Kili është finalistja e parë e Kupës së Konfederatave pasi ka eliminuar mbrëmjen e sotme Portugalinë e Cristiano Ronaldo-s. Ka qenë një rezultat i drejtë pas dominimit të shfaqur nga “La Roja” gjatë kohës së rregullt dhe asaj shtesë, ku goli nuk ka ardhur vetëm për shkak të fatit të keq dhe pritjeve të Rui Patricio.


Ndërkohë, kjo ndeshje ka qenë një revansh për portierin e City, Claudio Bravo, i cili është kritikuar shumë sezonin e kaluar.


Gjashtë minuta lojë i kanë mjaftuar amerikanojugorëve për të vënë në vështirësi mbrojtjen portugeze. Eduardo Vargas ka marrë një top brenda zonës së rreptësisë dhe kë goditur menjëherë portën, por gjuajtja e tij është ndalur nga një pritje e jashtëzakonshme nga Rui Patricio.


Dy minuta më vonë ka qenë radha e Caludio Bravo t’i mohojë një gol pothuajse të sigurt sulmuesit të Milan, Andre Silva. Rasti i fundit i rrezikshëm i pjesës së parë është krijuar nga kilianët, të cilët kanë shkuar afër golit me Aranguiz. Koha e rregullt është mbyllur në barazim 0-0, ndërsa në 15 minutat e shtesës së parë ka qenë Alexis Sanchez që ka shkuar shumë afër golit me një goditje të bukur me kokë.


Ka qenë një ndeshje e mallkuar për Kilin dhe kjo është konfirmuar në minutën e 118-të kur, në fillim Arturo Vidal, dhe më pas Martin Rodriguez, kanë goditur shtyllën dhe traversën gjatë zhvillimit të njëjtit aksion.


Gjithsesi, fati ka ndryshuar në favor të kilianëve në momentin e duhur, atë të penalltive, ndërsa protagonisti ka qenë Caludio Bravo, i cili ka pritur tri penallti njëra pas tjetrës, duke mos i dhënë mundësinë Cristiano Ronaldo-s të paraqitet te pika e bardhë e penalltive dhe duke i dhuruar finalen kombëtares së tij.



28 qershor 2017 (gazeta-Shqip.com)