Rrëzimi i kullave në 2001, ja si u detyruan Meta dhe Nano të shtyjnë dekretimin e qeverisë (Video)


Rrëzimi i 2 kullave në 11 shtator 2001, në New York, ishte padyshim një ngjarje e rëndë që preku jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por trazoi edhe zhvillimet politike në Europë e deri në vendin tonë.

Ishte pikërisht kjo tragjedi që ndodhi në orën 09:00 lokale dhe në Shqipëri 15:00 me orën lokale, që detyroi shtyrjen dhe dekretimin e qeverisë.

Në atë ditë, rreth orës 17:00, parlamenti i Shqipërisë ishte mbledhur pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2001, dhe pas një seance maratonë, do të kryhej edhe betimi i qeverisë së drejtuar nga Ilir Meta.

Por që në nisje të seancës, Kryetari i Kuvendit të asaj kohe, Namik Dokle, do të njoftonte shtyrjen, për shkak të sulmit terrorist ndaj dy kullave binjake në New York, ku u vranë rreth 3 mijë persona.
Me zë të dridhur, Dokle u kërkoi kolegëve të parlamantit, që të ndiqnin zhvillimet rreth sulmit terrorist në SHBA, afro 2 orë pasi ishin rrëzuar dy kullat.

Unë dua të shpreh dënimin më të fortë, kundër këtyre veprimeve banditeske. Njëkohësisht dua të shpreh solidaritetin e fuqishëm e Kuvendit të Shqipërisë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një solidaritet që buron nga miqësia e popullit shqiptar me popullin e Amerikës, është një solidaritet që buron nga admirimi i popullit shqiptar për qeverinë amerikane. Duke shprehur këtë solidaritet, mendoj që seancën ta nderpresim, në mënyrë që anëtarët e kuvendit të ndjekin zhvillimet e kësaj ngjarje të rëndë.”- u shpreh kryetari i Kuvendit të asaj kohe, Namik Dokle.

Pak minuta pas shpërndarjes së parlamentit, kryeministri ende i padekretuar, Ilir Meta, pas një konsultimi me kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, njoftoi arsyen e shtyrjes së seancës parlamentare, ndërsa shprehte ngushëllimin për tragjedinë që po ndodhte.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, dënon me ashpërsinë më të madhe, sulmin terrorist të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë ditë, qeveria jonë rreshtohet pa rezerva përkrahë popullit dhe qeverisë amerikane. Në emër të qeverisë së Shqipërisë, i shpreh Presidentit Bush, ngushëllimet për viktimat e këtij sulmi terrorist. Ky sulm nuk drejtohet vetëm kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe kundër paqes në botë. Aktorët e këtyre akteve do të ndëshkohen rëndë“ – shprehej në 11 shtator 2001, Ilir Meta.

Deputetët që u shpërndanë, u mblodhën pranë Sheshit “Nënë Tereza” për të dezur qirinj për 3000 viktimat e dy kullave tregtare të New Jork.

Parlamenti për dekretimin e qeverisë së re, u mblodh rreth 5 ditë më pas, në 16 shtator të vitit 2001.

©Copyright Gazeta SHQIP

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.