Përgjimet e prokurorisë ndaj Ermal Mrrukut nxjerrin edhe emra të njerëzve të drejtësisë


Microsoft Word - Vendimi i pafajesise per Ermal MrrukunPërgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për gjobëvënien e gardianes dhe bashkëpunëtorit të saj, nxjerrin edhe emra të njerëzve të drejtësisë. Ish-gardisti Ermal Mrruku, që u bënte shantazh biznesmenëve të ndryshëm, ka qenë i proceduar më parë për pengmarrje, ndërsa ia ka hedhur paq drejtësisë, duke marrë pafajësinë. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë për Shqip se në disa biseda që 28-vjeçari ka bërë me “viktimat” e tij, ka përmendur se i duheshin 30 mijë euro për të mbyllur një çështje. Prokuroria thotë se, në disa përgjime, janë përmendur edhe emra të njerëzve të drejtësisë, por këto burime nuk pohojnë nëse janë të prokurorit apo gjyqtarit të çështjes. Hetimet e mëvonshme do të zbardhin nëse ka pasur apo jo korrupsion, teksa kujtojmë këtu se Mrruku ka fituar pafajësinë në muajin të këtij viti, megjithëse akuzohej për një ngjarje të rëndë.


 


Vendimi i gjykatës


Zhvatja e parave ka vijuar edhe në muajin gusht gjatë kohës kur Ermal Mrruku kishte një çështje gjyqësore për veprën penale të gjobëvënies dhe vetëgjyqësisë. “Për të mbyllur çështjen, ai i ka kërkuar E.H., një shumë prej 30 mijë eurosh”, – thotë zyrtarisht prokuroria, ndërsa sipas një vendimi që zotëron gazeta Shqip, ai ka fituar pafajësinë në muajin maj të këtij viti. Vendimi në fjalë ka numër 1270 dhe është gjykuar nga gjyqtari Lazer Sallaku.


Sipas këtij dokumenti, më 12 korrik të 2013-s, Ermal Mrruku dhe Edison Canaj, janë arrestuar nga Komisariati Nr.6, për pengmarrje dhe vetëgjyqësi ndaj shtetasit Rigert Bilali. Ky i fundit ka tentuar që të nxjerrë nga banesa motrën me dy fëmijët e saj, pasi nuk shkonte mirë me bashkëshorten e të dhunuarit. Motra i është ankuar bashkëshortit, Adriatik Kasa, i cili në atë kohë ka qenë duke vuajtur një dënim në burgun e Fushë-Krujës, për prostitucion. Kasa ka porositur Canajn që t’i bëjë presion Rigert Bilalit. Ditën e krimit, Edison Canaj ka lëvizur me makinën e Ermal Mrrukut dhe ka kërcënuar e dhunuar Bilalin.


Prokurori i çështjes, Adriatik Cama, gjatë shqyrtimit të seancës gjyqësore, kërkoi që gjykata të deklarojë fajtor Ermal Mrrukun, për veprën penale të “heqjes së ligjshme të lirisë”, në rrethanat cilësuese të “kryerjes së veprës më shumë se një herë, në bashkëpunim”. Në bazë të këtij neni, prokurori ka kërkuar që i pandehuri të dënohet me dy vite burg. Canaj ka kërkuar pushimin e çështjes në ngarkim të Mrrukut, për veprën penale të “vetëgjyqësisë”, kryer në bashkëpunim. Për porositësin e pengmarrjes, Adriatik Kasa, prokurori i çështjes ka kërkuar që ai të dënohet me 3.8 muaj burg. Në lidhje me veprën penale të vetëgjyqësisë, ka kërkuar mbylljen e çështjes. Të njëjtën masë dënimi ka kërkuar edhe për Edison Canajn.


 


Pafajësia


Gjatë shqyrtimit të dosjes, gjyqtari Lazër Sallaku, në maj të 2014-s, ka shpallur pafajësinë ndaj Ermal Mrrukut, e cila sipas tij thuhet se ish-gardisti nuk është përfshirë në krim. Ndërsa Adriatik Kasa është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2.8 vite burg. Canaj është dënuar me 2.4 vite burg. Ndërkaq, burimet e prokurorisë thonë se ish-gardisti i ka kërkuar sërish para nga muaji shtator 2013, deri në muajin shkurt 2014. Ai e kërcënonte E.H., se nëse nuk i jepte para, do t’ia dorëzonte fotografinë bashkëshortes së tij. S.M.