Interkonjeksioni me Kosovën, Shqipëria stabilizon marrëdhëniet me kompaninë gjermane
Herion Mesi
Ndryshe nga ç’veproi qeveria e shkuar “Berisha”, qeveria e re “Rama” ka dhënë dakordësinë e saj për nisjen e punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Një nismë kjo që nis sot konkretizimin e saj në qytetin e Prizrenit, ku pritet të çelen fillimet e ndërtimeve të linjës së interkonjeksionit 400 kv, Tiranë-Prishtinë, si dhe shpallet projekti tjetër i ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 110 kV Kukës-Prizren, vendimi për të cilin u mor në mbledhjen e fundit të qeverisë shqiptare të tri ditëve më parë. Në këtë mënyrë, linja e interkonjeksionit jo vetëm bashkon Shqipërinë me Kosovën, por rikthen një marrëdhënie të krisur nga qeveria e mëparshme Berisha me kompaninë gjermane KFW, gjë që solli dhe një krisje të vetë shtetit shqiptar dhe Gjermanisë zyrtare.
Kontrata
Sipas njoftimit zyrtar, mësohet se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, KOSTT sh.a. dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Republikës së Shqipërisë, OST, do të nënshkruajnë të shtunën (sot) në Prizren kontratën për ndërtimin e linjës interkonjektive 400 kV Kosovë-Shqipëri. Në ceremoninë, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme, në kompleksin e “Lidhjes së Prizrenit”, sipas njoftimit nga KOSTT, do të jenë edhe Damian Gjiknuri, ministër i Energjetikës dhe Industrisë i Republikës së Shqipërisë, Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, si dhe Peter Blomeyer, ambasador i RF të Gjermanisë në Kosovë. Pas nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e linjës interkonjektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, do të flasin edhe përfaqësuesit e implementuesve të projektit.
Projekti
Përfitimet kryesore që do t’u vijnë të dyja vendeve (Shqipërisë dhe Kosovës) nga ndërtimi i këtyre linjave kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë së sistemit shqiptar dhe kosovar, duke pasur direkt ndikim edhe në sigurinë e sistemit rajonal të interkonjeksionit. Gjithashtu, realizimi i këtyre projekteve do të sjellë një ulje të kostove të operimit të sistemeve të të dyja vendeve, si rrjedhojë e operimit dhe bashkërendimit të përbashkët të krejt veprimeve operacionale. Me përfundimin e këtyre linjave energjetike arrihet në optimizmin afatshkurtër dhe afatmesëm të burimeve hidrologjike dhe termale, përkatësisht, të Shqipërisë dhe Kosovës.
Konfliktet
Dy muaj më parë, drejtori i bankës gjermane KFW për Shqipërinë dhe Kosovën, Rene Eshemann, në një intervistë për gazetën “Shqip”, pohoi se ka marrë nga qeveria e re garancinë për ndërtimin e kësaj linje. Por, nga ana tjetër, Eschemann theksoi se qeveria e shkuar krijoi një ngërç, për zgjidhjen e të cilit u desh një kohë e gjatë në lidhje me ndërtimin e linjës 400 kilovolt. Lidhur me këtë “konflikt” mes qeverisë shqiptare “Berisha” dhe kompanisë KFW, që ishte ngarkuar për realizimin e projektit të linjës së interkonjeksionit me Kosovën është shprehur edhe ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman, i cili kërkoi që të riaktivizohet projekti për interkonjeksionin me Kosovën. Në intervistën e tij dhënë për gazetën “Shqip” më 18 shtator, diplomati gjerman shprehu besimin e tij se ky projekt do të gjejë mbylljen e suksesshme, “sepse është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet të na dalin më kleçka rrugës në lidhje me realizimin e tij”, u shpreh ambasadori.
Projekti i linjës interkonjektive 400 kW Kosovë-Shqipëri
Informata për financimin
Vlera e përgjithshme e financimit nga qeveria gjermane nëpërmjet KfW për projektin deri në: 75.5 milionë euro
Financimi për pjesën e Kosovës: 33.5 milionë euro
Financimi për pjesën e Shqipërisë: 42 milionë euro
Informata themelore për projektin
Gjatësia e linjës: 241.5 km
Gjatësia e pjesës kosovare: 90 km
Gjatësia e pjesës së Shqipërisë: 151.5 km
1. 71.5 km nga kufiri me Kosovën deri te Vau i Dejës
80 km vendoset përçuesi në linjën e dyfishtë Tiranë-Podgoricë
2. Fushat 400 kV në Kosovë B dhe në NS Tirana 2
3. Projekti i Rregullimit Frekuencë – Fuqi dhe Shunt Reaktorit në NS Tirana 2
Koha e parashikuar e implementimit: 24 muaj nga data e kontraktimit të ndërtimit