Hashim Thaçi është zgjedhur Presidenti i ri i Kosovës, me 71 vota në raundin e tretë të votimit në Kuvend, pas dështimit të raundit të parë dhe të dytë për zgjedhjen e presidentit.
Hashim Thaçit i duheshin 61 vota që të zgjidhej president. “Falënderoj deputetët për besimin ndaj meje. Ju falënderoj juve ambasadorë të nderuar që qëndruat gjatë gjithë ditës me ne në këtë seancë dhe të gjitha partitë politike në vend, veçanërisht PDK, LDK dhe Listën serbe. Ju siguroi se besimi juaj do të jetë një shpresë e re dhe optimizëm i ri për republikën e Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe institucionet e pavarura të Kosovës, për të ndërtuar Kosovën e re në NATO e BE. Do punoj më shumë në institucionalizimin e dialogut politik si kushti për zhvillim të qëndrueshëm për vendin tonë”, tha Thaçi në fjalën përshëndetëse para kuvendit.
Dështon raundi i dytë i votimit të presidentit, Thaçi 64 vota
Ka dështuar raundi i dytë i votimit të presidentit në Kosovë. Ndryshe nga raundi i parë në seancë ka qenë një deputet më pak, pas largimit të deputetit të Vetëvendosjes, Ilir Deda, i cili ishte i nominuar nga opozita edhe në komisionin e posaçëm për procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
Hashim Thaçi ka marrë 64 vota në këtë raund, 2 kanë shkuar për kandidatit Rafet Rama dhe 15 kanë qenë të pavlefshme.
81 deputetë kanë qenë të pranishëm, ndërsa që kreu i shtetit të zgjidhej në këtë raund duheshin 2/3-at e votave, 80 gjithsej, në të kundërt shkon në raundin e tretë, ku do të duhen 61 vota, apo 50% + 1.
Dështon raundi i parë për zgjedhjen e Thaçit president
Ka dështuar raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit në kuvendin e Kosovës.
Pas numërimit të fletave të hedhura në kutitë e votimit nga deputetët e pranishëm në sallë ka rezultuar se kanë votuar gjithsej 81 deputetë, nga të cilët, 50 vota kanë qenë për Hashim Thaçin president, 4 për kandidatin tjetër, Rafet Rama dhe 27 vota kanë qenë të pavlefshme. Me këto shifra, raundi i parë i votimit rezulton i pavlefshëm.
Opozita nxirret me forcë, nis votimi për Presidentin
Në kuvendin e Kosovës ka nisur procesi i votimi për presidentin e ri, ndërsa në kuvend janë të pranishëm 83 deputetë, vetëm të mazhorancës. Opozita është përjashtuar nga kjo seancë pas incidenteve të shumta të dhunshme me gaz lotsjellës. E fundit që u nxor jashtë me forcë qe deputetja e Vetëvendosjes Shqipe Pantina pak para se të shpërthente një bombol me gaz lotsjellës sallës së Kuvendit.

Ndërkohë mbështetës të opozitës kanë nisur të përleshen me policinë, duke hedhur bomba molotov ne drejtim të tyre. Ndërkohë, policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Aktualisht situata paraqitet e nderë para Kuvendit të Kosovës.

Zgjedhja e presidentit, sërish gaz lotsjellës, përjashtohen 11 deputetë të opozitës
Gjatë fjalimit të deputetëve të Kosovës në Kuvend për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, ku kandidati kryesor është Hashim Thaçi, opozita e pranishme në sallë ka hedhur sërish gaz lotsjellës, duke shkaktuar ndërprerjen e seancës.
Dyshohet se ka qenë deputetja për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ajo që ka hedhur gazin lotsjellës në sallë, në bashkëpunim me deputetin e Vetëvendosjes Faton Topalli, por më pas përgjegjësinë pë hedhjen e gazit e ka marrë deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj, i cili është arrestuar nga policia.
Gazi është hedhur në momentin që do të nisnin procedurat për votimin e presidentit. Deputeti i PDK-së, Hamiti, ishte i fundit që po mbante fjalim.
Megjithatë, me rifillimin e seancës, opozita ka hdhur gaz lotsjellës për të dytë herë brenda 45 minutash, duke shkaktuar sërish ndërprerjen e punimeve.
Pas këtij akti, kryetari i Kuvendit të Kosovës ka përjashtuar 5 deputetë të opozitës: Albin Kurti, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Salih Salihu, Mytaher Maskuka. Më herët u përjashtuan edhe 6 deputetë të tjerë.
Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismail Kurteshi, Pal Lekaj, Teutë Haxhiu, Time Kadriaj, Bali Muharremaj dhe Faton Topalli të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 26 shkurt 2016 për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare.

Nis seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit
Ka filluar seanca e Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri, ku në garë janë Hashim Thaçi dhe Safet Rama. Kreu i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli ka konfirmuar se në Kuvend janë të pranishëm 104 deputet.
Deri më tani zyrtarisht katër deputetë të LDK-së kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në seancë, ndërsa ende nuk ka ardhur Armend Zemaj, Alma Lama, etj.
Në seancën ku pritet të zgjidhet president lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, në bazë të marrëveshjes së koalicionit me LDK-në, do të jenë prezentë edhe deputetët opozitarë, të cilët kanë thënë se do ta bllokojnë seancën.
Opozita kosovare është grumbulluar në sheshin kryesor të Prishtinës së bashku me simpatizantët e saj ku kanë nisur protestën kundër marrëveshjes së dëmshme me Serbinë, kundër qeverisjes antikushtetuese dhe kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president.
Me qindra protestues ndodhen panë godinës së qeverisë dhe të Kuvendit, ku pritet të nisë nisë seanca plenare, ndërkohë që policia kosovare ka marrë masa të rrepta sigurie, duke rrethuar institucionet qeveritare.
Përveç protestuesve të shumtë kundër qeverisë, në shesh mësohet se janë mbledhur edhe mbështetës të Hashim Thaçit që mbështesin liderin e tyre për t’i zgjedhur president i Kosovës.
Njësitë speciale kanë bllokuar rrugën që të çon nga kjo seli në sheshin “Nëna Terezë”, ku janë grumbulluar protestuesit e opozitës. Për disa minuta ka pasur një përplasje verbale mes dy palëve dhe parrulla kundër dhe pro Thaçit.
Ka nisur ndërkohë protesta e opozitës së bashkuar kundër marrëveshjeve me Serbinë. Protestuesit e opozitës kërkojnë shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të reja.
26 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)