Surprizat e hidhura të Reformës në Drejtësi dhe disa pikëpyetje për Vettingun

Nga Endrit HABILAJ

Reforma në Drejtësi është konsideruar si një prej sipërmarrjeve më të rëndësishme të politikës shqiptare gjatë viteve të fundit, zbatimi i së cilës, vlerësohet si thelbësor për integrimin në Bashkimin Evropian. Por, pas votimit të ndryshimeve kushtetuese me votën unanime të Parlamentit mesnatën mes 21 dhe 22 Korrikut të vitit 2016, procesi vijues është braktisur nga opozita dhe problematikat kanë qenë nga më të ndryshmet. Nga vonesat në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, tek shpërbërja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Edhe pse perceptimi i publikut por edhe politikës ishte i qartë për nivelin dhe shtrirjen e lartë të korrupsionit në të gjithë sistemin e drejtësisë, hartuesit e reformës, nuk parashikuan një mekanizëm të shpejtë zhbllokues. Plotësimi i trupës së Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë mbeti peng i ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Por, as ngritja e këtyre institucioneve që tashmë kanë nisur nga puna nuk e ka zhbllokuar situatën.





Sot, vendi po kalon një krizë të thellë politike që ka marrë përmasa të reja me vendimin e Presidentit që të anulojë Qershorin si datë për garën elektorale. Çdekretimi I datës së zgjedhjeve pa caktuar një të re është një rast i paprecedentë në demokraci, por, vendimi i kreut të shtetit nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e cila ka mbetur sot me vetëm një anëtar.

Kryetari Bashkim Dedja, pasi konfirmimit në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i paelimit. Po ashtu, anëtarët e tjerë, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari janë shkarkuar nga detyra nga Vettingu. Gjyqtari tjetër Besnik Imeraj u dorëhoq përpara se të niste procesi i Vettingut.

Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, procesi i Vettingut ka shkarkuar nga detyra 52 gjyqtarë dhe prokurorë nga Shkurti i vitit 2018 deri në Prill të vitit 2019. Për 56 raste është vendosur rikonfirmimi në detyrë ndërsa në 10 raste është ndërprerë pocesi pasi subjektet e rivlerësimit janë dorëhequr nga detyra. I gjithë ky proces, ka nxjerrë zbuluar edhe institucionet e tjera ndihmëse.

Bie në sy një statistikë interesante. Në raportet e dorëzuara në komisionet e Vettingut, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit i cilëson “të pastër” 14 prej gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar. Por, verifikimet e KPK vërtetuan të kundërtën çka ishte dhe shkak për largimin e këtyre magjistratëve. ILDKPKI, ose nuk kishte bërë verifikimet e duhuara, ose në rastin më të keq i kishte favorizuar. Pavarësisht problematikave të konstatuara nga ky institucion, fakt është që askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për shpërdorimin e detyrës.

Me dyshim është parë edhe roli i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Në të paktën 6 raste, kjo strukturë i ka cilësuar 6 gjyqtarë he prokurorë të papërshtatshëm për vijimin e detyrës pasi kanë problem me pastërtinë e figurës. Por, KPK ka arritur në konkluzion të ndryshëm. Pyetja që ka ngelur pa përgjigje për këto raste është se kush prej institucioneve ka pasur të drejtë, në mungesë të një analize nga një strukturë e tretë…?

Në disa raste, KPK ka kërkuar analiza shtesë për subjektet e rivlerësimit nga institucionet ndihmëse si DSIK dhe ILDKPKI. Janë konstatuar raste kur pas këtyre kërkesave, këto struktura kanë ndryshuar qëndrimin në raportet e reja lidhur me pastërtinë e figurës së subjektit të rivlerësimit.

Një çështje që ka ngritur pikpyetje mbi procesin e vettingut është dhënia e një pjese të vendimeve pa shqyrtuar tri shtyllat e vettingut: pasuria, aftësitë profesionale dhe integriteti i magjistratit. Nga 108 raste, në 10 prej tyre vlerësimi për gjyqtarët e prokurorët është bërë për 2 kritere nga 3, ndërsa në 16 raste është bërë vetëm për një kriter, atë të pasurisë. Në fakt, mjafton që gjyqtari apo prokurori të ngelë në një prej tyre dhe ai shkarkohet nga detyra. Por, ndryshimet ligjore të vitit 2016, parashikojnë që vlerësimi duhet bërë në të tre kriteret. Por, është e paqartë në përcaktimin nëse duhet ndalur procesi i rivlerësimit në dy shtylla nëse subjekti ngel në njërën prej tyre.

Vijojmë më tej me disa çështje të tjera.

Një problem që mund të krijojë shkarkimi i magjistratëve vetëm me një kriter është zvarritja e procesit. Nëse marrim një situatë hipotetike kur subjekti i rivlerësimit është shkarkuar për shkak të pasurisë së pajustifikuar. Po në rast se Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzon vendimin e KPK? Në këtë situatë, procesi do të duhej të niste edhe njëherë nga fillimi për subjektin në fjalë.

Kjo metodë operimi nga ana e KPK është parë si vlerësim me dy standarte. Për hir të së vërtetës, në fakt ky lloj operimi ka qenë prezent gjatë procesit të Vettingut. Për ta ilustruar këtë, le të ndalemi ny raste konkrete.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Në verifikimet e bëra, KPK evidentoi disa probleme në deklarimin e pasurisë së Zaganjorit. Në formularin “vetting”, Zaganjori deklaroi disa pasuri që nuk i kishte deklaruar më herët pranë ILDKPKI. Për një apartament me sipërfaqe 293 metra katrorë, Zaganjori kishte deklaruar disa herë vlera të ndryshme. Për llogari të Vettingut, ai kishte deklaruar një vlerë prej 5.8 milionë lekësh ndërkohë në vitin 2003, vlera ishte deklaruar 7.4 milion lekë. Por, në një kontratë shit-blerje të vitit 2001, vlera shkonte në 500 mijë lekë.

KPK, konstatoi edhe disa kontrata qiraje nga të cilat Zaganjori kishte përfituar. Këto kontrata, ai i përdori për të justifikuar një pjesë të pasurisë, por problem ishte se kontratat në fjalë nuk ishin noteriale, çka tregon se në këtë rast ka shmangur taksat. Por, KPK argumentoi në fund se pasaktasitë në dekalrimin e pasurise dhe boshllëqet ligjore për kontratat e qirasë nuk mund të jenë shkak për shkarkimin e Zaganjorit.

Në raste të tjera, është argumentuar se “të ardhura të ligjshme janë ato që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar taksa”. Shkelje të ngjashme u konstatuan edhe për ish-kreun e Gjykatës së Përmetit Pashk Gjaci, i cili u shkarkua nga detyra. Njëlloj si Zaganjori, ai kishte pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e vlerës së një prone. Ai kishte deklaruar një godinë 3-katëshe me sipërfaqe ndërtimi 192 metër katrorë, dhe 500 metër truall. Në vitin 2011, kur u regjistrua në ZVRPP u deklarua vlera prej 11.5 milionë lekësh, ndërsa 1 vit më pas ajo u çmua dyfish, 25.2 milionë lekë. Po ashtu, sipërfaqja e ndërtimit ishte deklaruar 140 metër. Kjo pasaktësi dhe ndryshimi i vlerës i kushtoi ish-kreut të Gjykatës së Përmetit, por për shkelje të ngjashme, kreu i Gjykatës së Lartë ia hodhi.

I gjithë procesi i Vettingut, është shoqëruar me qindra denoncime nga ana e qytetarëve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Rreth 750 denoncime janë regjistruar gjatë vitit 2018 në organet e Vettingut. Në një rast konkret, denoncimi I një qytetari ndihmoi KPK të evidentojë pasuri të pajustifikuara për gjyqtaren Entela Prifti. Bëhej fjalë për 4 apartamente në Tiranë. Por, a vlerësohen përherë me të njëjtin standard këto informacione?!

Është fakt se qytetarët në asnjë rast nuk kanë marrë përgjigje lidhur me denoncimet e bëra, nëse janë trajtuar apo nëse nevojiten informacione shtesë plotësuese. Në disa seanca dëgjimore, relatori i çështjes ka përmendur edhe denoncimet e qytetarëve, por është e paqartë nëse këto denoncime janë përfshirë në dosje dhe është kryer analiza e të dhënave të paraqitura.

Gazeta SHQIP





Comments are closed.