“Hile presidenciale” me 13 tetorin, si datë për zgjedhjet lokale

Tre ditë përpara zgjedhjeve të 30 qershorit, Presidenti i Republikës gjatë një konference për shtyp bëri publik një dekret të tij, për datën e re të zgjedhjeve lokale. Ai caktoi datën 13 tetor për një proces të tillë, duke këmbëngulur fort se 30 qershori ishte një datë e paligjshme.

Këtu nisi edhe debati më i fortë. Meta i hodhi “benzinë zjarrit”, duke bërë lëmsh dynjanë, çka u tregua edhe me pjesëmarrjen e ulët në 30 qershor, pavarësisht thirrjeve të forta të Ramës për elektoratin e tij, por jo vetëm.

Por, që nga ajo ditë ka kaluar shumë kohë. Meta e pohoi me të madhe edhe më pas, se zgjedhjet do të ishin në 13 tetor. Por kur kanë mbetur edhe 4 ditë asgjë nuk po ndodh.



Duket se kjo ka qenë një hile nga ato që në qarqet politike njihet mirë. As opozita nuk ishte entuziaste për një datë të tillë, pavarësisht disa tentativave nga Basha dhe Kryemadhi, ose më saktë deklaratave të rrëmujshme të tyre lidhur me këtë.

Madje u krijua ideja, se Basha do të niste fushatën, teksa ndërmori disa takime me bazën e Partisë Demokratike në disa zona të vendit. Por, edhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve “e vulosi” faktin që 13 tetori ishte një datë sa për të “kaluar radhën”.

Shumë anëtarë të KQZ e konsideruan dekretin e Metës, si një procedurë në respekt të Kushtetutës, njëkohësisht edhe duke e shkelur atë. Pra, ka dy qëndrime.

Nga njëra anë Presidenti me dekretin e tij, si të drejtë kushtetuese dhe nga ana tjetër mungesa e një vendimi nga Kushtetuesja për të vënë “pikat mbi i”, nëse ishte apo jo i ligjshëm zhdekretimi i 30 qershorit.

Ka qenë pikërisht ky lëmsh ligjor, që e la në harresë dekretin e Presidentit për 13 tetorin. Mosbotimi i këtij dekreti në Fletoren Zyrtare ka qenë edhe një tjetër arsye që bllokoi fort datën e “dëshiruar-dekretuar” të Presidentit Ilir Meta.

As Basha dhe as Kryemadhi nuk e përmendin më këtë datë, duke u “pajtuar” përfundimisht me atë çfarë ndodhi dhe në kërkim të një marrëveshjeje mes palëve për një datë të re zgjedhjesh lokale e parlamentare.

Kalkulime analistësh, por edhe zëra në radhët e politikës thonë se kjo mund të ndodhë në mesin e vitit tjetër, duke bërë nga një lëshim të dyja palët. Rama “heq dorë” nga një vit më shumë në pushtet (sepse në 2021 janë zgjedhjet e përgjithshme) dhe opozita afron me një vit zgjedhjet e parakohshme sikurse e ka kërkuar që në momentin e parë kur mori vendimin ekstrem për djegin e mandateve.

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.