Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Mafia e festivalit!

Nga Raimond CIMBI, Producent televiziv

Deri sot, ishim mësuar me fenomenin “trukim ndeshjesh të Kampionatit”. Një gangrenë sociale, ekonomike dhe mbi të gjitha i dënueshëm penalisht. Një fenomen kundër të cilit janë angazhuar struktura Qeveritare, Investigative, Federata, Organizata, Shoqata etj. Fenomeni i “trukimit të ndeshjeve” quhet “mafia e futbollit”.

Sot, pas Festivalit të 58 të Këngës në RTSH, na duhet të mësohemi me fenomenin “trukim çmimesh të Festivalit”, qoftë dhe mbetur në tentativë.

Për të pranuar këtë term të ri, në fakt, nuk ka nevojë të përdoren metoda të specializuara, analitike apo investigative. Ky term u “servir” në mënyrë të pakamufluar, me një kurajo aspak inteligjente por shumë inatçore, nga vetë drejtuesja e Festivalit Alketa Vejsiu.

E zhgënjyer nga rezultati i votimit, Alketa Vejsiu hodhi në rrjetet sociale komentet e saja publike, nga të cilat publiku shqiptar, këngëtarët dhe vetë juria e Festivalit mësuan se drejtuesja e Festivalit ishte parapërgatitur që fituesja e Festivalit të ishte Elvana Gjata.

Reagimi i Alketa Vejsiut, në rastin më të “mirë” është në kuadër të një tifozllëku të saj për këngën që ajo vetë ndoshta pëlqeu. Por duke patur parasysh faktin se ajo nuk ishte një dëgjuese e thjeshtë e Festivalit por vetë drejuesja e tij, nuk mund t`ja lejonte vetes që të shprehte publikisht një tifozllëk të tillë, për arësye të konfliktit të interesit, për arësye profesionale dhe sidomos etike, karshi konkurrentëve të tjerë, të cilët iu përgjigjën thirrjes së Alketës për të qenë pjesë e festivalit të drejtuar prej saj.

Reagimi i Alketa Vejsiut, në rastin më të “keq” është në kuadër të dështimit të trukimit të rezultatit të vlerësimit dhe për pasojë të shpalljes së fituesit të Festivalit.

Siç thashë më lart, shqiptarët mësuan publikisht se drejtuesja e Festivalit ishte përgatitur që fituesja e Festivalit të ishte Elvana Gjata. Sigurisht që për të “përgatitur” një fituese duhet punë, duhet investim, duhen ndërtuar mekanizma. Shkurt, i duhet bërë yzmeti “trukimit”.

Në “trukimin e ndeshjeve të Kampionatit”, mekanizmat ndërtohen në mënyrë të sofistikuar, në konspiracion të plotë, të painterceptueshme nga agjencitë investigative, të pakuptueshme nga publiku i gjerë.

Në “trukimin e çmimit të Festivalit” drejtuesja e Festivalit doli nga binarët duke bërë autogol. “Unë nuk isha juria dhe jurinë s’e zgjodha unë” ankohet Alketa Vejsiu. Natyrshëm lind pyetja: po të ishe ti juria? Dhe po aq natyrshëm vjen përgjigja: Sigurisht fituese Elvana!

Është e padëgjuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht që drejtuesja e Festivalit t`i hakërrehet jurisë së Festivalit që ajo drejton, duke shkelur hapur kompetencat e gjithësecilit.

“Ti erdhe në këtë Festival sepse besove tek vizioni i këtij Festivali! Ti s`kishe nevojë për garë për të konfirmuar atë që je, sepse ti thjesht Je!” vazhdon vajet Alketa, drejtuesja e Festivalit. Sërish lind natyrshëm pyetja: Kush ishte vizioni i këtij Festivali? Dhe sërish vjen natyrshëm përgjigja: Fituesja Elvanë!

Është njësoj sikur arbitri i ndeshjes së trukuar, të cilit i dështon misioni i ngarkuar, të qahet në deklaratat e tij pas ndeshjes se nuk fitoi skuadra që ai donte.

Flagrante dhe naive!

Çfarë do të ndodhte në këtë rast? Arbitri do të fitonte mërine e sportdashësve, do të përjashtohej nga Federata të cilës i përkiste, organet kompetente do të hapnin hetim mbi materialin e servirur nga vetë protagonisti.

Po me Alketën çfarë duhet të ndodhë në këtë rast? Minimalisht nuk i duhet besuar se në eventet që ajo organizon fituesi nuk është i paracaktuar, madje nga vetë ajo!

Ashtu si në rastin e Federatës me “arbitrin paracaktues të fituesit”, RTSH si institucion organizator i Festivalit, duhet të distancohet publikisht nga “drejtues paracaktues të fituesit” për të treguar se nuk është palë në fenomenin e “trukimit të çmimit”. Fenomeni i “trukimit të çmimit” quhet “mafia e Festivalit”!

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore