Rezultatet
LSI në kuotën e 6%, FRD dhe AK janë në të njëjtin nivel: 5.5%
Barazia – Sondazhi nxjerr dy parti të treta me numër të barabartë votash në vend, Lëvizjen Socialiste për Integrim, dhe Frymën e Re Demokratike, që kanë siguruar secila 6% të elektoratit.
Ekonomia – Më shumë se gjysma e shqiptarëve, 53% mendojnë se 2012-ta ka qenë vit më i keq se 2011-ta. Për 16% ka qenë njësoj, për 19% më i mirë, ndërsa 22% nuk kanë një opinion.
Fatjona Mejdini
Instituti “Piepoli”, lider në fushën e sondazheve në vendin fqinj, Itali paraqiti dje sondazhin e parë për zgjedhjet e 23 qershorit, duke nxjerrë fituese me 49%, koalicionin e majtë. Sondazhi bëri të ditur se koalicioni i djathtë i drejtuar nga Partia Demokratike fiton 40% të votave dhe i jep përqindje të konsiderueshme dy forcave të reja politike drejtuar në vend, 5.5% Frymës së Re Demokratike dhe 5.5% Aleancës Kuqezi. Sondazhi i transmetuar mbrëmjen e djeshme në “Vizion +” është realizuar nga anketimi, pra intervistat e drejtpërdrejta të 1651 qytetarëve shqiptarë dhe është kryer në fundin e muajit prill. Përfaqësuesi i institutit “Piepoli”, deklaroi se marzhi i gabimit për partitë e mëdha është 3% dhe për partitë e vogla 1.5%. Nga ana tjetër, eksperti theksoi se metoda e kontaktimit të drejtpërdrejtë është më e rekomandueshme për sondazhe të tilla të rëndësishme dhe ku një rol deciziv ka besueshmëria. Sondazhi i djeshëm thekson se 85% e shqiptarëve shprehen se do të votojnë dhe se 60% e tyre mendojnë se puna e qeverisë nuk është në nivelin dhe drejtimin e duhur. Vetëm 7% e shqiptarëve janë të kënaqur me punën e qeverisë dhe 16% prej tyre nuk kanë një opinion.
Të majtët
Partia Socialiste parashikohet se do të votohet nga 40% e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke u bërë kështu partia e parë në vend. Sondazhi i djeshëm nxjerr në pozita mjaft të mira dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës, duke dalë në konkluzionin se si pjesë e koalicionit të majtë ajo do të votohej nga 6% e zgjedhësve. Nga ana tjetër, sondazhi përcakton se partitë më të vogla në aleancë parazgjedhore me PS-në do të marrin gjithsej 3% të votave. Në total, instituti “Piepoli” thekson se koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të marrë 49% të votave të shqiptarëve duke qenë kështu fitues i zgjedhjeve të 23 qershorit.
Të djathtët
Partia Demokratike përcaktohet se do të marrë 35% të votave të shqiptarëve muajin tjetër, duke u renditur kështu si partia e dytë më e madhe në vend me një diferencë të konsiderueshme nga PS-ja. Interesant në këtë sondazh për sa i përket krahut të djathtë shfaqet Partia Republikane, e cila merr 2% të votave. Më pas partitë e tjera të vogla, të gjitha së bashku përcaktohet se marrin 3% të votave. Në total rezulton se koalicioni i djathtë merr 40% të votave të shqiptarëve.
FRD dhe AKZ
Ashtu si dhe në sondazhet e tjera të realizuara më parë, FRD dhe AKZ pavarësisht faktit se janë rishtare në skenën politike shqiptare vlerësohen se kanë bërë një pjesë të rëndësishme të elektoratit për vete. Në sondazhin e paraqitur nga instituti “Piepoli” theksohet se FRD-ja merr 5.5% të votave të qytetarëve dhe Aleanca Kuqezi 5.5% të votave. Nga ana tjetër, 60% e shqiptarëve mendojnë se qeveria nuk po shkon në drejtimin e duhur. Të pasigurt nëse po bëhen hapa pozitivë janë 17% për qind e të intervistuarve. Të kënaqur janë vetëm 7%. Po kështu, 32% e të anketuarve mendojnë se në Shqipëri jetohet keq, ndërsa 29 për qind janë përgjigjur se jetohet shumë keq. Më optimist, janë 17 për qind e shqiptarëve që flasin për një jetesë të mirë. Vetëm 7% jetojnë shumë mirë dhe 16 për qind e të anketuarve nuk kanë një opinion mbi këtë pyetje.
Vlorë
Berisha sulmon Kokëdhimën: Ai është menaxheri i zotit Rama
Kryeministri Berisha ka bërë dje pjesë të sulmit të ashpër politik, kandidatin e PS-së në listën e Vlorës, biznesmenin Koço Kokëdhima. Ai e ka nisur këtë sulm fillimisht gjatë disa takimeve elektorale që ka pasur pikërisht në Vlorë, duke e quajtur Kokëdhimën kryetarin real të PS-së. “Të sjellë Koço Kokëdhimën këtu, është jashtëzakonisht e rëndë. Zotin Rama në Vlorë e ka sjellë Koçua. Sepse Koçua në Tiranë njihet si menaxheri shpirtëror i zotit Rama; njihet si njeriu që fitonte të gjitha tenderët e rrugëve, të cilave u binte asfalti brenda tetë muajve; njihet si njeriu që fitonte tenderët e rindërtimit të shkollave dhe atyre u binin tavanet edhe fëmijët përfundonin në spitale, mos harroni skenat në televizione. Koçua njihet si njeriu, i cili të gjitha reklamat e qytetit i kishte pronë të tijën dhe nuk i paguante bashkisë as edhe një taksë të vetme. Koçua njihet në Tiranë si personi që i detyrohet arkës së bashkisë disa milionë euro detyrime fiskale. Koçua që e solli zotin Rama këtu, nuk e solli për ndonjë dashuri që ka për Vlorën, por e solli për pasionin e tij të çmendur për beton dhe brigjet e Vlorës”, deklaroi Berisha. Këto deklarata ai i përsëriti dhe në një takim që zhvilloi me kandidatët për deputetë të PD-së mbrëmjen e djeshme.