Këtë të martë në Gjykatën e Tiranës pritet të mbahet seanca paraprake ndaj shtetasit iranian Mahdi Hasani 42 vjeç, i arrestuar gati pesë muaj më parë në Shqipëri. Por prangosja e tij u mbajt sekret për shkak të një sërë dyshimesh për të cilat antiterrori dhe prokuroria kanë kryer veprime hetimore.

Mahdi Hasani u pa për një kohë të gjatë i dyshimtë nga autoritetet shqiptare përsa kohë atij iu gjet me vete një aparat celular. Ekspertët e kriminalistikës kanë tentuar ta ç’kodojnë dhe ta hapin aparatin celular, në mënyrë që të konstatojnë dhe të gjejnë gjurmë domethënëse në funksion të hetimeve.

Por diçka e tillë ka rezultuar e pamundur, përsa kohë telefoni i Mehdi Hasanit me profesion inxhinier nuk ka mundur të çkodohet.  Gjatë pesë muajve Antiterrori ka tentuar të sigurojë informacione shtesë për 42- vjeçarin, ndërkohë që Prokuroria e Tiranës është e bindur tashmë se në mungesë të provave dhe të indicieve që do hidhnin dyshime ai duhet të gjykohet vetëm për veprën e falsifikimit të dokumenteve.

Mahdi Hasani u kap teksa tentoi të kalojë përmes Aeroportit të Rinasit me një pasaportë me gjeneralitet e vjedhura të një shtetasi francez. Në këtë pasaportë inxhinieri iranian kishte vendosur identitetin e shtetasit francez Martin Mark David duke zëvendësuar fotografinë me të dhënat e tij. Gjatë kësaj kohe drejtësia ka tentuar që ta bindë Mahdi Hasanin që të flasë.

Por ai ka thënë vetëm dy fjali "jam i penduar dhe do flas në një moment  tjetër". Por heshtja e tij po zgjat që prej muajit tetor 2019 dhe për këtë shkak prokurorët sugjerojnë se është gjykata që duhet të vendosë, nëse duhet apo jo të vazhdojnë më tej hetimet, apo Mahdi Hasan të përfundojë i pandehur si falsifikator.

Në realitet, antiterrori dhe Policia e Shtetit ka kaluar prej kohësh në gatishmëri, ndërsa ka rritur vigjilencën për çdo qytetar nga vendet e Lindjes së Mesme, që e përdor së paku Shqipërinë si një vend kalimi drejt vendeve të Evropës, së paku ashtu sikurse tentoi të vepronte edhe shtetasi iranian që nga burimet mësohet se synonte Mbretërinë e Bashkuar./Top Channel

[gallery ids="971893,971892,971891,971890,971886,971887,971888,971889,971885"]