Digjet me benzinë makina e shefes së Hipotekës në Vlorë

Sulmi vandal

Policia nis hetimin për shkak të detyrës, shoqërohen tetë persona

Sulmi ndaj Ina Luçit vjen pak ditë pas kallëzimit të AKKP-së ndaj 8 personave për përvetësim pronash

Mikel Marsi



makina e djegur mamina e djegur 2Shefja e Hipotekës në Vlorë ka rënë pre e një sulmi vandal, pasi persona të paidentifikuar i kanë djegur makinën me benzinë. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e djeshme, ndërkohë që menjëherë pas këtij sulmi, policia ka nisur hetimet dhe ka shoqëruar të paktën tetë persona të dyshuar, megjithëse deri mbrëmë vonë nuk ka arrestuar ndonjë prej tyre. Policia tha se sulmi mendohet se është kryer për shkak të detyrës dhe jashtë hetimit nuk janë lënë edhe persona të proceduar më parë penalisht për shkak të kallëzimeve të bëra nga Hipoteka dhe AKKP-ja në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur në orën 23:15 të së hënës në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës. Persona ende të paidentifikuar kanë marrë me vete lëndë djegëse dhe pasi kanë thyer xhamat e pasmë të makinës, e cila ka qenë e parkuar para pallatit, ku banon kryeregjistruesja e Hipotekës, Ina Luçi, kanë hedhur lëndë djegëse brenda dhe jashtë makinës dhe më pas i kanë vënë flakën. Autorët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa automjeti tip “Toyota” me targa AA 75 JP është përfshirë nga flakët në gjithë makinën, e cila brenda pak minutash është djegur plotësisht. Reparti i zjarrfikëseve, edhe pse ka mbërritur në vendngjarje shumë shpejt, nuk ka mundur të shpëtojë makinën nga flakët. Pas kryerjes së ekspertizës së policisë kriminale ka rezultuar se automjeti është djegur me anë të lëndës djegëse, ku ka shenja të hedhjes së lëndës djegëse brenda dhe jashtë automjetit. Ekspertët nuk kanë gjetur gjurmë të personave të përfshirë në djegien e automjetit, duke përdorur lëndën djegëse, megjithëse kanë kontrolluar përreth makinës së djegur. Pas marrjes në pyetje të pronares së automjetit, policia tha se ka shoqëruar në polici tetë persona të dyshuar si të implikuar në djegien e automjetit të drejtores së Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë, Ina Luci. Sipas grupit hetimor, Luçi ka deklaruar në polici se nuk ka ndonjë person të dyshuar për djegien e makinës së saj, si dhe ka shpjeguar se nuk ka asnjë mosmarrëveshje, debat apo përplasje me persona të tjerë, as për probleme pune dhe as për probleme personale, por ajo ka ngritur dyshimet se gjithçka mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së saj.

Nga të dhënat mësohet se Luçi e ka blerë makinën para disa muajsh dhe gjithmonë e parkonte para pallatit, ku banonte, por nuk kishte pasur më parë ndonjë incident. Edhe dje, pas këtij incidenti, Luçi ka qenë në zyrën e saj të punës, nga mëngjesi deri në orët e pasdites, duke vazhduar punën e saj normalisht. Shumë qytetarë, në sportelet e Zyrës së Hipotekës kanë paraqitur vazhdimisht ankesa për moszgjidhjen e shpejtë të problemeve të tyre, si dhe moskthimin e përgjigjeve të shpejta brenda afateve të kërkesave dhe ankesave të tyre në rrugë zyrtare postare.

Vetëm pak ditë më parë, tetë persona nga Vlora dhe Himara janë kallëzuar në Prokurorinë e Vlorës për përvetësimin me anë të falsifikimit të dokumenteve për parcela, që në total kapin sipërfaqen 77 hektarë. Ky kallëzim është firmosur nga drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, por mësohet se për përgatitjen e materialit referues është bashkëpunuar me Hipotekën e këtij rrethi. Sipas kallëzimit, këta persona, me anë të falsifikimit të dokumenteve, kanë përvetësuar pronë publike, megjithëse policia nuk ka bërë me dije nëse ata janë pjesë e të dyshuarve për djegien e makinës së Luçit.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.