Polemika


“Duhet të përpiqesh që të mos kesh ndeshje, ku që në fillim ti e di se mund të ketë një konflikt”


BlatterPresidenti i FIFA-s, Sep Blater, duket se mendon që UEFA është përgjegjëse për problemet në ndeshjen Serbi-Shqipëri, pasi nuk analizoi mirë situatën dhe lejoi dy skuadrat në të njëjtin grup kualifikues. Në një intervistë të dhënë për “Russia Today”, ai komentoi atë që ndodhi në natën e 14 tetorit në Beograd, duke bërë të qartë se duhej një kujdes i jashtëzakonshëm në raste të tilla.


“Atletët nuk zihen, por ata janë provokuar. Ka gjithmonë një provokim. Përndryshe ju e dini, në futboll skuadrat përfaqësuese janë ambasadorët më të mirë të vendeve, ndaj duhet të jesh shumë i kujdesshëm, kur vjen puna te kompeticionet dhe duhet të përpiqesh që të mos kesh ndeshje ku që në fillim ti e di se mund të ketë një konflikt. Si Azerbajxhani e Armenia? Po, në kompeticionet e FIFA-s ne nuk i vendosim Armeninë dhe Azerbajxhanin në të njëjtin grup për të shmangur problemet”, tha presidenti i FIFA-s, i cili në ditën pas ndeshjes në fjalë, dënoi ngjarjet e Beogradit, duke deklaruar se politika nuk kishte të bënte me sportin.


Më pas, Blater la të kuptonte se situata po analizohej, duke konfirmuar indirekt atë që përflitet prej kohësh, se në kualifikueset e Botërorit 2018, Shqipëria dhe Serbia do të vendosen në grupe të ndara. “Kjo nuk është një çështje e FIFA-s, por unë mendoj se tani të gjithë janë vënë në alarm për të shmangur situata të tilla në të ardhmen, pasi ne nuk duhet të krijojmë situata ku politikanët mund të abuzojnë platformën e futbollit. Ne thjesht duhet të bëjmë të kundërtën, pasi futbolli është aty për të lidhur njerëzit”, ishin fjalët e presidentit të FIFA-s, i cili këtë radhë ka evituar të mbajë një qëndrim në mbështetje të njërës palë apo tjetrës.


Blater, shpesh krijon polemika me deklaratat e tij, por këtë radhë, ai është munduar që të mos flasë drejtpërdrejt mbi përgjegjësitë e ngjarjes. Reagimi ndërkombëtar pas dënimit absurd të UEFA-s për ndeshjen në fjalë, ka bërë që kreu i FIFA-s të mos zgjedhë cilën palë të mbështesë dhe të përpiqet të qëndrojë neutral. Nga ana tjetër, ai ka shfrytëzuar këtë polemikë për të lëshuar kritika në adresë të UEFA-s, e cila, për momentin, është e vetmja konfederatë që është pozicionuar hapur kundër rikandidimit të Blater për postin e presidentit të FIFA-s.