësuar nga infektimi me koronavirus.
Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme në fabrikën prodhimit të këpucëve “Albaco shoes”, në kilometrin e pestë në autostradën Tiranë-Durrës. sipas burimeve të gazetës “Shqip”, punonjësit i ka kapur paniku, pasi një nga anëtarët e stafit të fabrikës, një italian, pati probleme shëndetësore dhe u morr me ambulancë dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Për shkak të shqetësimit të punonjësve, aty shkoi policia. Ndërsa drejtuesit e fabrikës nuk lejuan punonjësit që të dilnin jashtë.
Nga ana e tyre, punonjësit kërkojnë që të pezullohet puna dhe ata të marrin dy javë pushim, ndërsa shqetësimi është i madh nga infektimi nga sëmundja.
Përhapja e koronavirusit pritet që të shkaktojë një dëm ekonomik sipas ekspertëve, ndërsa qeveria ka nisur aplikimin e masave në mënyrë që të pengojë përhapjen e sëmundjes.
Ndërkohë që më herët është ngritur problemi për punëtorët në masoneri dhe në call-center-a, të cilët punojnë në ambiente të mbyllura në një numër t madh, e mund të infektohen më lehtë, krahasuar me punonjësit në profesione të tjera.