“Haber Saraj” – Në këtë rrëfim, ne do të përpiqemi të rikthejmë në vëmendjen e lexuesit të sotëm, atij të vitit 2016, siluetën e një pjese të historisë së Agjencisë Shqiptare të Lajmeve, të cilën po e quajmë, thjesht për figuracion, edhe Pallati i Lajmeve, një lloj Haber Saraj. Doemos që nuk është ndonjë lakmi për të pasur një variant të dytë të Tabir Sarajit, “Pallatit të ëndrrave”, veprës madhështore të Kadaresë


Republika Popullore e Kinës së udhëhequr nga Mao Ce Duni, kur ndërkohë në Pekin po shfaqej në horizont kursi i ri i drejtimit prej Ten Siao Pinit, në një nga kurrizet e buta ku është populluar Tirana (të cilën syri i kalimtarit nuk e dallon lehtë si reliev tokësor të ngritur), buzë lumit Lana, në bulevardin “Marsel Kashen”, pati një territor, në të cilin kishte ngritur “bllokun” e vet.


Këtu qenë tre godina shumëkatëshe.


Do të ishin ambasada kineze, dega për tërë Europën e HSINUA-së, agjencisë së lajmeve të këtij vendi, si dhe hoteli që do të banohej nga personeli.


Në 1978, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe republikës komuniste gjigante të Azisë së Largët do të prisheshin dhe të tre ndërtesat do të merrnin një funksion tjetër. Ish-ambasada dhe hoteli, i cili ishte pranë saj, do të shndërrohej, pas disa përshtatjeve të brendshme, në selinë e re të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kurse godina e HSINUA-së në seli të ATSH-së, Agjencisë Telegrafike Shqiptare.


Pas çlirimit, ajo ndodhej me zyra, siç e shpallte në krye të buletineve të saj të lajmeve, te “Tirana e Re, në të djathtë të Pallatit Kongreseve”. Numri i telefonit qe gjashtëshifror. Para se ATSH të transferohej tek dikur HSINUA për Europën, në bulevardin “Marsel Kashen”, me një central telefonik me numër katërshifror, gjendej në një godinë para redaksisë së gazetës “Zëri i Popullit”, në skajin verior të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.


Deri para një viti, ajo ndodhej ende atje, në “Marsel Kashen”, sepse tashmë, sot, e futur në një ndërtesë të vogël, por mjaft elegante, gjendet pas kompleksit të ndërtesave të RTSH-së, radiotelevizionit kombëtar.


Në këtë rrëfim, ne do të përpiqemi të rikthejmë në vëmendjen e lexuesit të sotëm, atij të vitit 2016, siluetën e një pjese të historisë së Agjencisë Shqiptare të Lajmeve, të cilën po e quajmë, thjesht për figuracion, edhe “Pallati i lajmeve”, një lloj “Haber Saraj”.


Doemos që nuk është ndonjë lakmi apo kokëkrisje letraro-publicistike për të pasur një variant të dytë të “Tabir Sarajit”, “Pallatit të ëndrrave”, veprës madhështore të Ismail Kadaresë. “Haber Saraji” ynë është një gjë krejt modeste, por, duke u njohur përditë e më shumë me historinë e ATSH-së, nuk i shkonte fare përshtatja gjuhësore dhe konceptuale e termit “Pallati i lajmeve”, në asnjë gjuhë europerëndimore. “Kostumi” që i rrinte më mirë në trup, në përpjekje për ta shpjeguar çfarë çudirash kanë bërë jetë në të paktën shtatë dekadat e saj të pasluftës, qe ajo e veshjes kuptimore turke, madje ajo e vjetër, e periudhës otomane.


Pesë ATSH, një për kohë paqeje dhe katër për mot lufte


Kur në prill 1992, pas nxjerrjes elektorale nga pushteti të qeverisjes së mëparshme, gazetarin Ilir Zhilla e thirri nënkryeministri i qeverisë së re, Rexhep Uka, ky u hutua pak kur i komunikuan zyrtarisht lajmin se qe emëruar drejtori i ri i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Dialogu mes të dyve u mbush vetëm me shprehjet e rrumbullakëta, pothuaj rutinë, “Nuk kam asnjë porosi të posaçme për t’ju thënë” dhe “Puna do t’ju mësojë”.


Kur Zhilla shkoi në ndërtesë, drejtori i mëparshëm, Petraq Zoto, e shoqëroi mirësjellshëm në të katër katet e ndërtesës e deri në ngrehinën e laboratorit, që ndodhej në oborrin e agjencisë. Por doemos nuk e futi në nëntokë, sepse pikërisht në këtë oborr gjendej një vendstrehim antibërthamor prej treqind metrash katrorë, ku, në rast luftimesh kundër një pushtimi të huaj, do të strehohej tërë personeli operativ i ndodhur në agjenci.


Ilir Zhilla atë ditë mësoi se ATSH-ja kishte 202 punonjës. Pak vite më parë, për të paktën dy dhjetëvjeçarë rresht, ajo pati pasur të punësuar dyfishin.


Drejtorit të ri i bëri përshtypje, në ndarjen e funksionit të kateve, rregulli që tek i treti nuk mund të hynte kushdo punonjës i të parit dhe i të dytit, si edhe një derë e hekurt që e veçonte dukshëm katin e katërt nga gjithë të mëposhtmit.


Pastaj pa me sytë e tij dhe mësoi se te “superkati” i tretë punonin non stop, njëzetekatër orë për njëzetekatër, në tre turne, afro gjashtëdhjetë përkthyes të gjuhëve të ndryshme. Atje ishte si Kulla e Babelit.


Në katin me portë të hekurt ndodhej, përveç aparaturës dhe antenave, reparti i madh i teleshkruesve, secili prej tyre i lidhur me një agjenci të huaj lajmesh. Në një pjesë të këtij kati gjendeshin edhe radiopërgjuesit, gazetarët që ndiqnin, tërë kohën me kufje në vesh, secili një radio të jashtme. Pasi dëgjonin dhe regjistronin rregullisht radion “Zëri i Amerikës”, Radio Vatikanin, Radio Moskën, atë të Beogradit, të Athinës, të Sofjes, të Titogradit, të Prishtinës dhe të jo pak të tjerave, e përkthenin apo e zbardhnin lëndën e shkruar, duke ia dorëzuar dy herë në ditë shefit të sektorit. Vetëm pas këtij, çfarë qe bërë tekst i shkruar nga çfarë patën folur radiostacionet e huaja, mund ta merrte rrugën për t’u ngjitur nëpër shkallët më të larta të hierarkisë së administrimit të lajmit, deri tek pika kulmore: drejtori i madh. Ishte ky që jepte vendimin nëse çfarë ishte interceptuar mund apo jo të dilte jashtë mureve të godinës. “Haber-Saraj” i trashëguar nga koha e komunizmit kishte edhe katër “binjake” të veta. Qenë ATSH të tjera, me përmasa më të vogla, katër ndërtesa për në rastet kur kryeqyteti do të merrej nga armiku pushtues dhe lufta e ushtrisë së rregullt nga niveli i përballjes frontale do të kalonte në shkallën e dytë, në nivelin partizan, atë të quajtur lufta popullore. Dy nga këto ATSH binjake qenë vendosur jo shumë larg Tiranës, në Plloskë dhe në Bizë të Martaneshit. Dy të tjerat gjendeshin në Gramsh dhe më thellë jugut të vendit, në Tepelenë. Godina qendrore e agjencisë kishte po ashtu në vartësi edhe një stacion të madh antenash, i cili më parë, pati qenë i kinezëve. Ndodhej në Fllakë, në veri të Tiranës. Katër godinat e ATSH-ve për kohë lufte, ngrehina pjesërisht mbi tokë dhe nëndhe, të pajisura me aparaturat përkatëse për të funksionuar normalisht marrja dhe dhënia e lajmit, bashkë me radiostacionin e Fllakës përbënin një territor prej njëqind hektarësh tokë.


Heqja e tetë familjarëve të Byrosë Politike


Që në ditët e para, Ilir Zhilla e kuptoi se në Agjencinë Shqiptare të Lajmeve nuk duhej të hiqte profesionistët. E drejta për t’u vetëdemokratizuar qe e të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Gazetarët apo përthyesit mendërisht nuk qenë e shkuara, por edhe e nesërmja, pse jo, bashkë me të rinjtë që do të vinin, edhe e ardhmja. Gjatë tranzicionit nga diktatura në shoqëri të hapët prej ATSH-së shtetit dhe kombit shqiptar nuk kishte ndodhur asnjë gjest i rëndë deformimi politik apo partiak i lajmit, ca më shumë nuk pati ngjarë, nëpërmjet shpërndarjes së dizinformimit, asnjë diversion ndaj sovranitetit dhe qëndrueshmërisë së rendit publik të vendit. Për arsye politike, Zhilla largoi që në fillim shtatë punonjës, që të gjithë pjesëtarë të familjeve të grupit të ngushtë udhëheqës të Partisë së Punës. Kështu në agjenci nuk mund të punonin më dhëndri i Hekuran Isait, djali i Gogo Nushit, nusja e Hysni Kapos… Nusja e vogël e Enver Hoxhës, Liljana, e cila pati qenë nëndrejtore e ATSH-së, qe vetëlarguar dy javë më parë se të emërohej drejtori i ri. Ndërkohë Ilir Zhilla largoi edhe dy duzina me të emëruar politikisht dhe qëllimisht gjashtë muajt e fundit. Këto veprime në personel shkaktuan zemërimin e gazetës “Zëri i Popullit” si dhe një artikull kritik të saj, por pa u vonuar ndërhyri me një deklarim qetësues Dritëro Agolli dhe vendin e polemikës e zuri pjesërisht heshtja për çfarë po ndodhte në ATSH dhe ndonjëherë edhe mirëkuptimi. Njeriu i qeverisë së dalë nga zgjedhjet e marsit 1992, duke u mbështetur tek inxhinierët që gjeti, për nga natyra i prirë nga ekonomia e tregut, rinovoi me sa mundi teknologjinë, futi internetin dhe e bëri të shitshëm lajmin. Do të arrinte në këtë mënyrë të siguronte deri në gjashtëdhjetë për qind të buxhetit financiar të agjencisë. Lajmin e ATSH-së qenë të detyruar të gjithë mediat, kur e merrnin dhe e publikonin, ta paguanin. “Gazeta Shqiptare” ishte më e rregullta. Drejtorit të emëruar prej vetë partisë antikomuniste të ardhur në pushtet iu desh në një rast të bllokojë për dyzetetetë orë furnizimin me lajme të “Rilindjes Demokratike”, sepse bënte shkujdesje dhe indiferencë për ta cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Ilir Zhilla, me bashkëpunëtorët e vet, botoi edhe një gazetë. Quhej “Lajmi i ditës”. Me tirazh 3500 kopje dhe njoftime që nga politika deri tek ekonomia, kultura po ashtu dhe me mjaft të dhëna nga sporti të hartuara prej gazetarit të talentuar Besnik Dizdari, kjo e përditshme vijoi të jetonte normalisht për dy vite rresht.


Ftesa për Thanas Nanon, ndërsa i biri qe në burg


Kur në 1994, ATSH festoi përvjetorin e themelimit të vet dhe për nevoja të ceremonisë duhej të ekspozoheshin edhe fotot e të gjithë drejtorëve të mëparshëm, Ilir Zhilla i dërgoi në shtëpi një gazetar “afër së majtës” Thanas Nanos që ky t’u jepte një pamje të portretit të tij. Nanua u ktheu përgjigje të tërthortë hatërmbetjeje, duke thënë se “nuk paska mbetur në ATSH asnjë foto imja?!” Fatos Nano gjendej në burg dhe Thanasi dyshoi se ajo lojë me fotot qe, një vijim i persekutimit politik të të birit, një hipokrizi.


I shpjeguan se dëshironin të kishin një pamje siç e pëlqente ai. E ftuan edhe në festimet e përvjetorit, ku nuk do të mungonin as ish-drejtorët e tjerë, sigurisht prej atyre që ende jetonin. Fiqiri Vogli, Arqile Aleksi dhe Petraq Zoto, drejtues të para nëntëdhjetës, erdhën, por Thanas Nano jo. Gjithsesi fotografinë e tij e dërgoi dhe ajo u vendos në vendin e vet, publikisht.


Mehmet Shehu në Berat huton agjencitë e huaja të lajmeve


Aljosha Keko është një prej gazetarëve të vjetër të ATSH-së. Ka nisur punë në këtë agjenci në vitin 1976, sapo përfundoi studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. E emëruan shumë shpejt në Berat, si një ndër dymbëdhjetë korrespodentët që ATSH kishte nëpër rrethe. Do të përjetonte në këtë qytet një nga ngjarjet më të veçanta. Ajo kishte të bënte me një deklaratë të papritur të Mehmet Shehut. Qe 22 tetori i vitit 1977, përvjetor i shpalljes nga PKSH i asaj që e emërtuan në historinë e tyre si Qeveria Demokratike dhe pas pranisë zyrtare në këtë ceremoni, kryeministri kërkoi të bënte një takim pune me kuadrot kryesore të qytetit. Duke qenë se numrin më të madh të tyre e kishte Kombinati i Tekstileve, një ndërmarrje me dhjetë mijë punonjës, në tribunë, ku në qendër u vendos Shehu, kishte të ulur edhe dy specialistë kinezë.


Ata rrinin si mbi gjemba. Parandjenja e shqetësimit iu vërtetua. Një çast, kryeministri tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës në pamje të parë dukeshin si një mollë e kuqe, por në të vërtetë brenda kishte hyrë krimbi. Kjo deklaratë, e bërë për herë të parë nga një përfaqësues i rëndësishëm i Shqipërisë për ekzistencën e një krize mes Tiranës dhe Pekinit, ra si bombë, çfarë në sallë shkaktoi hutim dhe tek kinezët në tribunë pikëllim të qartë. Gjithsesi Aljosha Keko ia dërgoi menjëherë agjencisë tekstin e lajmit, sepse, ndryshe nga korrespodentët e tjerë, kishte një aparat teleshkruesi. Ky e ndihmonte që njoftimi të shkonte në qendër në çast.


Në Tiranë, drejtori Arqile Aleksi e mori menjëherë në telefon dhe kërkoi nëse kjo gjë qe e vërtetë. Pra patjetër duhej t’ia provonte. Keko u përgjigj se gjithçka e kishte të regjistruar me zë. Megjithatë shefi i tij nuk dukej i sigurt dhe lajmi-bombë, që do të “rrëmbehej” menjëherë nga agjencitë e huaja të lajmeve, u mbajt pa u dhënë një orë të tërë. Në verifikimin nga burime të tjera, prej rrethit të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Enver Hoxhës erdhi porosia që çfarë Mehmet Shehu pati thënë në Berat duhej të shpërndahej menjëherë. Në radiotelevizion dhe nëpër gazeta do të ishte në formën konkrete si qe shqiptuar: marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë i ngjanin në pamjen e jashtme një molle të kuqe, e cila brenda po mbushej me krimba.


Si punonte në komunizëm


Pallati i Lajmeve, Haber Saraj, me mbi katërqind punonjës, funksiononte si një fabrikë e madhe, ku çdo proces qe nën një rregull të hekurt. Tërë lajmet e prodhuara, ato të grumbulluara prej korrespodentëve në rrethe apo të hartuara nga redaksia qendrore, të mbledhura prej agjencive të huaja, nga radiot në vendet fqinje e deri thellë në lindje dhe në perëndim të kontinentit, ato të përpiluara nga sektori i cili quhej Kartoteka (këtu vinin me postë ajrore të gjitha gazetat apo revistat e domosdoshme të vendeve të tjera), paketoheshin në buletine të llojeve të ndryshme. Pasi shumoheshin nëpërmjet daktilografimit, por më shpesh me anë të shaptilografimit (agjencia kishte në ndërtesë edhe një shtypshkronjë të vogël), buletinet shpërndaheshin çdo dymbëdhjetë orë, në drekë dhe mbrëmje, me anë të korrierëve. Në fillim këta qenë me biçikleta, pastaj nisi lëvizja e tyre me motorë dhe vijoi me një makinë të ngarkuar posaçërisht. Këta buletine, tregon Aljosha Keko, kishin emërtime të ndryshme: lajmet nga vendi, ato të jashtme, për ekonominë, kulturën apo shkencën, e deri te të Posaçmet, specialet. Të parët, kundrejt një pagese, u shpërndaheshin gazetave të kohës si dhe RTVSH-së, organizatave të ndryshme ndihmëse të PPSH-së apo institucioneve të shumta të monizmit. Në çdo publikim apo citim qenë të detyruara me ligj që të citonin burimin prej ku pati ardhur lajmi, pra ATSH-në. Buletinet e posaçme qenë të ndara në tre nivele. Numrin një, të quajtur prej Agjencisë Telegrafike Shqiptare edhe si “Buletini i Verdhë”, e merrnin Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Vitet e fundit qe shtuar edhe emri i Ramiz Alisë. Në atë paketë ishin të përkthyera të gjitha shkrimet e medias së huaj, pa asnjë censurë, përfshi edhe më antikomunistet dhe kundërenveristet.


Me këto të fundit, artikujt apo emisionet radiotelevizive posaçërisht kundër Enver Hoxhës, u përfol që të paktën pas vitit 1980, kur vështrimi i tij u dobësua gjer në pamundësi të plotë leximi, po ashtu edhe gjendja shëndetësore prej diabetit iu rëndua, lajmet nga buletini tepër special ia kumtonte e shoqja. Ajo prej tyre zgjidhte ato që vetëm sipas saj, qenë më të rëndësishmet. Për të mos i krijuar emocione negative, të cilat ia përkeqësonin gjendjen, një pjesë ajo i shmangte. Nuk dihet sa informacion të nevojshëm Enver Hoxha ka humbur me motivin “të mos e shqetësojmë”.


Doktor Zabit Brokaj lexon fshehtas Buletinin e Posaçëm


Por kjo historia e buletineve superspeciale të ATSH-së që vinin tek Enver Hoxha, ka edhe një kuriozitet. Doktor Zabit Brokaj, mjeku i tij personal për zemrën, na ka thënë në mirëbesim se atë paketë për vetëm tre më të mëdhenjtë e shtetit e lexonte edhe ai. Mundej fshehurazi edhe ndonjë mjek tjetër i grupit kurues të Hoxhës. Veprimin tërësisht të ndaluar për këdo, Brokaj e kryente duke përballuar një vështirësi jo të vogël.


Siç ai tregon, shefi i truprojave të Enver Hoxhës, Sulo Gradeci, pasi Nexhmija ia lexonte pjesërisht lajmet e pacensuruara të shoqit, ky tufën me letra të specialbuletinit e lagte me formalinë dhe i linte në një skaj, ku më pas do të merrnin për ta asgjësuar. Mirëpo të prekësh e jo më të shfletosh dhe lexosh fletë të njomura me formalinë, pra të durosh marramendjen që të krijon era mpirëse që ajo lëshon, sytë që t’i përlot, është një stërmundim i vërtetë. Gjithsesi Zabit Brokaj ia dilte. E kishte kaluar për vite e vite të tëra stazhin e punës me formalinë në morgun e spitalit të Tiranës.


(Vijon)


Ylli Polovina


Fotot shoqëruese: Ndërtesa e mëparshme e ATSH-së dhe në vijim, sipas numrave, disa nga buletinet që hartonte kjo agjenci.