Muzika shqiptare ka humbur sot një nga zërat e saj më të bukur. Këngëtarja e njohur Nexhmije Pagarusha ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.


Pagarusha ka lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë afër Malishevës. Shpesh e quajtur si “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”, artistja është bërë e njohur si këngëtare në Shqipëri dhe vendet fqinje për vokalin e saj të veçantë prej sopranoje, shkruan “Gazeta Express”.


Pagarusha ka përfunduar tre vjet të shkollës së muzikës në Beograd, për këndim solo dhe ka filluar karrierën e saj si këngëtare në vitin 1948 në Radio Prishtina.


Karriera e saj muzikore zgjati për 40 vjet, falë kontrastit në zhanret e muzikës që ka performuar, duke kënduar muzikë folklorike në mënyrë perfekte, e njësoj edhe atë klasike, sidomos opera.


Nexhmije Pagarusha nga admiruesit dhe kritikët e muzikës quhet edhe ‘Bilbili i Kosovës’, ‘Mbretëreshë e Muzikës Shqipe’ e ‘Zonja Flutur’.


Derisa në Kosovë e mori titullin “Këngëtarja e Shekullit”, ajo kishte popullaritet dhe në vendet e ndryshme Evropiane, ku mbante edhe koncerte sidomos me ansamblin e njohur “Shota”, në vendet si Maqedoni, Bosnjë, Bullgari e madje edhe në Izrael.


Kënga e saj më e njohur është “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj, Rexho Mulliqi me tekst të Rifat Kukaj. Me këtë këngë ajo performoi në shumë festivali dhe fitoi shumë çmime.


Këngëtarja e përfundoi karrierën e saj muzikore në vitin 1984, me një koncert të madh në Sarajevë.


Disa nga këngët e saj më të njohura janë “Ani mori nuse”, “Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”.