Krimet e Rënda rihapin hetimet për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi

Analiza – Prokuroria ka analizuar të gjitha provat e gjetura pranë banesës së Xhindit, ku më 2 maj 2009, u vra nga persona të paidentifikuar

Rihetimi – Grupi i ri hetimor ka riparë me vëmendje dëshmitë për vrasjen, ka analizuar skenën e krimit, por ende nuk ka dalë në konkluzione

Karikatori – Një provë me vlerë, që prokuroria ka në dorë, është gjetja e një karikatori pranë vendit të ngjarjes nga vëllai i Fatmir Xhindit

Hetues dhe ekspertë të rinj rivlerësojnë faktet



Prej dy muajsh janë duke u rimarrë në pyetje persona që kanë dëshmuar edhe në vitin 2009

Silvana Muça

Fatmir XhindiProkuroria për Krimet e Rënda ka rihapur dosjen për vrasjen e ish-deputetit socialist, Fatmir Xhindi, me qëllim zbardhjen e krimit të rëndë, i cili prej katër vitesh, ende nuk ka një autor. Prej më shumë se dy muajsh, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është riaktivizuar një grup i ri hetimor për vrasjen e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Hetuesit janë duke vlerësuar me vëmendje të gjitha provat e mbledhura nga viti 2009 e në vijim. Burimet bëjnë me dije se grupi i përbërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ekspertë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka parë me vëmendje personat që kanë dëshmuar për vrasjen, kanë analizuar skenën e krimit, por pa mundur që ta rindërtojnë plotësisht atë nga e para. Gjithashtu, organi i akuzës ka analizuar nga e para të gjitha provat e gjetura në skenën e krimit, ku më 2 maj 2009, Fatmir Xhindi u vra pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit.

 

Pyeten sërish të dyshuarit

Burimet bëjnë me dije se prej dy muajsh janë duke marrë në pyetje persona që kanë dëshmuar në vitin 2009. Në grupin e dëshmuesve besohet se janë edhe 20 persona që nuk janë banues në zonën ku ndodhi krimi, por kanë qenë si “vizitorë”, apo kalimtarë atë natë. Ata i janë nënshtruar procesit të pyetjeve për të parë nëse kanë thënë të vërtetën për ngjarjen apo jo. Gjithashtu grupi i dëshmuesve është zgjeruar duke besuar se ata kanë dijeni për ngjarjen, apo mund të jenë përfshirë. Për çdo pistë të ngritur, policia dhe prokuroria ka shoqëruar personat e dyshimtë. Pavarësisht kësaj, vrasja e ndodhur në vitin 2009 nuk ka një autor.

 

Një karikator në vendin e ngjarjes

Një provë me vlerë që prokuroria ka në dorë, është gjetja e një karikatori pranë vendit, ku u vra Fatmir Xhindi. Duket se atë kohë, policia nuk kishte bërë këqyrjen e saktë të skenës së krimit, duke lënë aty karikatorin. Ai është gjetur nga Ilir Xhindi, vëllai i deputetit të vrarë, i cili është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Nëse karikatori do të ishte gjetur natën e krimit në të mund të ishin gjetur gjurmë gishtash. Objekti i gjetur iu nënshtrua ekspertizës së policisë. Fakti që ai ka qëndruar për një kohë të gjatë në natyrë është dëmtuar nga agjentët atmosferikë, duke fshirë gjurmët. Burimet thanë atëherë se karikatori ishte i veshur me një shtresë të tillë që shkaktohet nga balta, shiu dhe nga ekspozimi për një kohë të gjatë në diell. Për të bërë një ekspertizë më të thelluar, Instituti i Kriminalistikës në Tiranë vendosi që ta dërgojë në Angli. Pavarësisht kësaj, hetuesit nuk arritën të gjenin ndonjë provë me vlerë për dokumentimin e çështjes.

 

Pistat e ngritura për vrasjen e Xhindit

Pas kaq shumë kohësh, askush nga prokuroria nuk është në gjendje që të saktësojë një pistë për motivin e vrasjes së Fatmir Xhindit, ndonëse në 2009-n, u ngritën disa. Akuza do të shprehej se deputeti mund të ishte vrarë për shkak të detyrës, për një konflikt të vjetër në vitin 1997 dhe për shkak se ka influencuar në një vendim gjyqësor. Fillimisht u dyshua se ai mund të ishte ekzekutuar për motive pronësie, por më pas kjo pistë u rrëzua. Një tjetër motiv mund të ishte influencimi i Xhindit për një proces gjyqësor. Disa vite më parë, ish-shoferi personal i të ndjerit Fatmir Xhindi aksidentoi me makinë një fëmijë. Pas kësaj ngjarjeje, ai është arrestuar, por mendohet se me ndërhyrjen e deputetit Xhindi, u la përsëri i lirë. Të nisur nga kjo situatë, grupi hetimor hodhi dyshime se ekzekutimi i deputetit Xhindi mund të jetë kryer në shenjë hakmarrjeje nga të afërmit e fëmijës, por as për këtë pistë, nuk është gjetur ndonjë provë bindëse. Një nga pistat që po i mëshohet më shumë është ajo për shkak të detyrës, gjë të cilën e beson edhe familja. Ndërkaq, dosja për vrasjen e Fatmir Xhindit nuk u mbyll kurrë dhe nuk ka pasur afate për hetimet, sepse ngjarja ka mbetur pa autor. Çështja në fjalë është trajtuar shumë herë, ku drejtuesit më të lartë të organit të akuzës dhe policisë janë shprehur optimistë për zbardhjen e së vërtetës. Madje në shkurt të 2013-s, drejtuesit e rinj të prokurorisë u zotuan se një nga dosjet hetimore që do të rivlerësohet do të ishte edhe vrasja e deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Të gjitha këto hetime po rishikohen me vëmendje nga grupi hetimor. Ndonëse provat e mbledhura në skenën e krimit dhe më gjerë, janë shumë të pakta, hetuesit kanë shpresë se do të hedhin dritë mbi vrasjen.

 

 

[callout]Retrospektivë

Vrasja e Xhindit, më 2 maj 2009

Fatmir Xhindi është ekzekutuar mbrëmjen e 2 majit 2009. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qendër të Roskovecit, pranë banesës së deputetit. Në momentin atentatit, 49-vjeçari ishte duke parkuar automjetin në oborrin e shtëpisë, pas një takimi elektoral pasi atë vit, Shqipëria do t’i nënshtrohej zgjedhjeve parlamentare në muajin qershor. Rreth orës 21:15 të asaj nate, deputeti është qëlluar me një breshëri automatiku nga autorë të paidentifikuar. Fatmir Xhindi u dërgua nga familjarët menjëherë në spitalin e Fierit, por nuk i ka mbijetuar dot 6 plumbave që kishte marrë në trup. Sipas të dhënave të ekspertizës, Fatmir Xhindi është qëlluar pas shpine me automatik tip Kallashnikov, nga një distancë rreth 2 metra. Atentatorët i kanë bërë pritë Xhindit, i cili natën e ngjarjes udhëtonte i vetëm me automjetin e tij personal. Bëhet e ditur se Xhindi ka qenë 6 metra larg shtëpisë, e cila ndodhet në një rrugicë të errët. Dyshohet se autorët e krimit kanë shfrytëzuar errësirën për të kryer vrasjen. Atë kohë, Ministria e Brendshme në Tiranë vuri në dispozicion të atyre që japin informacion mbi këtë ngjarje një shumë prej 250 mijë eurosh, si dhe dy numra telefoni të posaçëm.[/callout]

 

Intervista

“Tani që gjërat po vihen në lëvizje, kemi besim se do të zbulohen autorët e krimit”

Ilir Xhindi: Zbardhja e vrasjes u zvarrit për motive politike 

Për rinisjen e hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka njoftuar edhe familjen e të ndjerit. Ata kanë shumë shpresë që kjo ngjarje do të zbardhet, pasi janë të bindur se hetuesit e kanë marrë seriozisht këtë çështje. Gjatë këtyre katër viteve, ata kanë besuar se zbardhja e së vërtetës është bllokuar nga persona të veshur me pushtet, e thënë ndryshe nga kundërshtarët politikë të Fatmir Xhindit. I vëllai i deputetit, Ilir Xhindi, thotë se më në fund gjërat po vihen në lëvizje, duke shpresuar në gjetjen e autorëve. Iliri është i bindur se i vëllai është vrarë për motive politike.

Keni informacion për hetimet?

Para dy muajsh jemi njoftuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me ekspertë të Policisë së Shtetit kanë marrë në shqyrtim dosjen e tim vëllai. Ata na thanë se dosja po rihetohet nga e para, e për pasojë po vlerësohet çdo provë e mbledhur. Ata na kanë premtuar se po punojnë intensivisht për zbardhjen e vrasjes së tim vëllai dhe ne jemi në pritje.

Hetuesit kanë bërë riekspertim të vendit të ngjarjes?

Jo. Unë nuk di që të jetë bërë një gjë e tillë. Jam njoftuar nga organet e akuzës se dosja e Fatmirit po shihet nga e para. Gjithashtu më kanë thënë se janë rimarrë në pyetje persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen, ose janë përfshirë në vrasjen e tim vëllai.

Keni besim në zbardhjen e vrasjes?

Gjatë gjithë kohës kemi ndenjur me shpresën se vrasja do të zbardhet. Ndonëse hetimet kanë qenë të vakëta, ne kurrë nuk hoqëm dorë për të kuptuar të vërtetën. Kur na njoftuan për rinisjen e hetimeve, shpresa u rizgjua tek ne. Kam vënë re se grupi hetimor është vënë në lëvizje, për hetimin e vrasjes së tim vëllai. Unë vërtet e shpresoj dhe besoj në zbardhjen e së vërtetës. Grupi i punës është i përbërë nga ekspertë të specializuar. Gjithsesi nuk është se jam në dijeni të informacioneve të detajuara pasi me këtë po merret grupi hetimor.

Keni ndonjë ide se kush e ka bërë vrasjen?

Vrasja e tim vëllai është politike dhe nuk ka arsye tjetër. Po të ishte vrasje për motive të rëndomta, atëherë do të ishte zbardhur me kohë, por nuk është kështu, e për pasojë hetimet janë bllokuar qëllimisht. Ai është vrarë për motive politike, por gjithsesi unë nuk kam kujt t’ia vë gishtin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Keni ndonjë apel ndaj organeve të drejtësisë?

E vetmja gjë që kërkojmë, është gjetja e autorit të krimit. Kemi mbi 4 vjet që e kërkojmë një gjë të tillë. Nuk e dimë se ku jemi dhe vrasja e tim vëllai është zvarritur prej kaq shumë kohësh.


2 Comments
  1. edi says

    gjejeni vrasesin e xhindit-se edhe i vdekur-nuk po clirohet nga ky makth-..perderisa nuk po zbulohet-mendoj se gishti duhet vene tek ish-kupola e at’hershme-ose tek ish miqte e aferm te tij-qe sot jane ne kupole-..me siguri krimi ka ndodhur nga vrases me pagese-dhe per nje fjale -goje…por mos kujtoni se nje dite shpirti i tij nuk do te hakmeret mbi vrasesit e vertete-apo femijet e tyre.-askush nuk i shpeton ndershkimit-kushedi se ku te fshihet-….

  2. Adil Ajetia says

    Jo vetem vrasja e Xhindit por edhe e Remzi Hoxhes u ndalua qe te zbardhet nga sali berisha prandaj qe shpirti i tyre te fleje i qete dhe femijet e familjaret ta dijne vrasesin,ate qe i la pa baba,pa vella e pa djale dhe shoket e miqte pa shokun dhe mikun e tyre duhet qe sa me pare te pergjigjen per keto vrasje sali berisha dhe klika e tij,jozi e luli qe tani u ka humbur busolla.

Comments are closed.