“Pazaret e drogës, dy atentatet e 1 mln euro pasuri e sekuestruar”

Plagosja e gruas, zbardhet e kaluara e objektivit

Rezarta LaknoriNga hetimet disaditore ka rezultuar se prishja e pazareve të drogës në Itali dhe Spanjë, dyshohet se ka qenë shkaku i përplasjes me armë në “Don Bosko” mesditën e së premtes. Në këtë ngjarje mbeti e plagosur rastësisht në verandën e lokalit shtetasja Rezarta Laknori. Prokuroria dyshon se Kreshnik Farruku, i cili ka ndryshuar mbiemrin, duke marrë atë të bashkëshortes Budlla, ka qenë objektivi i këtij atentati. Sipas akuzës, Farruku kishte pak ditë që ishte kthyer nga Spanja, ku kishte vuajtur disa vite burg për akuzën e “trafikut të drogës”. Po për të njëjtën akuzë, policia thotë se Farruku është dënuar edhe në Itali në vitin 2007, dënim të cilin e ka përfunduar. Farruku ishte në shoqërinë e kunatit Rinald Budlla dhe dy shokëve të tij Alfred Levanit dhe shtetasit me inicialet SH.H., kur në tavolinën e lokalit në rrugën “Muzaka” janë afruar dy persona. Fillimisht, referuar edhe kamerave të sigurisë, dy personat ende të paidentifikuar kanë pasur debate me Kreshnik Farrukun ku ka ndërhyrë edhe kunati i tij Rinald Budlla. Pas debateve me tone të larta, dy personat janë larguar për t’u kthyer vetëm pak minuta më pas me pistoleta në duar duke qëlluar në drejtim të tavolinës ku ndodhej Kreshnik Farruku. Edhe ai është kundërpërgjigjur me armë zjarri, ku rastësisht plumbat kanë qëlluar shtetasen Rezarta Laknori, e cila ndodhej së bashku me bashkëshortin dhe fëmijën në lokal. Hetuesit thonë se mes tyre janë shkëmbyer 12 plumba me tre armë të ndryshme, ku edhe janë sekuestruar 12 gëzhojat e qitura në verandën e lokalit dhe në rrugën pranë tij. Gjatë marrjes në pyetje, Kreshnik Farruku dhe personat që tashmë janë arrestuar, nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me policinë, duke mos identifikuar atentatorët, me pretendimin se nuk i njihnin. Për konfliktet e Kreshnik Farrukut në Spanjë dhe Itali për trafikun e drogës, në korrik të 2014-s i është bërë atentat vëllait të tij në Durrës me 19 plumba, ku fatmirësisht shpëtoi me një plagë të lehtë në shpatull. Me vendim të Gjykatës së Durrësit në vitin 2012 i është sekuestruar Kreshnik Farrukut dhe familjarëve të tij një pronë e blerë në Gjirin e Lalëzit me vlerë 920 mijë euro, që dyshohet se kanë ardhur nga aktivitetet e paligjshme jashtë Shqipërisë. Në korrik të vitit 2014, Kreshnik Farruku u qëllua me armë zjarri në një pritë, ndërsa ishte në lëvizje në aksin Manës- Maminas.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.