Plas skandali/ Tender me fondet publike për banderola në greqisht…aktivitet për Kacifas?!

Gazeta Shqip ka siguruar dokumentat ekskluzive të një tenderi të Bashkisë Dropull, që drejtohet nga socialisti Dhimitraq Toli. Nëpërmjet fondeve publike, ky institucion kërkon nga një firmë private, prodhimin e disa banderolave në gjuhën greke, që do të bëhen për një aktivitet në datën 28 tetor.

Kjo datë përkon me 1 vjetorin e vrasjes së Konstantinos Kacifas, një ekstremist grek që kundërshtoi me armë policinë shqiptare. Por në të njëjtën ditë, është edhe festa kombëtare në Greqi, që njihet si “Dita e JO-së”, për shkak të luftës Italo-Greke.

Sido që të jetë, fakt është që po përdoren fondet publike shqiptare, për të prodhuar disa banderola në gjuhën greke, për një festë që nuk është e Shqipërisë. Është e paimagjinueshme që në krahun tjetër, në Greqi, të alokohen fonde për festën e pavarësisë së Shqipërisë apo përkujtimore për çamët.

Duke u kthyer tek tenderi, në dokumentat e depozituara në Agjencinë e Prokurimit Publik, janë edhe specifikimet e tenderit, për mënyrën sesi duhet të jenë banderolat. Sipas kërkesës së kryebashkiakut të Dropullit, banderolat duhet të  jenë me përmasa 6.5 metra e gjatë dhe 70 centimetra të gjera, të gjitha në gjuhën greke.

“Materiali i tyre të jetë prej plastmasi, fondi të jetë i bardhë. Në mes të shkruhen me shkronja kapitale ngjyrë blu e errët. Shkrimi i shkronjave të jetë 30cm dhe hapësira midis tyre të jetë 8-9cm” – thuhet në dokumente.

Aktivitet për luftën apo për Kacifas?!

 Më 28 tetor 2018, rreth 1 vit më parë, në Bularat të Gjirokastrës u vra Konstantinos Kacifas, një ekstremist grek që kundërshtoi me armë policinë shqiptare. Edhe në atë kohë, në Dropull po festohej dita e “JO”-së, ndërsa mediat greke e përcollën këtë lajm si një luftë kundër minitoriteti grek në këtë zonë të Shqipërisë.

Videot nga vendngjarja tregoi qartë se Kacifas kishte një armë të artilerisë së rëndë, ndërkohë që qëllonte pa pushim. Ai u neutralizua nga RENEA, pas shumë negociatash.

Çështja Kacifas krijoi një hije të rëndë mbi marrëdhëniet e komplikuara të dy vendeve.

Në të njëjtën ditë, në Greqi zhvillohet një festë kombëtare, ku shfaqen parada ushtarake me rastin e përvjetorit te fillimit të luftës italo-greke, ne 28 tetor te 1940. Kjo njihet si dita kur kryeministri i asaj kohe Joanis Metaksas, i tha “JO”, ultimatumit te Italisë së Musolinit, për të hyrë pa hasur rezistencë në tokën greke nëpërmjet kufirit shqiptar, gjë që u bë shkak për fillimin e luftës.

Mbetet për tu parë, nëse në datë 28 Tetor, aktiviteti do të jetë për festën kombëtare të Greqisë, apo për vrasjen e ekstremistit grek Kacifas.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.