Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha, ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, janë nisur drejt Brukselit për vizitën e tyre të fundit deri në dhjetor, kur merret vendimi nga vendet anëtare të BE-së për statusin e Shqipërisë drejt BE.
Ministrat shqiptarë do të zhvillojnë një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe institucione të tjera të BE-së, ku pritet të raportojnë për progresin e bërë që pas marrjes së mandatit nga qeveria e re, reformat dhe masat konkrete të ndërmarra deri tani për prioritetet e lëna nga progres-raporti i 16 tetorit.
Kështu, ditën e premte në datë 22 nëntor, ora 09:30 – 10:15 tre ministrat do të kenë një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të EEAS (European External Action Service), Pierre Vimont.
Në vijim në orën 11:00 – 12:30 do të mbahet një panel për Shqipërinë në European Policy Center me prezencën e tre ministrave, i drejtuar nga z. Joost Korte zv/DP i DP për Zgjerimin, dhe z. Rjelic, Drejtor i Zyrës së SËP në Bruksel.
Nga ora 13:00 – 14:30 do të zhvillohet një takim pune me ambasadorët e BE-se, Komisionit Europian dhe EEAS. Rreth orës 16:10 – 17:10 është planifikuar një takim pune me Komisioneren për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malsmtrom.
21 nëntor 2013 (gazeta-Shqip.com)