Grupi i drogës / Itali, pushojnë hetimet për Altin Hajrin. Durrës, kapen dy nga banda

Operacioni
Më 29 tetor të 2015-s, në sajë të operacionit të përbashkët të policisë italiane dhe shqiptare të koduar “Enigma”, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroinë
Sekuestrimet
Prokuroria kërkoi bllokimin e pasurisë 10 milionë euroshe të përbërë nga vila trekatëshe, kompleksi turistik “Golden”, karburant, servis etj. Italianët kërkuan të sekuestrohen edhe pesë makina luksoze, 70 mijë euro dhe 17 mijë franga zvicerane
E djeshmja rezervoi surpriza për grupin e “çunave të Shijakut” që policia i akuzoi se trafikonin 1 ton heroinë në vit drejt Italisë, pasi në shtetin fqinj pushuan hetimet ndaj bosit, ndërsa në Durrës u kapën dy pjesëtarë të këtij rrjeti. Më konkretisht bëhet fjalë për vijimësinë e operacionit të tetorit 2015 që u kodua “Enigma”, ku në total policia i sekuestroi këtij grupi qindra kg drogë, u arrestuan disa persona dhe u kërkua sekuestroja për kompleksin turistik “Golden” dhe prona të tjera që vlenin 10 milionë euro. Asokohe, policia italiane etiketoi Altin Hajrin, nga fshati Pjezgë i Shijakut si bosin e kësaj strukture kriminale, por së fundmi janë pushuar hetimet ndaj tij dhe emri i 31-vjeçarit është hequr nga lista e personave në kërkim. Italianët nuk kanë gjetur prova që do ta implikonin atë në trafikun e drogës. Këta muaj ai ka rezultuar person në kërkim dhe policia shqiptare kishte urdhër ta arrestonte. Gjithashtu, në kërkim ishte shpallur edhe 24-vjeçari Fortuz Hajri, kushëriri i Altinit dhe Hajri Balla, gjithashtu kushëri me vëllezërit Emiljano dhe Altin Hajri. Këta dy persona u arrestuan dje nga Policia e Durrësit. Policia italiane deklaroi asokohe përmes zyrtarëve të saj se Altin Hajri dhe Emiljano, i vëllai, përmes kodit alfanumerik që përdornin dikur nazistët, ngritën katër celula në Itali.
“Enigma”
Sipas akuzës, heroina blihej me pesë mijë euro kg në Afganistan dhe e fshehur në makina kalonte fillimisht Iranin e Turqinë, për të mbërritur në Bullgari, Maqedoni, Shqipëri, teksa u shitej afrikanoveriorëve në Itali me 40 mijë euro kg. Në pesë vite hetim, gjatë operacionit të koduar “Enigma”, ekspertët italianë përcaktuan se laboratori i përpunimit të drogës ishte në Roverchiara të Veronës, ku u kapën 130 kg heroinë. Në Trento vepronin dy celula që merreshin me shpërndarjen dhe dorëzimin e mallit, ndërsa të tjera me dërgesat cash të parave në Shqipëri, përmes avionëve ose duke i fshehur në makina. Aty shefi ishte Balla Hajri, kushëri i dy vëllezërve. Ndërkaq, celula e Padovës përbëhej nga kushëriri i Altinit, Fortuzi dhe nga Astrit Muça. Në total, grupit iu kap 1 ton drogë dhe fillimisht u arrestuan 16 persona, por nga të gjitha arrestimet e viteve të fundit rezulton se këtij grupi i janë kapur gjithsej 32 shqiptarë.
Altini dhe kushërinjtë
Mediat italiane shkruanin se i pari që mbërriti në Padova, në fillim të viteve 2000, ishte Altini. Pak më vonë e ndjek dhe Emiljani. Në Padova, dy vëllezërit lidhen me qarkun e trafikantëve. “Gjatë kësaj kohe ata ndërtojnë me aftësi dhe durim një organizatë komplekse, duke e strukturuar në qeliza të ndryshme, të gjitha të pavarura nga njëra-tjetra, në të cilat anëtarët e rangut më të ulët nuk kanë dijeni të skemës së përgjithshme”, shkruanin mediat italiane. Ata janë pronarë të kompleksit turistik “Golden” në Shijak dhe Altin Hajri rezulton pronar i “Alt Oil 2008” me seli në fshatin Xhafzotaj. Sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, kompania e Altinit operon me seli në Durrës Xhafzotaj pranë kompleksit “Golden”. Sipas mediave italiane, kur ndonjë blerës arrestohej, falë sistemit të ngritur, organizata nuk identifikohej kurrë. Altin Hajri u akuzua se drejtonte organizatën nga Shqipëria dhe nuk kishte nevojë kurrë të shkonte në Itali për të menaxhuar çështjet kriminale. Por tashmë policia italiane i ka pushuar hetimet ndaj tij, duke u shprehur se nuk kishte arritur të grumbullonte prova të mjaftueshme që do ta akuzonin si lider të kësaj strukture kriminale. Tanimë Altin Hajri, 31 vjeç, është një qytetar i lirë, pa asnjë akuzë penale. Specialistët për hetimin e narkotikëve në Durrës kanë arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë shtetasit Hajri Balla, 53 vjeç dhe Fortuz Hajri, 24 vjeç, të dy nga Shijaku. Ndaj tyre kishte një urdhër arresti nga Gjykata e Venecias më 15 gusht 2015, për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, si dhe “grup i strukturuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike”.