Në gjithë këto kohë, duhet thënë që opozita politike në vend është vënë jo pak herë në pikëpyetje përsa i përket veprimeve të saj që ka ndërmarrë, që janë cilësuar edhe si "veprime radikale".

Veprime të cilat do të nxirrnin opozitën e bashkuar nga parlamenti, dhe do ta bënin atë të vendoste mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore të qershorit.

Ishin pikërisht këto vendime që do t’a nxirrnin thuajse tërësisht nga sistemi politik opozitën, dhe e vetmja hapësirë që do të kishte tashmë ishin protestat.

Për Ramën dhe qeverinë e tij largimi i opozitës nga parlamenti ishte një çlirim mjaft i çmuar. Çlirim ky që duhet thënë do të zgjaste vetëm pak ditë.

Kjo sepse në skenë tashmë do të ngjitej Ilir Meta, jo më si kryetar i LSI-së, por si President i Republikës që do të shndërrohej shpejt në pengesën më të madhe për arritjen e qëllimeve politike të Edi Ramës.

"Lufta" që tashmë Meta i kishte hapur Edi Ramës, dukej se nuk kishte vend për diplomaci e as për sjellje të kulluara prej burri shteti. Presidenti do të kthente pas për shqyrtim çdo ligj që i sillte mazhoranca për dekretim, duke qenë në unison kështu edhe me një pjesë të madhe të opinionit publik në vend që disa prej ligjeve të Ramës i kishin cilësuar edhe si antikushtetuese.

Përmendim këtu kthimin e "Ligjit Antishpifje", mosdekretimin e antarëve të Gjykatës Kushtetuese apo edhe disa akte të tjera për të cilat Meta pretendonte se mazhorancë e majtë po shkel kushtetutën.

Jo vetëm këto lëvizje juridike që herë ishin të konsultuara edhe me ekspertë të fushës e faktorin ndërkombëtar, por Meta nuk do të rezervohej as me qëndrimet politike kundër qeverisë duke marrë kështu fiks rolin e opozitës në betejën për të ndaluar veprimet e qeverisë, që sipas Metës po e çojnë vendin drejt një diktaturë të re.

Me të gjitha këto veprime, tashmë shumica absolute e mbështetësve të LSI-së, dhe një pjesë e konsiderueshme e mbështetësve të Partisë Demokratike i kanë sytë nga Ilir Meta, dhe e shohin atë si të vetmin lider që mund të pengojë e të ndalojë kryeministrin Rama.

Nuk e dimë nëse kjo është një lëvizje e qëllimtë e Metës për të marrë atributet kryesore të opozitës, ama e sigurtë është që duke shfrytëzuar terrenin e zbrazët të opozotës Ilir Meta po kthehet në aktorin kryesor antagonist të Edi Ramës.