Atentati në Vlorë, biznemeni është vëllai i ish-drejtoreshës së Hipotekës

Krimi nuk i largohet Vlorës. Kjo u provua dje, teksa rreth orës 16:35, në dalje të rrugës Transballkanike, në një zonë me kalimtarë të shumtë, një mjet tip “Benz” me drejtues 48-vjeçarin Agron Alushi shpërtheu në ecje.

Sipas policisë, Alushi ishte objektivi i një atentati me minë të telekomanduar, ndërsa 48-vjeçari fatmirësisht është ende gjallë.

Por ai ka dëmtime në të gjithë trupin, e më të rënda në dy gjymtyrët e poshtme.



Pasi mori ndihmën e parë në sallën e reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë, Alushi është transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë, rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm dhe gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë.

Policia po vijon hetimet për këtë ngjarje dhe detaje të reja janë zbardhur rreth dinamikës së atentatit. Shpërthimi ka në momentin kur biznesmeni sapo kishte hipur në makinën e tij, ndërsa më parë e kishte lënë automjetin për ta larë në një lavazh.

Menjëherë pasi pagoi lekët, Alushi ka hipur në “Benz” për t’u larguar dhe aty ka ndodhur shpërthimi, ndaj Policia dyshon se vendosja e tritolit është kryer në momentin që ai ka lënë automjetin në lavazh për ta larë.

Duke qenë se dëmtimet më të mëdha i ka marrë vetë Alushi, policia dyshon se lënda eksplozive ishte vendosur brenda automjetit të biznesmenit. Edhe këqyrja e automjetit dëshmon se janë të vogla dëmtimet në pjesën e jashtme të tij, pasi shpërthimi ka ndodhur në kabinën e makinës.

Por kush është Agron Alushi?

Në Vlorë ai njihet si një biznesmen. Alushi zotëron një biznes që operon në sektorin e ndërtimit dhe njëkohësisht është pronari i një guroreje në Drashovic.

Por mediat kanë zbuluar se 48-vjeçari është dhe vëllai i ish-drejtoreshës së Hipotekës së Vlorës, Loreta Alushi Tozaj, e cila u bë e njohur për një foto të postuar nga kryeministri Edi Rama dhe që u komentua gjatë në rrjet.

“Kemi qenë në një drekë me rastin e 8 marsit, vitin e kaluar, me gratë socialiste të qytetit të Vlorës. Atë ditë në Vlorë ka qenë dhe Kryeministri Edi Rama , i cili erdhi në drekën tonë dhe qëndroi me ne për këtë festë”, u shpreh ish-drejtoresha Alushi asokohe për foton.

24 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.