Sa herë diçka nuk shkon dhe po sa herë shteti dhe insitucionet e tij dështojnë që të kenë rezultate në një fushë të caktuar, atëherë rikthehet teza e gjithëhershme "problem është ligji".

Kjo ndodh thuajse gjithmonë, aq herë sa është e nevojshme për të hequr përgjigjësinë nga vetja një titullar apo në drejtues i caktuar insitucioni.

Kur shtohet numri i vrasjeve apo aksidenteve, në vend që të ketë një analizë dhe më pas një strategji sesi ky problem mund të zgjidhet veprimi i parë që ndërmerret është ndryshimi apo amendimi i ligjit.

Legjislacioni ynë në fuqi është thuajse në pjesën më të madhe i përafruar me atë të Bashkimit Evropian, apo siç ndryshe njihet "Asquis Communautaire".

Një proces ky që i detyron shtetet që synojnë të integrohen në BE të punojnë teknikisht me përafrimin e legjislacionit. Duhet thënë që vendi ynë ka bërë progres në këtë aspekt, por as ky progres nuk ka mundur dot që të zhbëjë mentalitetin e drejtuesve të djeshëm e të sotëm, ku sipas tyre të gjitha problemet zgjidhen duke ndryshuar herë pas here ligjin.

Në vendet me demokraci të konsoliduar ndryshimi i aktit më të lartë të shtetit, pra Kushtetuta ndryshohet ose amendohet një herë në disa dekada, por në vendin tonë kjo është bërë tashmë thuajse një procedurë e zakonshme.

Pa studime të mirëfillta juridike, sociale apo teknike, por mjafton një dakordësi politike midis partive dhe kushtetuta mund të ndryshojë edhe brenda ditës. Kjo ndodh pastaj edhe me ligjet, kodet dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore.

Mjafton të shohësh se sa herë flitet për uljen e kriminalitetit veprimi i parë që ndërmerret është ndryshimi i Kodit Penal, me idenë se forcimi i sanksioneve e ul shkallën e kriminalitetit. Por në fakt anjëherë nuk ndodh kështu. Kjo duhet të jetë hallka e fundit që duhet të ndryshojë.

Pra mesa duket ndryshimi i ligjeve nuk mjafton për të forcuar bazat e një shteti, por më shumë se kaq duhet ndryshuar mentaliteti i drejtuesve të shtetit.