“Realizmi Socialist Shqiptar”, tashmë mund të shihet në një katalog, botim i bazuar në veprat që ruhen në fondin e GKA, por jo vetëm. Botimi është një bashkëpunim me studiuesin Ermir Hoxha i cili është autor i teksteve me Galerinë Kombëtare të Arteve.


“Realizmi Socialist Shqiptar” është një këndvështrim studimor dhe analitik  mbi këtë  fenomen të artit figurativ shqiptar. Katalogu është i pari i cili përshin një spektër kaq të gjerë të veprave të realizuara në periudhën   1945 -1990. “Ky katalog është shumë i rëndësishëm për Galerinë Kombëtare pasi dokumenton memorion dhe vlerat që mbart e ruan ky institucion. Ndryshe nga ekspozitat, të cilat janë të përkohshme, katalogët mbeten dhe mund të shfrytëzohen nga kushdo vazhdimisht”, u shpreh Drejtori I Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani gjatë prezantimit të këtij katalogu. I pranishëm në prezantim piktori Gazmend Leka, njëkohësisht edhe recensues shkencor i katalogut e vlerësoi botimin e katalogut të vlefshëm jo vetëm për artistët, por edhe studentët. “Është një katalog serioz dhe i plotë dhe vjen si një vlerë e shtuar në të gjitha botimet kushtuar artit figurativ në Shqipëri. E përgëzoj Ermirin për punën e bërë. Nuk mendoj se është shterues dhe kjo është e mira e artit, pasi më herët kanë shkruar, mund të vazhdojnë të shkruajnë. Ky është terren i cili është shumë i rëndësishëm për të gjithë artistët, por më vjen mirë që do të mund ta shfrytëzojnë edhe studentët e arteve pamore”, tha Leka. Për Ermir Hoxhën kjo është një punë me vlera dokumentuese. “U mendua  që në fillim që katalogu të botohej me një tekst të gjatë studimor dhe të bazuar vetëm në imazhe. Unë doja që studimi të ishte pjesa e parë dhe e rëndësishme e botimit, ai që do të shpjegonte fenomenin dhe që merr përsipër të tregojë formatin shqiptar të një fenomeni ndërkombëtar. Jam shumë i lumtur që jeni sot këtu dhe falënderoj të gjithë ata që bashkëpunuan për këtë katalog”, tha Hoxha. Botimi me 256 faqe përfshin 315 imazhe të veprave të 151 artistëve. Ky katalog është i rëndësishëm për periudhën në të cilën është zhvilluar ky art, i ndërtuar mbi analizën e disa prej mediumeve më të përdorura ku ai u përqendrua dhe synon të hedh dritë për të kuptuar më mirë një nga periudhat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Në katër vitet e fundit GKA ka botuar rreth 25 katalog kushtuar ekspozitave dhe autorëve.


17 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)