Qeveria shpenzon 60 mijë euro nga buxheti i shtetit, për video sensibilizuese 3D (Dokumentat)

Kryeministri Edi Rama, ministrat dhe drejtorët pranë tij janë sulmuar shpesh për shpenzime të paarsyetuara, ku një pjesë e fondeve shkojnë për projekte 2D dhe 3D. Projekte të tilla, vijojnë të bëhen me fondet publike, ku herë janë për sensibilizim dhe ndonjëherë përdoren për të marketuar sukseset e institucioneve.

Gazeta Shqip ka bërë një hulumtim të disa dokumenteve, të dala nga Drejtoria e Transportit Rrugor, e cila po realizon një tender me një fond prej 60 mijë eurosh. Objekti i këtij tenderi është “shërbim me video, animacione dhe promo” dhe burimi i financimit janë të ardhurat e brendshme të institucionit. Mësohet se kompania që do të fitojë,  do të mbulojë aktivitetet e entit, për 12 muaj.



Sipas dokumenteve që disponon Gazeta Shqip, që mbajnë firmën e drejtorit të institucionit Blendi Gonxhe, rezulton se kërkohet që të xhirohet me kamera, dron dhe pajisje të teknologjisë së fundit.

“Xhirimet do të jenë në terren gjatë eventit nga një operator i specializuar dhe montazhi i materialeve bruto nga një specialist i fushës. Xhirimet duhet të bëhen në rezolucionin maksimal të mundshëm, që aktualisht është 4K, dhe cilësinë më të mirë në treg” – thuhet në këto dokumente, ku kërkohet që video të ketë karakter dokumentar dhe të ketë titra, tabela etj.

Pjesë e paketës janë edhe video të shkurtra për përdorim në rrjete sociale, maksimalisht 1 minutë, sipas parametrave të Instagram, Facebook etj.

Gjithashtu, ky institucion kërkon edhe shërbim fotografik dhe të gjitha fotot bruto duhet të kalojnë në një proces postproduksioni.

“Një numër prej minimalisht 200 fotografi të punuara duhet të garantohen për çdo event” – thuhet në këto dokumente. Më tej vijon se kërkohet edhe kamera për xhirim dhe dron. Dokumentet vijojnë se kërkohet shërbime grafike 2D dhe 3D si dhe kërkohet video animacione me karakter kryesisht edukues dhe sensibilizues për problematika të ndryshme. Të ngjashme me filmat vizatimorë, përcjellja e një mesazhi referuar publikut.

Tenderi përfshin një seri eventesh, të cilat do të mbahen në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Gazeta Shqip ka kontaktuar disa studio xhirimi, grafike dhe post-produksioni, për të pyetur rreth çmimit të të ofertës, të vendosur nga Drejtoria e Transportit Rrugor për realizimin e këtij dokumentari. Sipas studiove, të gjitha këto shërbime të kërkuara, foto, video 3D, grafikë 2D, post-produksion etj, mund të realizohen brenda një buxheti shumëherë më të vogël sesa tenderi i përcaktuar nga DPSHTRR.

Mbi të gjitha, buxheti i brishtë i shtetit, mund të përdoret për shërbime të tjera, dhe jo për video 3D.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.