Ministria-e-ShendetesiseProtesta e stafit të mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kundër ndërtimit të një parkingu në ambientet spitalore, ka marrë mbështetjen e ministrit të Shëndetësisë në largim, Halim Kosova. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Shëndetësisë është angazhuar se do të kërkojë transparencë në lidhje me procedurat e ndjekura për dhënien me koncesion të këtij parkingu.


“Me urdhër të z. Kosova, sot u dërgua në KLSH kontrata dhe dokumentacioni përkatës në lidhje me këtë koncesion, procedurat e të cilit janë ndjekur nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.


Ministria e Shëndetësisë bën me dije se parkingu është dhënë me koncesion në fundin e vitit 2012, ndërsa kontrata është lidhur në 15 Mars 2013 nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.


Vlerësojmë se procedurat të cilat i përkasin drejtimit të mëparshëm të ministrive reciproke duhet të bëhen transparente nga ana e KLSH-së e cila do të shqyrtojë koncesionin si dhe kontratën për parkingun”, thuhet në një deklaratë të dikasterit të shëndetësisë.


9 shtator 2013 (gazeta-Shqip.com)