Konferenca gjyqësore
Presidenti: Politika, larg nga gjyqësori. Ministri: Anëtarët e KLD-së promovojnë vetveten
Sokol Çobo
Krerët e institucioneve të drejtësisë, Presidenti, si kreu i KLD-së, kreu i Gjykatës së Lartë, apo ministri i Drejtësisë, kanë dënuar ashpër korrupsionin. Në mbledhjen e radhës së Konferencës Gjyqësore, ku ishin të pranishëm të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se reformat janë të domosdoshme, por do preferonte të udhëhiqeshin jo nga politika, por nga komuniteti i gjyqtarëve. Ndërkohë, Nasip Naço, në emër të ekzekutivit, tha se është e patolerueshme që anëtarët e KLD-së promovojnë vetveten, ndërsa tha se duhet një tjetër vlerësim për gjyqtarët, pasi sistemi aktual nuk ka dhënë frytet. Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhazair Zaganjori, njëherësh edhe kreu i Konferencës Gjyqësore, u ndal te fenomeni i korrupsionit, për të cilin tha se nevojitet çrrënjosja, ndërsa evidentoi se Gjykata Supreme ka mbingarkesë, pasi aktualisht gjykohen çështjet e vitit 2011.
Presidenti i Republikës
“Sistemi ka probleme. Shqetësuese është kur këto vijnë nga veprimi apo mosveprimi i gjyqtarëve. Kemi individë që nga pikëpamja profesionale nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e gjyqtarit dhe dëmtojnë padrejtësisht qytetarin. Ka gjyqtarë që e nisin punën duke menduar zarfin e avokatit, prokurorit apo qytetarit”, ishte akuza e rëndë e Presidentit, ndërsa u ndal edhe te reformat, për të cilat tha se janë të domosdoshme, por të udhëhiqen jo nga politika, por nga komuniteti i gjyqtarëve. “Nëse flasim për reformë, së pari duhet të besojmë te reforma. Së dyti, të jemi të vendosur që reforma t’i shërbejë sistemit për të cilin ngrihet. Reforma në drejtësi nuk mund t’i shërbejë politikës. Drejtësinë te qytetari shqiptar e përçon gjyqtari. Nuk e mbështes reformën në drejtësi përmes retorikës politike. E vlerësoj reformën nëse nis te vlerësimi i punës së gjyqtarëve”, pohoi Presidenti, njëherësh edhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Më tej, Nishani tha se gjyqtarët tanë kanë nevojë të trajtohen financiarisht shumë më mirë, ndërsa evidentoi se një gjyqtar i Gjykatës së Lartë do e meritonte të paguhej më mirë se Presidenti, një gjyqtar i Gjykatës së Apelit të paguhej më mirë se një ministër. Në fund, pohoi se është e pajustifikueshme që 6 muaj pas fillimit të punimeve në Gjykatën Administrative është bllokuar procesi i emërimit të këshilltarëve të gjykatës.
Kreu i Gjykatës së Lartë
Xhezair Zaganjori tha se pavarësisht përmirësimeve, cilësia e vendimeve gjyqësore nuk është në nivelet e kërkuara. “Shpesh konstatohen vendime të paarsyetuara mirë, jo objektive, në përmbajtjen e të cilave rezulton se nuk janë shqyrtuar në mënyrën tërësore të gjitha kërkesat e palëve. Për pasojë në mjaft raste konstatohen vendime të dobëta, të paqarta e kontradiktore”, tha Zaganjori. Më tej tha se këto vendime bëhen të cenueshme nga gjykatat më të larta, e në mjaft raste kjo çon në gjykimin e rigjykimin për vite me radhë të së njëjtës çështjeje. “Një gjë e tillë padyshim që sorollat dhe ‘lodh palët’ në gjykim, rrit perceptimin negativ të publikut ndaj pushtetit gjyqësor dhe ul besimin e vendimeve gjyqësore. Ç’është më e rëndësishmja, në këtë mënyrë cenohet dukshëm efektiviteti i punës së gjykatës dhe cilësia e dhënies së drejtësisë”, vijoi Zaganjori.
Në lidhje me korrupsionin, tha se dëmi apo efektet negative të këtij fenomeni janë shumë të mëdha. “Ai pengon zhvillimin e vendit; cenon rëndë paqen dhe sigurinë sociale; nxit arbitraritetin dhe vetëgjyqësinë; polarizon me pa të drejtë shoqërinë; toleron dukshëm cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit”, vijoi Zaganjori, ndërsa shtoi se nëse gjyqtari e jep vendimin për shkak se është korruptuar nga palët apo për shkak të favoreve të padrejta ndaj subjekteve të caktuara, atëherë sigurisht që nuk mund të flitet më për drejtësi, sepse nuk ka më gjykatë të pavarur e të paanshme.
“Drejtësia në këtë rast nuk është gjë tjetër veçse një farsë, një fjalë bosh, pasi krimineli jo vetëm që nuk shkon në burg apo nuk merr atë që meriton, përkundrazi ndihet edhe më i motivuar për të vazhduar rrugën kriminale; prona e përbashkët shtetërore apo prona e qytetarit merret apo thënë më troç “vidhet” me pa të drejtë nga spekulantë apo mashtrues të ligjit; nuk luftohen fenomenet korruptive në degët e tjera të pushtetit dhe institucionet shtetërore”, pohoi kreu i Gjykatës së Lartë, teksa pohoi se sistemi i drejtësisë duhet të spastrohet nga gjyqtarët e korruptuar e të papërgjegjshëm.
Kreu i Gjykatës së Lartë u ndal edhe te konfliktet, të cilat gjykohen nga gjykatat shqiptare. “Kam mendimin se në raport me numrin e popullsisë, masa e konflikteve që paraqiten për vendimmarrje në gjykatat shqiptare është tepër i lartë, e ndoshta ndër më të lartit në botë. Në radhë të parë, kjo vjen si rezultat i konflikteve të shumta që prodhon shoqëria shqiptare në tërësi. Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e tyre prodhohen nga vetë shteti. Nga ana tjetër, te ne mungojnë mekanizmat efektive për zgjidhjen alternative të konflikteve. Konflikte të shumta mes të njohurish, anëtarëve të familjes apo për probleme dhe vlera relativisht të parëndësishme, mund të zgjidheshin më mirë e më shpejt përmes ndërmjetësimit. Edhe për konfliktet që paraqiten në gjykatë ekzistojnë mekanizma e mundësi veprimi të shumtë. Është fakt impresionues që mbi 90% e konflikteve gjyqësore të të gjitha kategorive në SHBA zgjidhen me marrëveshje”, tha Zaganjori. Në lidhje me situatën në Gjykatën e Lartë, ai tha se, me gjithë përmirësimin, sërish ka dosje që presin për vite me radhë për t’u gjykuar.
Ministri i Drejtësisë
Ministri i Drejtësisë tha se ka kërkuar që të përfundojë situata e papranueshme e kryetarëve të gjykatave që drejtojnë gjykatat pa mandat prej vitesh në kundërshtim me ligjin. “Kam kërkuar dhe inkurajuar që të përmbyllim procesin e emërimeve në gjykatat administrative përpara çdo emërimi tjetër të ngutur dhe jo në respekt të ligjit. Prej gjashtë muajsh, kam kërkuar në KLD zbatimin e dekretit të vitit 2012 të Presidentit të Republikës ‘Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë, të Apelit dhe të Gjykatave Administrative, si dhe caktimin e kompetencave tokësore dhe selisë qendrore të Gjykatave Administrative’ për të dalë nga situata absurde dhe jo ligjore, e cila ka shkaktuar deri bllokimin e pagave të gjyqtarëve. Besoj se, edhe ju e konsideroni të papranueshëm faktin që të zgjedhurit tuaj në KLD të shfrytëzojnë mandatin dhe besimin duke promovuar vetveten. Është gjithashtu e pandershme që të përdoren artifica ligjore për t’iu shmangur frymës së ligjit dhe për të lejuar konfliktin e interesit midis anëtarëve të KLD-së”, tha ministri.
Detaje
Zaganjori
Në raport me popullsinë, masa e konflikteve që paraqiten për vendim-marrje në gjykata është tepër i lartë, e ndoshta ndër më të lartit në botë. Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e tyre prodhohen nga vetë shteti