Lulzim Basha është nga politikanët tipikë të llojit të vet që thuajse asnjëherë nuk i është dashur të garojë për të fituar një pozicion, apo për t’u ngjitur lart në një post me rëndësi politike.

Edhe pse pra nuk u sprovua me garat reale as jashtë e as brenda partisë së vet, provat e mëdha për Bashën do të nisnin pas ardhjes në krye të PD-së.

I gjendur në opozitë me Edi Ramën kryeministër i dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 tashmë "beteja" e Lulzim Bashës ishte forcimi i PD-së dhe mundja e Edi Ramës.

Beteja këto që pas 7 vitesh në krye të Partisë Demokratike, duket se nuk e kanë nxjerr dhe aq produktiv Lulzim Bashën.

Ngjarjet më të rëndësishme që kanë shenjuar karrierën politike të pas zgjedhjes së tij në krye të PD-së janë: tentative për reformimin e PD-së që përfundoi me largimin nga kjo parti të shumë figurave të rëndësishme, izolimi në "çadrën e lirisë", marrëveshja e 17 majit me Ramën, djegia e mandateve dhe dalja nga parlamenti, e në fund edhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të qershorit.

Pasi mbajti me javë të tëra qindra demokratë në çadër dhe pasi i "frymëzoi" çdo ditë me shpresën e krijimit të një "republike të re", Basha ashtu siç nuk pritej u ul në tryezë me Ramën në një marrëveshje krejt sekrete e të pazbardhur duke tkurrur kështu prithmëritë e mijëra demokratëve që donin një luftë dhe jo një mërrëveshje me Ramën.

Pasi koha nuk i dha dhe aq të drejtë Bashës për marrëveshjen me Ramën, dhe pasi humbi zgjedhjet e vitit 2017, ai u premtoi demokratëve se kurrë më nuk do të kishte një marrëveshje me Edi Ramën. Tashmë dukej se Basha e kishte zgjedhur rrugën e tij. Rruga e tij tashmë ishin protestat.

Nën emrin e "opozitës së bashkuar" së bashku me LSI-në dhe aletatë e tjerë tradicionalë, Basha dogji mandatet dhe u largua nga parlamenti për t’ju drejtuar rrugës së protestave, me qëllim largimin e qeverisë.

Protestat vazhduan për disa muaj me rradhë, por pa një rezultat konkret sepse Basha ishte i vendosur ta "rrëzonte" Ramën me dialog, dhe jo me forcë siç pjesa më e madhe e demokratëve në fakt donin.

Teksa zgjedhjet vendore po afronin, Basha kishte lëshuar goxha pe nga retorika e tij politike për rrëzimin e Ramës, ama dukej se nuk e kishte në plan të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve me Edi Ramën kryeministër. Kjo pasi edhe përgjimet e publikuara të tabloidid të njohur gjerman, BILD, e kishin përforcuar edhe më shumë kërkesën e tij.

Një kërkesë duhet thënë që vazhdonte të zbehej e të harrohej sa më shumë afronte data e zgjedhjeve. Derisa jo vetëm që nuk i pengoi zgjedhjet, por e vetmja gjë që bëri ishte mospjesëmarrja dhe defaktorizimi i tij dhe i opozitës në tërësi.

Tashmë terreni ishte i lirë për Ramën, dhe për opzoitën ishte e lirë vetëm foltorja e partisë dhe deklaratat në facebook.

"Premtimi" i Bashës që nuk do të kishte më marrëveshje me Edi Ramën dhe ata që kanë vjedhur vota, nisur nga publikimi i përgjimeve të BILD, dukej se do të binte poshtë sërish.

Këtë herë kur e pa se opozita po lihej tërësisht jashtë sistemit dhe po rrezikonte ekzistencën e saj kërkonte me ngulm që opozita dhe PD të ishte në një tryezë marrëveshje me Ramën për reformën zgjedhore.

Dhe në fakt kështu ndodhi. Basha u tërhoq sërish dhe sot të gjitha palët janë sërish në tryezë për një marrëveshje tjetër.

Veçse ka një ndryshim nga koha e 17 majit të vitit 2017. Tashmë sillet nëpër qytete me qese domatesh në duar, duke harruar se edhe qeset plastike kanë dalë nga përdorimi prej kohësh, madje me ligj.

Tek thuajse nuk i ka ngelur më gjë në dorë për të vendosur fatet politike, urojmë që të paktën të mos tërhiqet nga ndihma për të shoqëruar nëpër pazare gratë pensioniste.

Për të mos bërë kështu të njëjtin gabim që ka bërë disa herë duke braktisur betejat e tij, që i ka lënë në "fatin" e duarve të Ramës.