Ekspozita prezantohet në Galerinë “Nikolet Vasia”


Ekspozita Live ARTÇelet ekspozita Live ART 2013 në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” në Durrës. E organizuar për herë të parë në Shqipëri nga një bankë e nivelit të dytë, si një konkurs arti prestigjioz dhe unik në lëmin e pikturës, në partneritet me Ministrinë e Kulturës dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, si partnerë zyrtarë Live ART synon të inkurajojë artin bashkëkohor shqiptar dhe të kontribuojë në promovimin e tij, duke sjellë sa më pranë syrit të publikut dhe të ndihmojë artistët e rinj të pozicionohen në skenën profesionale të artit. Ekspozita me 26 punimet finaliste u çel me partneritet të Bashkisë së Durrësit. Në ceremoninë e hapjes merrnin pjesë kryebashkiaku Vangjush Dako, prefekti i Durrësit Roland Xhelilaj, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani si dhe shumë artistë dhe personalitete të shquar të qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako deklaroi se bashkia është gjithmonë në mbështetje të artit nën moton “arti, mbiemri i qytetit tim”. Projekti u konsiderua një shprehje e rëndësishme e fuqisë artistike të Shqipërisë dhe shembull pozitiv të asaj që mund të arrihet në partneritet me sektorin privat. Alberto Prestopino, drejtori i divizionit të retail i Intesa Sanpaolo Bank Albania theksoi angazhimin e bankës në nisma që nxisin e promovojnë kulturën e artin. Banka vlerësoi tre artistë të rinj për punën dhe pjesëmarrjen e tyre në projektin Live ART 2013 ku marrin pjesë piktorë të rinj që konkurrojnë me veprat e tyre. Fituesit e këtij konkursi janë Enkelejd Zonja, çmimi i parë, 5.000 euro, me veprën “Kabareja e shallit të kuq”; Genti Korini, çmimi i dytë – 3000 euro me veprën “Abstrakt /11/06” dhe Ledion Xhaferi, çmimi i tretë – 2000 euro me veprën “Dritare”. Live ART vlerësohet si një projekt që buron kreativitet, ndriçon mendjet e sjell frymëzim. Ndjeshmëria e lartë ndaj nismave të fokusuara në promovimin dhe përhapjen e kulturës dhe dijes ndikon në organizimin e projekteve për mbrojtjen e vendeve me trashëgimi historike e kulturore, tek përafrimi i artit me publikun përmes ekspozitave e koleksioneve. Kjo ekspozitë shkon në qytetin e Durrësit pas prezantimit që pati në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.